Moikom Zeqo
- LIBRI I BARLETIT
Botimi i kryeveprës së Marin Barletit kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut midis viteve 1508-1510 në Romë. Përveç tekstit zulmëmadh dhe të pazëvendësueshëm në latinisht ka dhe një dëshmi ikonografike të klasit të parë: portretin e heroit në grafikë.
Për këtë vepër arti është folur shumë por asnjëherë me saktësi.
Gravura më e hershme e Skënderbeut është vendosur jo rastësisht në librin e Barletit.
Së pari, Barleti ka qenë i interesuar saktësisht dhe shkencërisht për të paraqitur portretin autentik të Skënderbeut. Pse e them këtë? Sepse që në të gjallë të Skënderbeut ka patur vepra artistike kushtuar atij, kryesisht disa medaljone. Shumë artistë në Napoli dhe në Romë kanë qenë dëshmitarë okularë, që e kanë skicuar Skënderbeun gjatë vizitave të tij, madje edhe kur ka shkuar te Papa. Është e pamundur të mos gjendet diçka figurative ose skicore në këtë hulli.
Së dyti, Barleti ai kushton librin e tij nipit të Skënderbeut, Don Ferrantes Kastriotit. Ky si nip e trashëgimtar, pa dyshim ka ruajtur një përfytyrim grafik të saktë të gjyshit të tij madhështor. Dalim kështu njëzëri tek teza se portreti, grafikimi i Skënderbeut te libri i Barletit është paraqitja më autentike, pika kryesore e referencës për ikonografinë e Skënderbeut në shekuj.
- GRAVURA
Gravura e Skënderbeut e tregon atë në profil nga ana e djathtë. Skënderbeu ka një mjekër relativisht të gjatë, hundën prej shqiponje, mban mbi kokë një kapele dhe është i veshur me një dolloma, që ka një jakë prej gëzofi, dolloma me sa duket prej stofi prej skarlati, që ka vizatime me figura lulore.
Vizatime lulore ka edhe te pjesa e poshtme e kapeles. Duke u nisur nga kapelja mund të themi, ashtu siç dëshmon Dhimitër Frangu, i cili ka qenë arkëtari i Skënderbeut dhe më pas historian i tij, e klasifikojmë atë si, „një beretë skarlati alla Carmagnola“.
Kjo qe një kapele e rangut të lartë të personaliteteve të shoqërisë italiane të shekullit XV. Është një kapele e rrafshit qytetar dhe civil, jo e rrafshit ushtarak. Në pjesën e poshtme të kapeles duken dy-tri figura lulesh; një rozetë, një lule zambaku, një tjetër rozetë, etj. Por askush nuk e ka studiuar këtë ornamentikë lulore, që zotëron sidomos dollomanë prej skarlati të heroit.
Dollomaja ka të rafiguruar dy degë me gjethe zambaku, që ngrihen mbi tri rozeta të brendashkruara në rrathë të dyfishtë ose në gjysëm elips. Njëra degë ka lulen e zambakut të hapur. Pranë saj është figura emblematike e një shege, e cila është paksa e çarë dhe duken kokrrat në trupin e saj. Një tjetër figurë shege është midis dy kërcejve të fletëve të zambakut. Duken edhe dy degë bimësh, madje edhe dy gema të prerë. Janë edhe tri gjethe lisi, duket edhe figura e një lende lisi. Të gjitha janë të harmonizuara gati si në një stil barok.
Askush nuk ka marrë mundimin të pyesë pse vallë janë këto figura frutash, lulesh dhe gjethesh, të vizatuara në dollomanë dhe kapelen që mban Skënderbeu? Ajo që më tërhoqi fillimisht vëmendjen është figura e shegës. Ç‘do figura e shegës në këtë zbukurimore të veshjes? Ç‘përfaqëson figura e shegës?
- SIMBOLIKA E SHEGËS
Duke shfletuar librin e arkeologut dhe shkencëtarit gjerman, mikut tim Dr. Guntram KOCH „Fruhchristliche Kunst“, botuar në Berlin, në vitin 1995, në tabelën 19/2, duket fotografia e një mozaiku të shekullit IV, në një kishë paleokristiane, gjetur në Hinton në Angli, që ka figurën në bust të Krishtit, me fytyrë pa mjekër të ikonografisë apoloniake, që ka anash dy figurat e frutit të shegës, si dhe kryqin mithriatik me germën „p“ sipër, në latinisht, që simbolizon fjalën PAQE. Ky rafigurim i Krishtit është brenda një embleme të rrumbullakët, qarkuar nga figura simbolike e valëve, që simbolizon elementin kozmogonik të ujërave. Vetvetiu njeriu bën pyetjen: „Ç‘duan frutat e shegëve në ikonografikën e hershme të Krishtit? Pse shegët u lidhkan kështu me Krishtin, me krishterimin e hershëm? Për pasojë, pse figura e frutit të shegës vizatohet në mënyrë heraldike në veshjen e Skënderbeut? Pse shegët e Krishtit përfaqësohen edhe te Skënderbeu, që është mbiquajtur nga papët „atleti i Krishtit“?
Duke shfletuar një nga librat më të rëndësishëm studimor për mitologjinë e krahasuar të botuar nga studiuesja e famshme amerikane Barbara G. Walker, në New Jersey, 1983 „The Woman’s Encyclopedia of Myths and Secrets“, faqe 805-806, lexova diçka substanciale dhe të çuditshme për figurën e shegës dhe simbolikën e saj në tekstet biblike.
Në Testamentin e Vjetër emri i shegës në hebraisht është “Rimmon”. KY emër përmendet në “Librin e Dytë i Mbretërve” (5-18): “Kur zoti im shkon në Tempullin e Rimmonit (Shegës) për ta adhuruar dhe mbështetet në krahun tim, do të bije përmbys në Tempullin e Rimmonit”. Shumë e habitshme por në Izrael ka patur një kult të shegës aq të madh saqë edhe tempulli është mbiquajtur me emrin hebraik të shegës, domethënë Rimmon. Po kështu në “Libri i Parë i Mbretërve” (17-18/20) flitet për simbolet e zambakëve dhe ato të shegëve, në një bashkësi kuptimore. Flitet në këtë tekst për ndërtimin e Tempullit të Solomonit, për kapitelet e Tempullit si p.sh. “Solomoni bëri shtyllat e dy radhëve të shegëve rretheqark… kishte 200 shegë të vëna në radhë rretheqark, në majë të shtyllave kishte punime në formë zambaku”. Shegët përmenden edhe në Këngën e Solomonit (8-2).
Ç’përfaqësojnë pra shegët?
Pse u vendosën ato në Tempullin e Solomonit? pse simbolika e tyre mbijetoi edhe te figura e Krishtit në Krishterimin e hershëm? Mitologët e mëdhenj W.G. Graves, H.Smith, T. Cavendish, të cituara nga Barbara G. Wlalker shpjegojnë, pra bëjnë të qartë, se figura e shegës ka origjinë pagane në simbolikën e saj të parë.
Rimmon është emri i një hyjnie fallike, të quajtur Bal Rimmon “Zoti i Shegëve”.
Shega simbolizon fertilitetin, pjellorinë, seksin femëror. Kështu hyjneshat klasike greke Kore dhe Euridika mbajnë gjithmonë një kokërr shegë si simbol dallues.
Edhe hyjnesha Hera është quajtur si “Hyjnesha me shegë”. Më vonë tek hebrejtë, figura e shegës ruajti kuptimin e simbolit të pjellorisë, të përtëritjes dhe të shumëzimit të popullit, të pasuesve, të rishtarëve të fesë. Në këtë kuptim edhe të krishterët e parë nuk harruan, që në ikonografinë e Krishtit të vendosnin figurën e shegës kaq të pëlqyer dhe kaq të paraqitur në Tempullin e famshëm të Solomonit.
Artisti i gravurës së Skënderbeut i ka ditur këto dhe ka respektuar një traditë antike të simbolikës së shegës në veshjen e Skënderbeut pra, në kuptimin e ripërtëritjes, të shumëzimit, të vijimësisë, të shëmbëlltyrës së ndritshme skënderbejane.
Ky artist është prirë ta paraqesë Skënderbeun me një veshje rilindëse dhe fisnike europiane, si për të theksuar qytetarinë europiane të Skënderbeut.
Veshja europiane e Skënderbeut në heraldikën e shegës bën një abstraksion, që është kusht i simbolizmit të figurës së heroit shqiptar dhe, në vend që ta paraqesë me armaturën dhe veshjen ushtarake, parapëlqen një mënyrë tjetër më të përjetshme dhe universale, të Skënderbeut si njeri i madh i cili është i denjë të mbartë në veshje figurën e shegës, po aq sa edhe Krishti në mozaikun e gjetur në Angli të shek. IV.
Kjo tregon se gravura nuk ka qenë e rastësishme. Përveç portretit artisti ka fiksuar madhërisht dhe në amëshim simbolikat e shumëfishta.
- SIMBOLIKA E GJETHES DHE LENDES SË LISIT
Por simbolika nuk mbaron vetëm me frutën e shegës. Vetëkuptohet që është më e shumëfishtë. Duken qartë të rafiguruara disa gjethe lisi si dhe lendja e lisit si frut. Pse janë vendosur këto ? Rastësisht ? Kot ? Dekorativisht ?
Ai që e njeh pak a shumë simbolikën apo heraldikën antike e di fare mirë, madje lehtësisht se gjethja e lisit dhe lendja e lisit lidhen konkretisht me lisin mitik të Dodonës, të tempullit të vjetër pellazgjik të Dodonës, ku profecitë bëheshin në mënyrë origjinale, duke hedhur fall gjatë studimit të fluturimit të gjetheve të lisit të shenjtë.
Ky lis i shenjtë përbënte një element shumë të veçantë të kultit pagan të pellazgëve në territorin e molosëve, epirotasve ilirë, në jug të Shqipërisë, si dhe me vetë origjinën apo dhe me simbolikën e Pirros së madh të Epirit që është konsideruar si një paraardhës i madh dhe kuptimplotë i vetë Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Marin Barleti në librat e tij e përmend shpesh origjinën e shqiptarëve, duke e lidhur me Pirron e Epirit. Ai në fakt i referohet autorëve më të vjetër antikë, kryesisht Herodotit, që ka përshkruar saktësisht kultin e lisit të Dodonës, fallxhimin nëpërmjet këtij lisi për të ardhmen. Herodoti thotë se pellazgët nuk ishin perëndi, të paraqitura me figura, madje as me emra. Orakulli i Dodonës, i përfaqësuar nga druri i lisit, tregon një fazë shumë të hershme të prehistorisë kultike, të kultit të drurëve, të dendrografisë. Edhe vetë fjala dru është tejet e lashtë, madje shpjegon fenë e drurëve të quajtur druizmi tek keltët e vjetër.
Më vonë Straboni ka shkruar më hollësisht për Lisin e Dodonës, për veprimtarinë orakullore « jepte porosi jo me fjalë, por me simbole si orakulli i Amonit në Libi, duke u nisur edhe nga fluturimet e veçanta të tre pëllumbave sipas të cilave profetet femra, duke i vështruar profetizonin. Thonë se plakat, në gjuhën e molosëve dhe të thesprotëve i quajnë pelia, ndërsa pleqtë peli, ndoshta nuk ishin shpendë peliadet, që përmenden në legjenda, por qenë tri gra plaka profete që kalonin kohën në faltore. » Barleti e nënvizon që Pirro i Epirit konsiderohet nga shqiptarët si paraardhësi i tyre i lavdishëm, një kryegjysh mitik i shqiptarëve, pra dhe i vetë Skënderbeut, prandaj dhe Skënderbeu quhet princ epirot, madje dhe gjuha shqipe mbiquhet si epirotike, deri tek Frang Bardhi në shekullin XVII. Barleti shkruan « shqiptarët janë fis bujar, fis mbretërish, fis ajakidësh, njeriu ndjek gjurmët e gjakut dhe të fisit të vet, ky është ligj, pra dhe shqiptarët kanë shpirtin dhe zjarrin e Pirros, sepse prej tij rrjedhin. Pirroja u quajt me të drejtë si një nga udhëheqësit më të mëdhenj e më të fuqishëm në botë, ai artin ushtarak e pajisi me disa krijime me të vërtetë të shkëlqyera. Se çfarë burri ka qenë Pirroja në daç për luftë në daç për paqe, e dëshmojnë sa e sa dokumente të lashtësisë, gjithmonë ai ka dalë i pari në ndeshje e beteja, sa që me arsye e kanë quajtur rrufeja e luftës ».
Por simbolika e gjethes së lisit si dhe e frutit të tij lendes lidhet konkretisht me figurën e kryehyjnisë Zeusit, që në literaturën e specializuar është konsideruar shpesh si Zeusi i molosëve, i kaonëve dhe i thesprotëve.
Kulti i Zeusit me karakter antropomorf, është institucionalizimi i hyjnive pa emra të pellazgëve apo të kultit totemik të drurit të shenjtë (tek shqiptarët deri më sot mbijeton kulti i drurit të shenjtë, në formën e kërcurit të Buzmit në vatër gjatë Krishtlindjeve).
- SIMBOLIKA E ZAMBAKËVE
Dallohet qartë në sfondin e veshjes së Skënderbeut edhe një bigëzim, të saktë dy kërcej me gjethe zambaku, që ndahen nga njëri-tjetri në formën e germës V që simbolizon edhe fjalën latine Victoria – Fitore. Duket dhe një lule e hapur zambaku në kërcellin e majtë. Aty ku ndahen të dy kërcejtë e zambakëve është përsëri një kokërr shege. Duke studiuar librat e heraldikës e kupton se këto dy kërcej zambakësh tregojnë trashëgiminë, pas vdekjes së kryetarit të familjes, ose dhe të dinastisë mbretërore. Në heraldikë lulja e zambakut lidhet me mbretërit francezë, me anzhuinët.
Lulja e zambakut ka qenë simbol heraldik i Karl Topisë, që sipas Barletit ka themeluar dhe qytetin e Krujës.
Dhimitër Frangu na jep një dëshmi të çuditshme, një teori që thotë në shekullin XV se « shqiptarët – albanët vijnë prej France, sepse është vënë re një miqësi e natyrshme midis fisnikëve të të dyja vendeve sikurse përmendet psh. miqësia e princit të Durrësit me mbiemrin Topia, që vinte prej Karlit të Madh, apo ajo e disa princërve nga Meschino. Si shenjë e vullnetit të mirë statuja e Karlit të Madh prej guri të mrekullueshëm dhe gdhendur me shumë mjeshtëri dhe art, qe vendosur në sheshin kryesor të qytetit të Krujës »
- SIMBOLIKA E LULEVE ROZETA
Duken qartë edhe figurat e tri rozetave, lule pesë, ose gjashtë petalesh. Rozetat janë simbole solare, të ekuinoksit pranveror, të ripërtëritjes së natyrës.
Figura e rozetës duket edhe në strehën e kapeles së Skënderbeut.
Por ajo që është edhe më e habitshme dhe njëkohësisht korresponduese është se në vetë përkrenaren metalike të Gjergj Kastriot Skënderbeut, rreth e qark janë figurat e gjashtë rozetave, pra, të luleve që ndodhen si motive heraldike edhe tek gravura e kryehershme.
Çfarë duan këto lule ? Pse pikërisht lule ? Ç’kuptim tjetër kanë lulet ? Ç’duan lulet tek një luftëtar i rreptë dhe i egër, që realisht ndoshta s’ka pasur kohë fare dhe as qetësinë meditative për të menduar për lulet.
Kemi të bëjmë me një qëllim, apo kemi të bëjmë me një trill ? Lulet janë thjesht zbukurimore apo kanë dhe kuptim ? Për t’u përgjigjur këtyre pyetjeve duhet të njohim më thellë pikturën europiane rilindëse.
Pikturat e Botiçelit janë të tilla që kanë figurat e shumë luleve pavarësisht prej pikëllimit metafizik të subjekteve.
Aureolat e profetëve të pikturuar nga Onufri në shekullin XVI kanë të pikturuar brenda edhe lulet rozeta.
Rozetat janë kështu simbole të amshimit, parakuptojnë lulet në asfeld, apo sipas konceptit të Dantes lulet janë shëmbëlltyra jo vetëm e Beatriçes por dhe e Parajsës. Lulet gjithashtu simbolizojnë vijimësinë e pranverave që vijnë njëra pas tjetrës të pafuqisë së dimrit përfundimtar, pra janë kundër fatalizmit të vdekjes. Nuk duhet harruar se në disa rafigurime apo dorëshkrime që lidhen me Skënderbeun, stema e shqiponjës dykrenare jepet në mënyrë të çuditshme, në sqepat e dy kokave të shqiponjës duket një trëndafil i kuq dhe një i artë. Ky është një element tjetër i mëvonshëm heraldik, më tepër një mbishtresë.
- SIMBOLIKA E KËRCEJVE TË PRERË
Nuk duhet lënë mënjanë dhe një përbërës tjetër : duken qartë edhe dy kërcej që kanë gema të prerë. Çfarë përfaqësojnë këto ?
Në shkencën e heraldikës dihet se një kërcell që ka një gem të prerë tregon vdekjen, kurse pjesa tjetër vijimësinë. Pra simbolika e tillë heraldike tregon që Skënderbeu ndërkohë kishte vdekur, por kishte lënë pas vetes birin e tij Gjonin si dhe fëmijët e Gjonit. Një nga këta nipa qe dhe Don Ferrante Kastrioti.
- SI QUHEJ ARTISTI I PORTRETIT ?
Artisti i portretit padyshim që ka punuar në tipografinë në Romë që ka shtypur librin e Barletit për Skënderbeun. Në këtë libër që s’ka datë botimi thuhet ndër të tjera në latinisht « Impresum Romae per B.V. », dmth « shtypur në Romë prej B.V. » « Germat B.V. shënojnë emrin e tipografit Bernardinus Venetus de Vitalibus. Ky tipograf në 1508 u vendos në Romë, ku ndenji deri nga fundi i vitit 1510. Pastaj u kthye në Venedik, ku veproi deri në 1588. Disa këtë tipograf e kanë quajtur Albanozoti, Shqiptari, gjë që e pranon dhe ndonjë historian tjetër. Por nuk duhet nxituar në këtë pikë.
Sipas skënderbelogut Kristo Frashëri gravura e Skënderbeut është pikërisht nga ky Bernardinus Vitalibus, por për mendimin tim as kjo gjë nuk është shumë e sigurtë.
Ajo që është e rëndësishme lidhet me konceptimin simbolik të portretit të Skënderbeut, me simbolikën e figurave, që zbërthyem më lart. Ka mundësi që për gjethen dhe lenden e lisit si simbole epirotase, pellazge, dodonase, të Pirros së Madh të Epirit, t’ia ketë sugjeruar artisti vetë Marin Barletit, i cili ka ndjekur vetë edhe procesin tipografik të librit.
Diçka ka mbijetuar edhe në portretet e mëvonshme, por duke humbur shumë motive origjinale. Në një libër që ndodhet në Bibliotekën Male Brace në Dubrovnik, botuar në Frankfurt në vitet MDXCVI – 1656, portreti i Skënderbeut jepet gjithashtu me një veshje europiane, ka kapele, mbi të cilën ngrihet një tufë lulesh dhe pendësh, portreti është brenda një rrethi dhe është i kornizuar nga një numër figurash të botës bimore dhe shtazore, duken figura lulesh, çuditërisht figurat e dy fluturave, dy figura shqiponjash etj.
Por këto motive nuk kanë lidhje me heraldikën skënderbejane.
Origjina shqiptare e botuesit
Një rol parësor në përcaktimin e gravurës së Skënderbeut ka patur dhe botuesi. Për këtë botues, janë thënë shumë përcaktime, por për origjinën e tij etnike deri më sot nuk ka pasur një dokument përcaktues. Nofka, si Albanazoti, që e ka shoqëruar këtë botues është parë shpesh me dyshim, ose si një zbukurimore e qëllimtë nga ana e shqiptarëve të cilët mendonin se është e pamundur që kjo mos të ketë lidhje në mes të këtij botuesi dhe Marin Barletit, vetëkuptohet dhe Skënderbeut. Nganjëherë është shpëtimtare përcaktimi ose nxjerrja e dokumentit nga një studiues i huaj për këtë çështje të diskutueshme. Studiuesi italian i mesjetës shqiptare Paolo Petta (1942-1999) ka shkruar një kryevepër të quajtur « Despotët e Epirit dhe Princër të Maqedonisë ». Ky libër që është përkthyer dhe në gjuhën shqipe nga mesjetarologu Dr. Pëllumb Xhufi hap përpara syve të të gjithëve një botë të mahnitshme, plot kontraste, paradokse të një bote të mbyllur deri më sot. Është fjala për botën e mërgatës shqiptare në Italinë e Periudhës së Rilindjes, Odiseada e pasardhësve të Familjeve të Mëdha të princërve shqiptarë, që shkuan në Itali pas pushtimit të Shqipërisë.
Pikërisht në këtë vepër Paolo Petta e zgjidh përfundimisht enigmën e origjinës etnike të botuesit të librit të Barletit mbi Skënderbeun. Ai thotë se « Shtypshkronja e vëllezërve Vitalibus, ka luajtur një rol të madh dhe e ka preferuar librin e Barletit mbi Skënderbeun, sepse këta dy vëllezër ishin me origjinë shqiptare » (faqe 42). Nëse botuesi titullar i shtypshkronjës ishte shqiptar, autori i veprës ishte shqiptar, heroi i veprës qe kryetrimi shqiptar atëherë de le kuptueshme që kanë qenë të gjithë të interesuar për portretin e Skënderbeut që të jetë sa më autentik, aq më tepër, që i kushtohej dhe nipit të Skënderbeut Ferrande Kastrioti. Kjo e shton besueshmërinë, që portreti i Skënderbeut nuk është bërë në mënyrë dekorative, por në mënyrë të menduari, kuptimshmëria e simboleve të tij është e qëllimshme dhe e sanksionuar në një vetëdije të përbashkët.
- MBISHKRIMI
Gravura e Skënderbeut ka dhe një mbishkrim në italisht : SIGNOR SCANDER BEGO. Askush nuk është ndalur tek ky mbishkrim, që fillon me një gjethe akanti. Skënderbeu quhet thjesht Zotëri. Emri i tij tregjymtyrësh Gjergj Kastriot Skënderbeu ruan vetëm mbiemërimin turk. Nuk përmendet as titulli princ, as titulli zyrtar, DOMINUS ALBANIAE. Kemi kështu një thjeshtëzim, që e ka vetë artisti i portretit, por që është pak në kundërshtim e titujt që vetë Barleti i ka vënë Skënderbeut që në titullin e librit si Epirotarum Principis.
Për ta shpjeguar këtë disonancë, them se duhet të ndalem posaçërisht në një shkrim tjetër.
