28 persona kanë rënë në prangat e policisë greke për trafik lëndësh narkotike. Pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë. Operacioni i madh i policisë së shtetit fqinj është shtrirë në qytetet e Selanikut, Agrinios dhe Volosit, ku u zbulua rrjeti i trafikimit të drogës, për të cilin punonin edhe 3 zyrtarë të lartë policisë së Agrinios.
Sipas policisë, e cila e zbuloi rrjetin duke përgjuar telefonatat e të dyshuarve, lënda narkotike dërgohej në Greqi nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit, për t’u shitur më pas në tre qytetet e mësipërme. Policia sekuestroi në shtëpitë e të arrestuarve sasi të vogla droge dhe mijëra euro të siguruara nga shitja e saj. Hetimet për të tjerë persona të përfshirë në rrjet vijojnë.