Greqia mund të ketë në hapësirën nënujore të saj rezerva gazi natyror të barabarta me 107% të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. Sipas një raporti të publikuar nga banka gjermane, Deutche Bank, në Jug të ishullit të Kretës mund të gjenden 3,5 trilionë metra kub gaz, që e konvertuar në vlerë monetare është 427 miliardë euro, ndërsa fitimi i pastër për Greqinë do të mund të ishte 214 miliardë euro, më shumë se sa gjithë PBB vjetor i Greqisë i marrë së bashku. Deutche Bank vlerëson se të ardhurat e para nga shfrytëzimi i burimeve, do të nisin të inkasohen në 8 ose 10 vitet e para, por me kusht që rezervat të jenë kaq kolosale sa vlerësohen. Gjithsesi, Deutshe bank vëren se parashikimet për një sasi kaq të madhe gazi natyror nuk janë ende të argumentuara, pasi bazohen në rezultatet e gjetjeve në pellgun e Mesdheut Lindor, në nivelin e quajtur “Levantine”, që shtrihet në hapësirat detare midis Turqisë, Sirisë, Izraelit, Qipros, Egjiptit dhe Libanit.
Raporti
Burime nga Deutche Bank që u pyetën nga e përjavshmja e madhe e Athinës, Real News, citohen të kenë thënë se raporti në fjalë nuk është i ri, por është publikuar më 3 tetor. Real News citon zëdhënësin e Deutche Bank, Nik Probert, sipas të cilit “mediat greke bëjnë shumë zhurmë për asgjë”. Real News i ka bashkangjitur këtë deklaratë një specialeje të gjatë, rreth një studimi fizibiliteti që kanë hartuar tre shkencëtarë grekë dhe që i është dorëzuar kryeministrit Samaras. Sipas faksimiles së publikuar nga gazeta greke, studimi daton në korrik të këtij viti dhe në të thuhet ndër të tjera se “nisur nga kriza aktuale ekonomike, prioritet do të duhet të jetë tërheqja masive e investitorëve për zbulimin e burimeve të mundshme të hidrokarbureve”, duke e përqendruar interesimin fillimisht në zonën e Kretës. “Aty ekziston 80% mundësi për prani të gazit natyror, ndërsa në detin Jon ka mundësi 80% për prani nafte”, vërejnë tre shkencëtarët.Ata i rekomandojnë qeverisë që të “avancojë sa më shpejt në negociata esenciale me vendet fqinje, për delimitimin e zonave ekskluzive ekonomike dhe krijimin e një klime të përshtatshme politike”. Përkundër pritshmërive të shpalosura nga tre shkencëtarët, por edhe media greke për kërkimet e hidrokarbureve, një eurodeputet i PASOK-ut, i ka cilësuar gjithë skenarët e shpalosur si një “tregti me shpresën”. Kriton Arsenis, duke folur në parlamentin Europian, ka theksuar se parashikimet mbi burime të mundshme hidrokarburesh, “janë jo vetëm të pabazuara, por edhe mashtrojnë opinionin publik, duke i ofruar në vend të zgjidhjeve reale për papunësinë, shpresën e një parajse të ardhshme”.