Punonjësit grekë kanë nisur grevën 48-orëshe, për të protestuar kundër paketës së re të masave të kursimit, e cila pritet të kalojë të mërkurën në parlament, e që cilësohet nga sindikatat si shkatërrimtare për të varfrit dhe grushti i fundit për një ekonomi në rënie.
Transporti ka pësuar ndalesa të mëdha në të gjithë vendin, pasi shërbimi i trenave, autobusëve dhe metrove kanë ndalur punën. Një numër fluturimesh janë anuluar, anijet janë ankoruar në porte, ndërsa shoferët e taksive i bashkohen edhe ata grevës, duke qëndruar në rrugë.
Shkollat, bankat dhe zyrat e qeverive lokale janë mbyllur, spitalet do të punojnë vetëm për urgjencat. Policia ka marrë të gjitha masat e sigurisë për tubimet e protestës që nisin në mesditë, pasi eksperienca e mëparshme sugjeron se ato mbyllen me përleshje dhe trazira. Gjithsesi, autoritetet i druhen më shumë protestave të një dite më vonë, kur Parlamenti të mblidhet për të miratuar masat e kursimit, së bashku me reformat në tregun e punës dhe projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, ku përfshihen shkurtime të detyruara nga Trojka e huadhënënsve ndërkombëtarë të Athinës. Qytetarët edhe pse vuajnë pasojat e paralizimit të jetës, japin mbështetje të plotë për grevën.
“Kjo grevë na vjen në ndihmë, pasi nëse qëndrojmë në shtëpi, do të vijë një moment kur nuk do të na mbetet asgjë”,-thotë një pensionist. Një tjetër shprehet i pashpresë. “Duhet ndryshuar çdo gjë. Ndaj mendoj se kjo grevë nuk do të ndryshojë shumë”,-thotë ai. Kjo grevë është e treta në dy muajt e fundit, kundër paketës së kursimeve. Athinës i nevojitet miratimi i Parlamentit, në mënyrë që të marrë këstin e radhës së ndihmës financiare prej 31 miliardë eurosh nga FMN dhe BE.