Gravitacioni i të ngjashmëve

Ornela

Nga Moikom Zeqo

 

Paul Kremer qe i pari që hodhi idenë se në univers ka një forcë sikurse gravitacioni që grumbullon “të ngjashmet”.

Ai botoi një libër për këtë ide që u anatemua, por kur e lexoi Ajnshtajni e cilësoi librin “origjinal dhe aspak absurd”.

Kjo do të thotë se “parimi i njëpasnjëshmes” nuk duhet mohuar.

Nëse dikur Leonardo bëri një Mona Lizë kjo është një e përsëritshme saktësisht.

Mona Liza ka qenë pikturuar në kohën e mbretit të mbretërve Nabukodonozorit të Babilonisë.

Në kohën e Perikliut Fidia bëri një statujë absolutisht të ngjashme me Mona Lizën e pikturës

Karli i Madh i frankëve ka kaluar një natë seksualisht të hatshme me vetë Mona Lizën e vërtetë, madje qe çuditur me aromën e kaçurreave të pubisit të saj misterioz, që engjëjt nuk e kanë dhe nuk e kanë patur kurrë.

Ka dhe një teori tjetër jo më pak të vërtetë dhe të plotfuqishme “teoria e kundërshtimit” sipas së cilës njeriu hiqet sikur bën diçka krejt tjetër nga ajo që di të bëjë.

Kështu Leonardo tërë jetën paraqitej te princërit dhe mbretërit e Evropës si inxhinier fortifikatash, shpikës, piroteknik.

Madje Leonardo e besonte plotësisht këtë gjë, pikturën e nënvleftësonte, gjë që shpjegon pse nuk i përfundonte veprat e tij pikturike, por kjo në vend që të qartësojë gati mjegullon gjithçka, nuk shpjegon por ndërlikon, nuk bën simetri, por asimetri mendore.

P.sh. Leonardo mbas skicave gjeniale për fortifikatat e Ludovik Moros rastësisht pikturoi tablonë “Madona e shpellës”, ky qe një krijim i një origjinaliteti të pashembullt.

Maria, Gjon Pagëzori fëmijë po edhe Krishti fëmijë me engjëllin Gabriel rrinë brenda shpellës guackore, dinosaurike, lluspore, kuçedrore, kompozimi ëhtë enigmatik, ndërlikimi nuk ka fund, ca të çara të sipërme të shpellës depërtojnë me rreze brendësinë në mënyrë që të ndriçohen disa pjesë dhe të rrinë terrshëm pjesët e tjera, shën Maria duket sikur ka jo dy po tri duar, drita që buron përpara nuk e zbut lojën e hijeve, po e forcon, bimësia shpellore është gati jashtëtokësore.

Edhe sot e kësaj dite mbetet e vështirë të deshifrohet domethënia e tablosë “Madona e shpellës”.

Tërë murgjërit dhe inkuizitorët shpirtmëdhenj e refuzuan dhe e nëveritën me delikatesë këtë tablo, që mbeti pa e blerë askush te studio e piktorit gjersa pas vdekjes së tij u bë pronë e mbretit francez Ludovikut të XII.

Piktori tjetër gjenial Rafael Santi imiton haptas dhe pa turp skemën kompozicionale të Mona Lizës, për këtë flet qartë portreti i tij i shkrimtarit të njohur humanist Baltazar Kastilionit.

Ashtu si “Mona Liza” figura e Kastilionit jepet përgjysëm, me kokën e vendosur drejt dhe shikimin mbi shikuesin e jashtëm, me trupin e kthyer në tri tre katërtat.

Gjithandej duart duken mirë, po Rafaeli në ndryshim nga Leonardoja nuk pëlqen sfonde jo të thella, pa kontraste të theksuara të dritës dhe të hijes.

Portretet e mrekullueshëm të Rafaelit janë në sfonde neutrale dhe prej tyre është zhdukur buzëqeshja misterioze kaq karakteristike për Leonardon.

Rafaeli e mashkullëzoi Mona Lizën dhe kjo për një postfrojdist skocez që jeton në Qipro, studiues arti i thukët dhe kurajoz është një triumf i homoseksulizmit botëror.

Aleluja, abrakadabra, amen…Ludovik Moro e donte Leonardo Da Vinçin, qe i vetmi sundimtar i bujës së jetës; jeta për të qe një aventurë e kthyer në ballo.

Rënia e pushtetit të Moros e detyroi Leonardon të strehoet në Francë.

Prej tij zhduket humori, bëhet melankolik, gati e braktis artin për shkencën, nuk mendon asnjëherë si të pasurohet si p.sh Peruxhino, rrinte larg komentuesve të panumërt të Aristotelit, studionte si reagonin bimët nga helmet, e akuzonin se merrej me “magji të zezë”.

Nuk qe magjistar, as alkimist, qe mendimtar.

 

*****

Botuar në Dita. Shkruar në 1995

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *