Ashtu siç kishte paralajmëruar, qeveria greke dha licensën e parë të kërkimeve për naftë në detin e saj. Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Ekonomisë, Ndërtimit dhe Zhvillimit të Greqisë bëri me dije se ditën e diel 11 nëntor, fillojnë zyrtarisht kërkimet për naftë në hapësirën detare greke nga Joni Verior deri në jug të Kretës.
Kërkimet do të zgjasin 3 muaj e në vazhdim ekzekutivi grek do të tenderojë zonat me interes kërkimi. Bëhet fjalë për një sipërfaqe detare prej 225.000 kilometra katrorë, ose gati sa dyfishi i sipërfaqes tokësore greke.
Sipas kësaj ministrie, licencën e ka fituar kompania norvegjeze Petrolium-Geo-Services, e cila do të mundësojë gjetjen e karbohidrateve në det falë teknologjive tepër moderne që kjo kompani disponon. Anija e parë kërkimore quhet “Nordic Explorer”. Ajo do të nisë kërkimet në terren mëngjesin e së hënës në zonën veriore të Jonit, pikërisht në pjesën që Shqipëria i fal Greqisë me paktin e detit të firmosur prej dy qeverive, por të hedhur poshtë me vendim të Gjykatës Kushtetuese shqiptare.
Kjo marrëveshje nuk është marrë mbrapsht kurrë prej Greqisë, e cila thotë se do ta zbatojë në terren sipas hartës së rënë dakord midis palëve, derisa ajo të zëvendësohet prej një marrëveshje të re që palët do të bien dakord të implementojnë. Pak kohë më parë Top Channel zbuloi se është përgatitur drafti i një marrëveshje të re, e cila nuk prek në thelb të parën, duke i lënë Greqisë një sipërfaqe 200-250 kilometra katrorë det më shumë, pikërisht në zonën që tashmë Greqia ka tenderuar për kërkimin e hidrokarbureve. Burime nga Ministria e Jashtme i thanë Top Channel se në varësi të rezultatit të kërkimeve do të negociohet me Shqipërinë për këtë pakt. Pa dyshim që interesi grek do të bjerë nëse në këtë zonë nxjerrja e naftës dhe gazit do të kenë kosto të lartë, thane burimet. Sipas Ministrisë greke të Zhvillimit, ekspertet e fushës shprehen se në Jon dhe Kretë gjenden sasi të mëdha nafte, të cilat llogariten në miliarda fuçi./TCH