Kakavijë-Janinë, pezull

Dita

Qeveria greke nuk i ka dhënë dritën jeshile fillimit të projektimit të rrugës që lidh pikën më të madhe në kufrin shqiptaro – grek, atë të të  Kakavijës, me  qytetin e Janinës.

Segmenti rrugor  prej 46 km nuk është përfshirë nga ministria greke e Infrastrukturës në rrjetin e Rrugëve Trans-Europiane.

Sipas mjeteve greke të informimit, deputeti  i Janinës në Parlamentin grek Kostas Tasulas ka reaguar ndaj ministrisë së  Infrastrukturës dhe Zhvillimit duke kërkuar që segmenti të përfshihet në investimet, si pjesë  e Strategjisë  për Zhvillim të Qëndrushëm 2014-2020.

Me  reagimin e deputetit grek janë bashkuar edhe njësitë vendore  greke, fqinje me  zonat kufitare të Shqipërisë,  që e shohin përmirësimin e këtij  segmenti  rrugor si një ndihmë sidomos në dobi të lëvizjes turistike, raporton VOA.

Të dy rajonet kufitare shqiptare kanë pasuri të rralla natyrore dhe kulturore  që tërheqin interesin e turistëve të huaj, por kanë ende pak infrastrukturë në drejtim të këtyre zonave.

Ndërkohë segmenti Kakavijë – Janinë  është pjesë e nismës së disa vendeve për “autostradën  e kaltër”. Kjo autostradë  shihet nga vende si Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria si një projekt shumë i rëndësishëm infrastrukturor për nxitjen e turizmit.

Autostrada planifikohet  të fillojë  në Trieste (Itali) dhe  të  kalojë  së pari përmes Sllovenisë  për në Rijekë. Në afërsi të Dubrovnikut autostrada adriatiko-joniane do të kalojë përmes Bosnjë-Hercegovinës në Trebinje për në Mal të Zi.

Atje ajo do të vazhdojë përmes Podgoricës në pjesën veriore te Shkodrës për në Shqipëri, më tej për në Durrës dhe  do të vijojë në drejtim të Greqisë. Në Greqi kjo autostradë do të kalojë nga Kakavija në Janininë dhe Patra duke përfunduar në Kallamatë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *