Rritja e mundshme me 120% e taksës turistike (që u aplikohet hoteleve), me kërkesë të kreditorëve për të mbyllur marrëveshjen me qeverinë e Athinës, do të thotë një shkatërrim për sektorin e vetëm që tërheq ekonominë e vendit. As premtimi i Ministrit të Financave, Yanis Varoufakis, se do të presë deri në vjeshtë për të aplikuar taksën e re, nuk i qetëson sipërmarrësit e industrisë, që shohin se po u afrohet katastrofa, pas një viti të begatë, me të ardhura dhe prenotime rekord.
Pasiguria në të cilën jeton Greqia prej muajsh nuk është vërejtur deri më tani në sektorin e turizmit, i cili vitin e kaluar pa një numër rekord turistësh (më shumë se 22 milionë bileta) dhe në këtë tremujor, 12.8% më shumë të ardhura se në të njëjtën periudhë të vitit 2014. Megjithatë, kushtet që me shumë gjasa do të vënë partnerët e Athinës për të mbyllur marrëveshjen, si për shembull rritja e TVSH-së, apo harmonizimi i taksës në ishuj, shqetësojnë në masë të madhe këtë sektor.
Nëse, siç është propozuar nga ministri i Financave Yanis Varoufakis javën e kaluar, TVSH-ja që aplikohet aktualisht për hotelet shkon nga 6.5% në 18% (15% për pagesat me kartë), në vitin 2016 do të humbasin 200 mijë vende pune, paralajmëroi Andreas Andreadis, kreu i Marketing Greece S.A, (organizatë jofitmprurëse që promovon turizmin). Dhe me rritjen e çmimeve, turistët shumë prej të cilëve zbarkuan vitin e kaluar në Greqi për shkak edhe të paqëndrueshmërisë politike në vendet e tjera në rajon, (Egjipt, për shembull), do të largoheshin masivisht në destinacione të tjera, të tilla si Turqia, apo Kroacia, sipas parashikimeve të tij.
Këtyre reve të zeza duhet t’u shtohet edhe reduktimi i menjëhershëm i turistëve rusë për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Kremlinit. “Kjo është fatkeqësi. Kompanitë e mëdha mund të ofrojnë çmime konkurruese për shkak se menaxhojnë më shumë volum biznesi, por ne të vegjlit jemi të dënuar të shkatërrohemi”, parashikon Yorgos Pandelópulos, pronar i një agjencie udhëtimi, që për shkak të vendndodhjes së saj në zemër të Athinës, qëndron ende në këmbë. Por nuk dihet për sa kohë. “Kam pushuar dy punonjës, tani ka vetëm tre, dhe në qoftë rritet TVSH-ja, do më duhet ta mbyll. Turizmi është burimi i vetëm i të ardhurave të vazhdueshme dhe reale në vend, por rritja e taksave do ta bëjë produktin më të shtrenjtë”, tha ai. Turizmi përfaqëson 9% të GDP-së greke, me 17 miliardë të ardhura në 2014.
Edhe investitorët e turizmit insistojnë në nevojën urgjente për të mbyllur një marrëveshje me kreditorët për të hequr dyshimet dhe për të shmangur humbje të mëdha dhe falimentim të mundshëm.
