Partia Socialiste vazhdon të shtrijë strukturat e saj organizative në radhët e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Pak ditë më parë është krijuar edhe dega e kësaj partie në qytetin e Trikallas. Në mbledhjen e zhvilluar me këtë rast, mes socialistëve të këtij qyteti ishin të pranishëm edhe Sekretari për Rininë dhe Emigracionin në PS, Erion Veliaj, si dhe kryetari i kësaj partie, Dega Greqi, Artjan Qirici. Pjesëmarrësit në takim komunikuan me përfaqësuesit e PS-së në lidhje me problemet me të cilat përballen emigrantët në Greqi, si dhe në lidhje me kontributin që ata vetë do të japin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në fund të takimit Z. Veliaj dhe Z. Qirici shpërndanë dhe kartat e anëtarësisë për rreth 100 pjesëmarrësit në hapjen e degës së PS në Trikalla.
Ndërkohë që aktiviteti i Sekretariatit të Rinisë dhe Emigracionit në PS ka vijuar në qytetin Kalabaka, në Greqinë qendrore. Duke iu përgjigjur kërkesës së bërë nga përfaqësues të shkollës shqipe të këtij qyteti, Sekretariati i Emigracionit ndërmori një iniciativë për të mbledhur libra dhe materiale mësimore për këtë shkollë. Përmes kontributeve vullnetare, Sekretariati mblodhi librat e nevojshëm të gjuhës shqipe për nxënësit e klasës së 5-të, 6-të, 7-të, 8-të dhe 9-të. Në ceremoninë e dorëzimit të librave në qytetin e Kalabakës mori pjesë Sekretari i Partisë Socialiste për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj. Duke komunikuar me pjesëmarrësit në ceremoni, Veliaj theksoi se Partia Socialiste tregon me vepra më shumë se sa me fjalë dedikimin e saj patriotik, duke iu referuar iniciativave të shumta për të ndihmuar shkollat shqipe në Greqi apo dhe në Preshevë. Pas ceremonisë, Veliaj gjithashtu organizoi një takim me strukturat e degës së PS-së në qytetin e Kalabakës.