Është cilësuar skandal nga mediat greke kontrolli i ushtruar nga anëtarët e Agimit të Artë në spitalin e Tripolit, ku pacientëve iu kërkua kombësia dhe u dëbuan me forcë katër prej tyre, të cilët nuk e treguan atë.
Anëtarë të Agimit të Artë, të shoqëruar edhe nga drejtoresha e spitalit të Tripolit , Eleni Siurunis, ushtruan kontroll të mërkurën në këtë institucione, me pretendimin se po kërkonin të identifikonin infermiere private ose punonjëse shërbimi pa dokumentet e nevojshme dhe pa leje për të ushtruar detyrën në repartet e pacientëve.
Por gjatë kontrolleve, ata kërkuan të dinë kombësinë e të sëmurëve dhe dëbuan katër prej tyre, të cilët nuk pranuan të jepnin përgjigje, ose nuk i kishin me vete dokumentet. Madje, një ditë pas këtij incidenti, së bashku me drejtoreshën e spitali, anëtarët e Agimit të Artë dolën në një prononcim për shtyp, ku theksuan se objektiv i tyre ishte lufta kundër punës ilegale në spital.
Skandali i denoncuar nga mediat bëri që ministri grek i Shëndetësisë, Andrea Likurencos, të shkarkojë drejtoreshën e Spitalit të Tripolit, Eleni Siurunis.
Një incident i tillë nuk është i papritur për sistemin shëndetësor në Greqi, pasi Agimi i Artë në prezantimin e programit para zgjedhjeve kishte deklaruar se një nga prioritetet e kësaj force është edhe moslejimi i të huajve bashkë me grekët në të njëjtat spitale, kopshte apo çerdhe.