Gregory Peck, fytyra e idealizmit amerikan

anazapta

Nuk ka ekzistuar kurrë një aktor që në vitet e arta të kinemasë hollivudiane ta ketë përfaqësuar më mirë idealizmin amerikan dhe forcën e vlerave njerëzore me të cilat krenohet Amerika, si Gregory Peck. Avokat i të drejtave civile në filmin “Të vrasësh një bilbil”, vihet në ndjekje të një balene vrasëse në filmin “Balena e bardhë” dhe shëtit me Vespa-n e tij magjepsësen Audrey Hepburn në “Pushime romane”

Dhjetë vite më parë, u shua në Los Angeles, Gregory Peck, një prej aktorëve amerikanë më të mirë dhe me emër të viteve ’50-’60. Filmi më i rëndësishëm i tij, për të cilin edhe vetë është shprehur se e ka dashuruar më shumë është “Të vrasësh një bilbil”, ku interpreton rolin e një njeriu që lufton për të drejtat civile. Personazhi i tij, ai i një avokati antiracist që kundër çdo bindjeje sociale shpëton një të zi nga akuza e përdhunimit, e bëri që të fitojë çmimin “Oscar” si aktori më i mirë. Gjesti do të bëhej leksion jete dhe qytetarie për brezat e ardhshëm dhe për angazhimin e përgjithshëm që tregoi edhe në jetën reale në çështjen e të drejtave të njeriut, Peck mori nga presidenti Johnson nderimin më të lartë që mund të marrë një civil në Shtetet e Bashkuara, “Medaljen e Lirisë”.

Peck i lindur në vitin 1916 në Kaliforni, filloi të luante pjesë të ndryshme në teatrin e Universitit të Kalifornisë ku dhe u diplomua për studime të gjuhës angleze. Për rolet e tij më të hershme u nominua katër herë me “Oscar”, në fund të viteve ’40. Arriti të njihej për publikun sidomos falë roleve që i caktoi regjisori Alfred Hitchcock në filmat e tij, i pari ndër të cilët ishte ai i vitit 1945, “Unë do të të shpëtoj”, ku interpretoi bashkë me Ingrid Bergman. Ai i luante skenat e aksionit gjithnjë vetë, nuk preferonte të ndërrohej me një dublant.

The.paradine.case.1

Në karrierën e tij, Peck ka luajtur në mbi 70 filma. Por rolet që e kthyen në një fytyrë të skalitur në historinë e kinematografisë , kanë qenë të shumta: në disa filma të paharreshëm ‘ëestern’ si : “Duel në diell”, “Vendi i madh”, “Pushtimi i perëndimit”, apo te “Balena e Bardhë” dhe “Pushime romane”ku interpretoi bashkë me magjepsësen Audrey Hepburn. Personazhet e tij përfaqësojnë ende një idealizëm pa kohë.

Në vitin 1999, regjisorja, fituese e çmimit “Oscar”, Barbara Kopple, i dedikoi filmin “Bashkëbisedim me Gregory Peck”, një rast ku aktori rrëfeu historinë e tij edhe në kornizën e personales, atë të dashurisë së përjetshme për bashkëshorten dhe për vetvrasjen e pakuptueshme të të birit. Rrëfime ekstreme të një njeriu që i dha jetë për shumë vite dhe në shumë filma fytyrës së drejtë dhe të qetë të Amerikës.

Kishte lënë mbas krahëve një divorc kur u martua me reporteren parisiene, Veronique Passani, e cila e kishte intervistuar në vitin 1953, para se të fluturonte për në Romë për filmin “Pushime romane”. Gjashtë muaj pas njohjes së tyre, ai i kërkoi të martoheshin dhe që nga ajo kohë u bënë të pandashëm. Bashkë patën një djalë Anthony dhe një vajzë, Cecilia.

Në pjesën e dytë të karrierës së tij, roli më i paharrueshëm ngelet ai në filmin “Djemtë e ardhur nga Brazili”, një ndër rastet e rralla ku pranoi rolin e një personazhi negativ. Gregory Peck vdiq në gjumë, në moshën 87-vjeçare, më 12 qershor 2003./Dorina Gjuzi

Share This Article
3 Comments
  • Shekulli i kaluar i takon FISNIKËRISË dhe DINJITETIT NJERËZOR! Kishte shumë artistë që në ekrane e demonstronin këtë. (Geri Kuper, Grigori Pek, Marlon Brando..). Filmat e shekullit të kaluar shiheshin me dëshirë dhe pa tension. Sepse edhe temat që trajtoheshin kishin një rol edukativ për të gjithë brezat.

    Sot mendoj se ky shekull është shekulli i “SHITBLERJES SË DINJITETIT NJERËZOR”. Sa për FISNIKËRI as nuk mund të bëhet fjalë. Sot çdo gjë është “MALL” që shitet e blihet.

  • E kam idhull kete artist te madh, si interpretues origjinal i vlerave,si shkrirje te natyres aktorit me rolin, si percues i te bukures ne art, gje qe ja kishte fale Krijuesi dhe qe ai me nje zemergjeresi te jashtzakonshme, ja u fali njerezve…

  • Ne fakt titulli i noveles eshte To kill a mockingbird.shkruar nga Harper Lee. Mockinbird nuk eshte bilbil , Bilbili ne anglisht quhet nightingale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *