Grekët në grevë, në kufi mund të kalohet vetëm në këmbë

Dita

Pikat e kalimit kufitar me Greqinë nuk do të funksionojnë për 24 orë, dhe kjo për shkak të një greve të përgjithshme të realizuar nga sindikatat e pavarura të Greqisë.

Siç njoftojnë autoritetet në Kapshticë puna është ndërprerë në orën 07:00 të së mërkurës dhe do të rifillojë pas 24 orësh, të enjten e 31 majit.

Bëhet e ditur se gjatë këtyre orëve nuk do të lejohet kalimi i mjeteve, por vetëm kalimi i këmbësorëve.

Edhe në pikat e tjera kufitare me Greqinë, në Kakavijë dhe Tre Urat do të bllokohet puna.

Sindikata e punonjësve të ministrisë së Financave të Greqisë njoftoi se do t’i bashkohet thirrjes së sindikatave të pavarura të Greqisë, ndërsa tha se në grevë do të marrin pjesë dhe doganierët.

Ndaj, gjatë datës 30 maj pritet të pezullohen të gjitha kalimet e automjeteve dhe kamionëve në pikat kufitare të Greqisë me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Turqinë, ndërsa me Bullgarinë lëvizja e autoveturave do të lejohet, por jo e kamionëve.

Greva do pezullojë lëvizjen në porte, aeroporte, si dhe spitalet dhe shërbimet civile, pasi edhe mjekët kanë thënë se do të protestojnë.

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *