Kreu i radikalëve të majtë, Alexis Tsipras është betuar gjatë mbrëmjes së të hënës si kryeministri i ri i Greqisë, pasi siguroi fitoren përgjatë zgjedhjeve të fundjavës për një mandat të dytë qeverisës 4-vjeçar.
Tsiprasi iu nënshtrua betimit civil të besnikërisë, siç parashikohet edhe në Kushtetutën e Greqisë, ndërkohë që ka shkelur sërish praktikën e zakonshme që shihte krerët e qeverive të betoheshin në prani të udhëheqësve fetarë të vendit.
Më herët gjatë ditës së hënë, ai tha se do të rigjallëronte bankat greke dhe ekonominë e gjymtuar të saj, ndërkohë që ka kërkuar si gjithnjë gjatë këtyre muajve të fundit lehtësimin e borxhit nga huadhënësit e huaj, në atë që konsiderohet si “beteja e parë e madhe” pas zgjedhjes si kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës.
Ai i ka vendosur këto si prioritete kyçe në listën e gjatë të “gjërave për t’u bërë” në axhendën e tij, ku përfshihen gjithashtu edhe implementimi i masave shtrëguese dhe përballja me valën e emigrantëve që mbërrijnë në Greqi nga brigjet turqe, si pasojë e largimit nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme, e veçanërisht nga Siria.
