Të mësuar me statuset e Berishës, si ata banorët që treni u kalon përbri shtëpive për vite me rradhë dhe nuk u bën përshtypje çaf-çufi në orare të saktuara së bashku me sirenën uturitëse, edhe ai i para tre ditëve, u kalua si gjithë të tjerët, pa vënë re që kish një risi: Gregun, të birin e Ramës, që sefte u përfshi në vokabularin me efekt përvëlues të mjeshtrit të akuzave acide, sidomos në thrillerin e tyre politik. Kjo do të thotë se Gregu u rrit, u bë burrë! Ai nuk është më një djalosh buzëqumësht që mendon se ç`fluturon hahet, por një burrë prej së vërteti, derisa siç u tha, ka mësuar të përdorë pistoletën, e madje ta vërë atë në lule të ballit, pa pyetur për rangun zyrtar të personit me tytë ngjitaz mbi ballë, në është kreu i Hipotekës apo ndokush tjetër si ai në rëndësi. Tashmë, që prej tre ditësh, falë Berishës, Gregu ka pasuar fatin e Gjinos tek “14 vjeç dhëndër”. Atij nuk i shkon që tanimë të eglendiset me bashkëmoshatarë, të tregojë barcoleta apo të endet në vrunduj moshe me plot naivitet; përkundrazi, është i dënuar (nga Berisha) për të qenë burrë, edhe pse nuk ka mbushur moshën. E çfarë burri! Jo si Gjinoja, të cilit ju bë bibilushi objekt gallatash prej burrash të ngeshëm, por nga ata me revole… pasi Berisha ia hoqi penelin nga dora. Halli nuk është se Gregu u pagëzua si kriminel pa mbushur moshën ende, por pse u burrërua i gjori me pahir!
