Grekët votojnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, rezultatet e të cilave mund të bëjnë që Greqia të rinegociojë kushtet e ndihmës ndërkombëtare. Partia e së majtës ekstreme, Syriza e cila pritet të fitojë zgjedhjet, kërkon që pjesë të borxhit të stërmadh grek të anulohen dhe masat e kursimit të mos zbatohen.
Këto deklarata kanë bërë që tregjet financiare të shohin me dyshim zhvillimet në këtë vend, pasi janë shtuar druajtjet e një daljeje të Greqisë nga zona euro.
Kryeministri në detyrë i Greqisë, Antonis Samaras, votoi në orët e para të se dieles. Samaras kërkoi mbështetjen e zgjedhësve të pavendosur për të mos ndryshuar kursin që ka marrë vendi.
“Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Sot ne vendosim nëse do të ecim të fortë përpara, me siguri dhe vetëbesim, apo do t’i futemi aventurave. Në këto zgjedhje një numër i paprecedent votuesish janë ende të pavendosur. Ata do ta thonë fjalën e fundit. Jam optimist sepse besoj fort që askush nuk dëshiron të rrezikojë kursin europian të vendit. Ne do të fitojmë!”, tha Samaras, pas votimit ne qytetin e lindjes, Pilos, në Peloponez.
Sondazhet e fundit i japin partisë të majtë radikale fitoren me 6.7 % kundrejt konservatorëve me 33.4% të votave. Por nuk mbetet e paqartë nëse Syriza do të mund të sigurojë 151 nga 300 vende në Parlamentin grek.
