Hidhet në erë makina e drejtoreshës së burgut të Koridhalosit në Greqi. Shpërthimi ka ndodhur sot herët në mëngjes, në orën 4:42, në lagjen Dafni të Athinës. Një faqe në internet njoftoi 20 minuta para ngjarjes për shpërthimin e planifikuar në makinën e Maria Stefit, drejtoreshë e burgut të Koridhalosit. Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, koha e shkurtër në dispozicion nuk la mundësi për evakuimin e banorëve dhe një grua mbeti e plagosur nga shpërthimi. Në vendngjarje shkuan menjëherë forcat antiterrorizëm, pasi vepra u klasifikua menjëherë si vepër terroriste dhe mendohet se në të, janë përfshirë grupe të organizatës terroriste “Komploti i celulave të zjarrit”, anëtarë të së cilës ndodhen në burgun e Koridhalosit.
