Letër e nënshkruar
Shoqata e naftëtarëve
Në vitin 1936, pasi ishte vendosur nga qeveria e Zogut që vendburimi i naftës në Kuçovë t’i kalonte me një marrëveshje koncesionare shoqërisë italiane A.I.P, pati një revoltë të egër. Revolta erdhi në radhët e punëtorëve shqiptarë dhe si pasojë e kushteve jo normale të punës të ofruara nga kompania italiane. Në vendburimin e naftës në Kuçovë u pa shpejt që kishte diskriminim midis punonjësve italianë dhe atyre shqiptarë që duronin kushtet e vështira. Si pasojë e një neglizhence të qeverisë së asaj kohe dhe një mungese të legjislacionit, punëtorët shqiptarë ishin të pambrojtur, ndaj ata detyroheshin të punonin 12 orë në ditë, pa pushime javore dhe paguheshin më pak se italianët. Me gjithë mbledhjet që ishin bërë me përfaqësues të punëtorëve dhe të firmës italiane dhe parashtrimit të kërkesave nga ana e punëtorëve shqiptarë, nuk ishte marrë asnjë masë, madje ishin rënduar kushtet teknike të punës dhe sigurimit teknik të tyre. Për këtë fakt punëtorët shqiptarë më 11 shkurt të vitit 1936 u detyruan të hynin në grevë. Grevë që degjeneroi në dhunë fizike dhe psikologjike ndaj punëtorëve dhe familjarëve të tyre. Dhunë që u shkaktua nga njerëzit e qeverisë dhe xhandarmërisë së atëhershme dhe që u pasua me largime nga puna dhe me vendimin për të mos patur më punonjës shqiptarë në fushën naftëmbajtëse të Kuçovës. Bëhen plot 80 vjet që nga kjo grevë domethënëse e ndoshta dhe aktuale e punonjësve të Kuçovës. Grevë që pati jehonë të madhe në shtypin e asaj kohe dhe që ia vlen të përkujtohet sot si simbol i të drejtave të njeriut dhe të punëtorëve në përgjithësi dhe të naftës në veçanti në vendin tonë.
Nga naftëtarët e shoqatës së Shqipërisë: Veis Siqeca, Dhimitër Gjini, Nazmi Naska, Myfit Mema, Vangjel Rushi.
