Shqipëria sipas 3 turistëve grekë

anazapta

Udhëtimi është dhe gjithnjë do të mbetet një dëshirë e madhe, që kush më shumë e kush më pak, gjithmonë ka ëndërruar, ndonjëherë edhe pse vetëm virtualisht. Një udhëtim në kufijtë e botës, ku takohen realiteti dhe fantazia, ku ndihemi pak edhe si Kristofor Kolombi në zbulimin e Amerikës, pasi rëndësi për ne ka ajo që takojmë, provojmë dhe e zbulojmë vetë. Dhe mund ta ndjesh veten si zbulues të madh, edhe pse destinacioni që ke zgjedhur ndodhet në kufi me vendin tënd, por kurrë nuk e ke shkelur atë, apo pse jeton në vitin 2014 ku zbulimet gjeografike kanë përfunduar dhe mjeti që ke zgjedhur është motoçikleta. E ndjen veten zbulues, edhe për faktin se gjatë jetës të kanë shoqëruar si mite urbane dhjetëra histori jo të bukura për fqinjët e tu, ke dëgjuar etiketime raciste apo përçmuese, ke njohur shumë prej tyre, je treguar i mirësjellshëm me ta, por gjithsesi ke ruajtur një farë skepticizmi, sepse paragjykimi ka qenë më i fortë se ti. Ndërsa tani po zbulon një tjetër realitet. Pak a shumë kështu janë ndjerë edhe tre miq të rinj grek, Giorgos, Thomai dhe Antonis, në aventurën e tyre shqiptare, të cilët në një ditë të bukur pranvere, pasi kishin përpiluar të gjithë itinerarin e udhëtimit, u hipën motorëve, duke lënë pas krahëve vendlindjen, Patrën, për të provuar misteret e udhëtimit në tokën e fqinjëve të tyre.

 

Dilemat e destinacionit “Shqipëri” 

Kur Thomai, si fans i madh i udhëtimeve me motor, i cili ka vizituar pothuajse gjysmën e Evropës, u ka propozuar dy miqve të tjerë, Antonis dhe Giorgos të nisen për në Shqipëri, vërtet që ka marrë miratimin e tyre, por ama kanë ndeshur në kundërshtimet e gjithkujt që ka mësuar këtë fakt. “E vërteta është se kam pasur shokë shqiptarë, madje miq shumë të afërt dhe më kishin treguar çdo gjë për Shqipërinë. Para se ta vizitoja, kisha dëgjuar shumë gjëra: Ku po shkon? Për çfarë po shkon aty? Çfarë do shohësh?” tregon Thomai 23 vjeçar me profesion shef kuzhine në një nga hotelet më prestigjioze të Greqisë, ideatori i këtij udhëtimi.

Të njëjtën pritshmëri ka pasur edhe Antonis, 25-vjeçari, me profesion kontabilist. “Nga ato çfarë kisha dëgjuar, mendoja se Shqipëria do ishte në gjendje shumë të keqe, mendoja se do shihja një vend i cili mund të ngjante sikur sapo kishte dal nga lufta. Menjëherë, m’u kujtuan shqiptarët që jetojnë në Greqi. Kur ata erdhën në Greqi si emigrantë, kurrë nuk kërkuan ndihmë apo mëshirë. Punuan me dinjitet dhe fituan jetesën e tyre. Edhe këtu në vendin e tyre shqiptarët na pritën shumë mirë, na ndihmuan me çdo gjë, në çdo cep ku vajtëm, ju përgjigjen pyetjeve tona, duke na dhënë informacionin që na duhej për vendndodhjen, apo me merakun a jemi të uritur apo të etur, të gatshëm për të ofruar ushqime dhe ujë”. Edhe Giorgos, 23 vjeç, student i menaxhim biznesit, e pohon se në Greqi ka mjaft paragjykime për shqiptarët. “Për të t’u treguar i sinqertë, me turp duhet ta pranoj, se nuk kisha ndonjë mendim të mirë për Shqipërinë. Duhet të më kuptoni, kur dëgjon vetëm fjalë të këqija për një vend, dashur pa dashur diçka të ngulitet në mëndje. Por, mu bë shumë qejfi që të gjitha këto fjalë apo paragjykime që kisha për Shqipërinë, më ndryshuan në mënyrë radikale. Kuptova se është një paragjykim totalisht pa baza. Personalisht ndihem shumë i nderuar me mikpritjen që shqiptarët treguan ndaj nesh,dhe me ndihmën që na dhanë gjatë udhëtimit tonë. Mendoj se do vijë një ditë kur do të mirëpres dhe unë një shqiptar”.

 

Adrenalina shqiptare

Ata të tre e duan adrenalinën dhe pranojnë se adrenalina shqiptare ka qenë ndër më interesantet. Kanë afro tre vjet që u hipin motorëve dhe i bien vërdallë. Para Shqipërisë, udhëtuan drejt rivierës franceze. Kësaj radhe erdhën në Shqipëri për të zbuluar Ballkanin dhe vendi jonë iu duk mjaft interesante për ta përshkuar. Nga pika kufitare e Kakavijës në Gjirokastër, kanë udhëtuar drejt Sarandës, për të nisur një udhëtim tejet emocionues, atë të rivierës së jugut deri në Vlorë, për të vijuar drejt kryeqytetit Tirana e për ta përmbyllur udhëtimin me Shkodrën, në pikën e Hanit të Hotit, ku më pas i janë drejtuar Malit të Zi.

“Për një motorist rruga e rivierës nga Saranda në Tiranë është një rrugë fantastike, me kthesa sfiduese, me zik- zake në majë të malit, me reliev të thyer dhe mahnitës. Pamja ishte e mrekullueshme, nga pyjet e dendura deri tek shfaqja fantastike e Jonit. Ngjyra blu e detit, brigje plazhesh shumë të bukura, mjaft gjire të vegjël që dukeshin mrekullisht të bukura nga lart, gjatë rrugës që ne ndoqëm, pa harruar magjinë e Syrit të Kaltër. Udhëtonim përmes luginave dhe në krah ndiqeshim nga lumenj të vrullshëm. Bukuritë natyrore të Shqipërisë do i vlerësonte çdokush”, rrëfejnë ata të tre, gati me një gojë. Si grek që janë nuk harrojnë të përmendin faktin se u ka pëlqyer fakti se në disa fshatra banorët flisnin greqisht dhe ata kanë komunikuar lirisht midis tyre. Gjithashtu, si djem bukuroshë dhe të rinj, u kanë tërhequr vëmendjen “makinat luksoze dhe femrat e bukura, megjithëse nuk i pranonin komplimentet lehtë”. Por syrit të tyre kritik nuk u ka shpëtuar problemi i infrastrukturës dhe mënyra se si shqiptarët i ngasin makinat. “Ajo çfarë nuk më pëlqeu ishte mënyra e ngjarjes së makinës, mu duk shumë e rrezikshme dhe në shumicën e rasteve vura re një papërgjegjshmëri nga ana e shoferëve”, konstaton Giorgos.

Shqipëria vendi i paradokseve

girlsGjatë udhëtimit mbi dy rrota, ata janë ndalur dhe kanë folur me njerëz, kanë provuar ushqimet vendase dhe kanë parë qytete dhe fshatra. Për ta Shqipëria është vendi i kontrasteve të mëdha, pasi edhe pse është një vend i varfër, papritur gjendesh në botën e Ferrarit. Me ikjen e tyre shumë gjëra u kanë ngelur në mendje nga Shqipëria. Si shef kuzhine që është, Thomai kujton ushqimin në Llogora si diçka që e ka shijuar vërtet shumë, ndërsa jeta e natës së Tiranës duket se është një argument që bashkon opinionin e të treve: një jetë nate shumë mbresëlënëse dhe aktive. “Jeta e natës në Tiranë ishte plot rini edhe ngjante sikur nuk reshtej kurrë”. “Tiranën mund ta quaj si një qytet paradoks, duke pasur ato gjëra që mbase ajo s’ka nevojë, por duke i munguar ato që në të vërtet i nevojiten”, thotë Thomai. “Pallatet shume kateshë, qendrat tregtare dhe trafiku marramendës me sillte në mëndje, Athinën, apo Romën, ama pjesa periferike e saj le për të dëshiruar dhe i nevojitet përmirësim”. “Tirana si kryeqytet, nuk mund të them se më kujtonte një kryeqytet europian 100%, por ishte e dukshme përpjekja për ta bërë atë një qytet të tillë. Këtë e vura re nga pallatet modern shumëkatesh të cilët na dilnin para çdo kthese papritur, si dhe nga firmat e biznesit me emër në rang botëror të cilat kishin hapur filiale në Tiranë. Kjo do te thotë se kanë një besueshmëri në Tiranë dhe në zhvillimin e saj. Mund të them së Tirana është një qytet plot surpriza, surpriza të cilat vetëm ajo mundet që t’i fali”, rrëfen Giorgos.

Ajo çfarë kanë zbuluar gjatë udhëtimit të tyre, tre miqtë e rinj grek, ishte një Shqipëri tjetër, e ndryshme nga ajo që kishin dëgjuar përmes të tjerëve, një Shqipëri më e bukur, më e mirë, më tolerante dhe me njerëz me zemër të madhe. Ajo çfarë konstatojnë në fund të aventurës së tyre është se “me disa ndryshime Shqipëria mund të bëhet destinacioni numër një i Ballkanit për të kaluar pushimet” dhe se dëshirojnë të kthehen me mundësinë e parë, pse jo duke ua sugjeruar edhe miqve të tyre.

 

Thomas Lazaros

tomasMe profesion shef kuzhine, është një fans i madh i udhëtimeve me motor dhe ka vizituar pothuajse të gjithë Europën. Thomai është 23 vjeç, i pëlqen adrenalina dhe ka një shpirt aventure shumë të madhe, gjithashtu i pëlqejnë shumë lojërat ekstreme.

 

 

 

 

Antonis Roros

antonioAntonisi është 25 vjeç dhe është një kontabilist. Ka gjithë jetën e tij që merret me motorra dhe makina. Pëlqen jetën eksploruese dhe është një adhurues i madh i këtij lloj udhëtimi (mototouring). Është ai që e mban grupin plot humor edhe surprizën kilometër pas kilometri.

 

 

Giorgos Stathopoulos

giorgioGiorgos është 23 vjeç, studion menaxhim biznesi edhe është “çuni i mirë i grupit”. Është ai që di të sillet dhe hedh poshtë ate famën e keqe që i përshkruan motorristat. Një djalë me këmbë në tokë dhe që di të përshtaten në çdo lloj situate pa krijuar probleme.

Share This Article
15 Comments
  • Gezoem qe cdo vite edhe me shume turista vizitojne shqiperine. Edhe perse vine me mendime negative per shtetin tone, kthehen me kujtime me te bukura.
    Te vini perseri djema.

  • Folen nja ca tre greke qe ja kaluan mire … dhe mendoni se ndryshoi i gjithe opinioni i Botes … Shqiperia keshtu eshte … aq tre dite te rrish s’ma don mendja te kuptosh ligesine dhe poshtersine e nje populli … po te rrish nje jete te tere do te kuptosh qe ketu kane dale fiasko nga mend e kokes … Kudo neper bote ka padrejtesi , pabarazi , ligesi dhe poshtersi … por Shqiperia i kalon normat fare … NE sjemi fuqi ekonomike , kampion bote ne FIFA … por ama jemi kampion per idotsira dhe paradokse sic e theksuan tre djemte ose tre miqte nga Gerqia … Ajo qe shikon ne Tirane jane shenja babzitje … i kane cuar te blloku keta te shkretet , dhe kushedi si eshte dukur ketyre … keshtu eshte e gjithe Shqiperia “Trendafila dhe Borziloke” … Une e kam thene dhe e rithem filozofia , menyra e jeteses , bashkeveprimi i Shoqerise dhe politikes eshte “Tragjikomike” …

  • … midis fqinjeve egzistojne ura kalimi. te liget jane aty per te hequr ndonje kembe te saj (urave). Te djallezuarit gjithnje aty, per te perfituar nga situata . Te mencurit i rindertojne .

    dhe historia vazhdon.. .. rita

  • Komplimente për çdo gjë që ke sjellë me anë të këtij zhanri suksese të mëtejshme. Gjetja dhe gjithçka është më se e realizuar. Presim sërish nga ty Gjergji shkrime që të bëjnë të reflektojmë me anë të këndvështrimit tënd.

  • Te vjen mire kur nje pershkrues,pershkruan keshtu thjesht dhe me vertetesi se si kaluan tre turista nga vend fqinj,tre turista te pa njohur,te thjeshte ashtu sic jemi apo duam Ne..te cilesoj dhe te vleresoj nje turist cilesit,vyrtytet,zakonet tona na ben te ndjehemi mire sidomos me shume ne kete moment kohor qe ndodhemi… sa per femrat shqipetare,besoj se jane tani per tani akoma me te mira se femrat greke,i kane pak lezet nazet femres…;)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *