Partia Socialiste ka mbledhur Asamblenë e Përgjithshme të degës së saj në Greqi. Takimi është zhvilluar në qytetin e Larisas dhe në të kanë marrë pjesë drejtuesit e të gjitha degëve dhe organizatave socialiste në Greqi, ndërsa të deleguar nga kryesia e PS për të ndjekur asamblenë kanë qenë kryetari i Asamblesë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe Sekretari i PS për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj. Më shumë se 150 pjesëmarrës, të cilët përfaqësonin degët dhe organizatat socialiste në 35 qytete të Greqisë, u mblodhën për të analizuar punën e kryer gjatë vitit 2012, si dhe për të diskutuar dhe marrë vendime mbi strategjinë e veprimeve të socialistëve shqiptarë në Greqi për zgjedhjet parlamentare të Qershorit 2013.
Takimi në Greqi
“Ne jemi pjesë e fitores, jemi pjesë e ndryshimit në Shqipëri”, ka thënë në fjalën e hapjes kryetari i Partisë Socialiste për Greqinë Artjan Qirici. “Partia Socialiste është një parti që jeton me emigracionin. Kryetari i PS-së ka jetuar në emigracion, 70 për qind e grupit tonë parlamentar ka jetuar një pjesë të jetës së tyre në emigracion”, thotë Erion Veliaj, sekretar për Emigracionin dhe Rininë. Ne fjalimet e tyre përfaqësues të degëve të Partisë Socialiste kanë shprehur dëshirën që ky vit të sjellë ndryshimin në atdhe. “Për të gjithë ne nuk ka moto më të çmuar se sa Shqipëria. Të gjithë jemi ushtarë të Shqipërisë”, thotë Artur Porpollogu, koordinator i PS-së për Greqinë e Veriut. Ndërsa në fund kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi duke sjellë shembuj konkretë u ka bërë shqiptarëve të Greqisë një pasqyrim të realitetit shqiptar ku çmimet e artikujve të konsumit të përgjitshëm janë dyfishuar prej vitit 2005 kur pushtetin e ka marrë Sali Berisha. Gjithashtu u ka treguar se cilat premtime nuk mbajti Kryeministri shqiptar për 100-vjetorin siç janë ndërtimi i Parlamentit të ri, Bibliotekës Kombëtare, stadiumit të ri etj, duke e akuzuar kreun e Qeverisë se në këto 20 vjet nuk po sundon me zgjedhje, por me vjedhje. “Për fat të keq 100-vjetori na gjeti me një shtet në shërbim të pushtetarëve, na gjeti si vendin më të korruptuar në gjithë Evropën”, tha kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi.
bravo. u lodhem me mbledhje dhe takime vepra duam.