Grifonët dalin nga shishja

Ornela

-Përsiatje për vëllimin poetik “Grifonë në shishe” të poetit të çuditshëm, Moikom Zeqo

Nga Bedri Islami

Grishja për të shkuar një libër për universin moikomian është e hershme, e ngulitur, gjithnjë e perceptuar si një udhëtim nga e Panjohura dhe Verbuesja, një ide që ka qenë përherë e pranishme tek unë, duke përfytyruar atë koleksion të gjallë, të larmishëm, unitar dhe diabolik njëkohësisht; mesazh që më shumë më ka shpënë tek e ardhmja se tek e shkuara, përplasje Mendimi dhe Vizioni si ndodh me dallgët në koralet e gjelbra; një ngarendje e çuditshme, përmes kohës, hapësirës dhe perceptimit; një dalldi shpesh e egër dhe më tej se kaq, kujtesë zjarrpërtëritëse dhe shpërthyese, e hapur dhe, në të njëjtën kohë, misterioze.

Ky – poet filozof dhe filozof poet, nuk më ka lënë asnjëherë të sodis, të qëndroj i huaj, apo i jashtëm, ftohtësirë akullnajore; në të kundërtën, si është pritur, ai të sjell momentet shpërthyese, drithëruese, më shpesh kryengritëse dhe djallëzore, ngre krye përmes përplasjeve, dialog i pafund me kohën e shkuar dhe parathënës i kohës së ardhshme, i pakufizuar, pasi kufizimi është marrëzi; i pathyeshëm sepse thyerja është nënshtrim; kërkues pasi kërkimi është etja e tij e pashuar; kryengritës sepse e urren përuljen, skeptik pasi dashuron marrëzisht të pazakontën, njeriu që nuk hesht sepse është në të drejtën e tij për të mos heshtur; përmbysës i normave dhe strikteve galaktike, në fund të fundit, arsyeja për të besuar në mitin sizifian të poezisë, prozës, meditimit, esesë, shkencës, politikës, filozofisë,artit, miqësisë.

I veçantë në llojin e tij, ai është i paimitueshëm, megjithëse idetë e tij, pasi marrin fillesën-bulojnë tek të tjerët. I dëshpëruar dhe i gëzuar njëkohësisht, i dashuruar marrëzisht dhe krijues i një perandorie të pashoq, që nuk gardhohet dot dhe as nuk mund të ishte e sajuar, përtëritës migjenian i një bote tjetër lloj dhe risjellës i kumtit të Gjon Buzukut, De Radës, Mjedës, Poradecit, njëjtë si sjell ankthet e pa-uruara të Apolinerit, të Hajnes, Erazmit të Roterdamit, i lidhur me magjitë e poezisë së tij – nga hutimi i së bukurës – zërat që i dëgjon nëpër shkulmimin e detrave – baladat që kumbojnë nëpër tisin e natës – brengën e varrit të Buzukut – si një kumtesë e përshpirtshme jashtë kambanareve – surealizimin e çuditshëm si mjellmë e përgjakur- gëzimin e jetës të Horacit – gjurmët si ecja e ngadaltë në rërën e Currilave – poezinë hebraike dhe vrapimet e gazelës në brigjet e Nilit – një stil deri në çmenduri lakonik dhe kumbimi i ecjes së Hygoit nëpër natën e kishës së Zonjës Tonë parisiane – imazhet që vezullojnë dhe , në fund, vdekja, si substancë e filozofisë me përsiatjet për qenien apo mos qenien.

Poezia është ekzistenciale deri në thelbin e Mosqenies dhe të Verbimit, nëse filozofia ideon, poezia jetëson.

Përtej tyre nuk ka më asgjë tjetër thelbësore, janë lëvozhgët që bien nga kumti i moteve, përplasjet ballshëm me njëra-tjetrën në këtë ankth diellor, ekstazë të pafund, diell dhe shpresë.

Shpesh herë poezia moikomiane të duket se është shkëputur nga traditat hebraike të Dhiatës së vjetër, herë tjetër është si rrjedhje burimore nga himnet fetare të Asirianëve dhe Egjiptianëve të Vjetër, më pas përplasen me poezitë e dashurisë së këtij trualli të habitshëm, deri në Mosbesim se mund të ketë qenë, zanafillë e kohës në Fillimin e ngritjes së gjërave, kthjelltësim i dashurisë, Pasjetë e panjohur dhe enigmë danteske – ku, në cilin rreth të ferrit do të jenë poetët, apo e Nëndheshmja ka përgatitur një parajsë të veçantë për to, zbërthim i kodeve të lashtë si në papiruset egjiptiane, hyrja triumfuese e Jezu Krishtit në Jeruzalem, endja mosiane e çifutëve nëpër shkretëtirë pa e ditur asnjëherë cakun ku do të ishin një ditë dhe shpërndarjen si kokrrat e orizit nëpër botën e gjithandejshme…dhe çuditërisht , një dituri që dikur është quajtur “dituria solomonike”.

Kufiri mes poetikes së madhërishme dhe konkretes së habitshme bëhet herë-herë i padukshëm, por nuk është vetëm kjo. Poezia e Moikomit të çon, me hir a me pahir, tek ideja e Ekzistencës apo e Mosekzistencës në raport me vetveten, me dëshirën, në raportet midis sendeve dhe pamjeve, dëshirës së hershme dhe mosarritjes së Ëndrrës – sa ëndrra kemi humbur në këtë rrugëtim të pashoq; në fund të fundit ai, si ndoshta askush tjetër në poezinë shqipe ka bërë Riformatimin e saj.

Për Moikomin, si për Çomskin, nuk është e rëndësishme se çfarë mbulojmë, por se çfarë zbulojmë. Duke mos e njohur kufizimin, nuk e tjetërson hapësirën; duke u endur në hapësirë – krijon përmasën e tij të veçantë- i egërsuar me vetveten – qetëson të tjerët – tiraninë e fjalës e vë në përmbysjen e tiranisë së kufizimit, marramendës si pak kush ka gjithnjë mendimin se fjalët nuk duhen mbajtur benda vetes ,por duhen shpërthyer; poezia e tij ka bërë ridimensionimin e saj. Eksplorues – që nga një reliev babilonas deri tek e kuqja e ndezur e Onufrit –  poezi tunduese në lëmin e fjalës – hutues i të papriturës.

Nëse ai ka mendimin se: Ssecili njeri ka disa statuja brenda vetes, ato të paraardhësve të vet”, nuk e di se çfarë fshihet në brendësinë e tij, të shkuarit e shumtë janë të plotfuqishëm, tiranë në shpirtin e tij dhe nga kjo tirani e përbotshme ka lindur një poezi sui generis.

Dikur filozofi i vjetër grek Taleti ka thënë se të gjitha gjërat janë të mbushura me hyjni: enigma ime është se ku qëndron hyjnia e Moikomit.

Poezia është thelbi i tij. Ai është i mbushur me një hy të tillë.

Në fund të fundit, ai është poeti që nuk i ka interesuar kurrë vetvetja, por e vërteta. Ka qenë princ dhe Skllav i të Vërtetës. Profet dhe shërbëtor i saj. Kryengritës dhe i Përulur. Mendim i saj dhe Fjalë Masakruese. Atlantida e dalë nga humbësira e ujërave dhe i Rebeluari i fjalës.

Nga të gjitha këto ka dalë poezia e tij.

Hyrja në këtë botë të veçantë, shpesh herë përrallore e tronditëse, ka shkuar nëpër vrarëmendjet e habitshme për gjuhën shqipe, me gjoksin e kthyer nga e kaluara dhe shikimin drejt ftillëzimeve që nuk përfundojnë asnjëherë. Ka ecur drejt origjinës për të shkuar drejt së ardhmes. Ka lëvizur në njërin kah dhe ka mbërritur në një kah tjetër.

Këmbëngulja e tij për të ecur nëpër skajëzimet nuk ka përfunduar asnjëherë. Ajo ka qenë një pasion dhe njëkohësisht një heroizëm i fshehur.

Ai thuri ngadalë, në më shumë se një gjysmë shekulli, në avlëmendin e tryezës së tij, atë shtrojë dhe mbulesë të panjohur në poezinë tonë, që nuk imitohet substancialisht, por përhap idetë nëpër detarinë tragjike të poezisë.

Poezia e tij të trishton e të gëzon në të njëjtën kohë, të përmbys mendimin dhe të ngjall dëshirën e rebelimit, të bën të padurueshëm nga etja për dashuri dhe të ngjall tragjiken nga mungesa e njeriut që do, që duke e dashur në një gjysmë shekulli, e ndjen se mungesa e saj, një mungesë poetike është gjithnjë e më tragjike me kalimin e viteve.

Poezia është katharsisi i tij. Tentimi drejt së Panjohurës dhe Misterit është rendja e tij.

Ka kërkuar atë që nuk e ka gjetur dot dhe befas ka gjetur atë që nuk e kishte kërkuar kurrë, as ai vetë dhe as të tjerët përpara tij. I drobitur dhe i stërlodhur, ndryshe nga Sizifi në legjendën e tij, ai arriti që të lartojë gurin e madh në majën e lartësisë ku kishte synuar.

Poshtë tij shtrihet kontinenti i ideve, ishujt mes hapësirës së tij janë poezitë që kanë lidhur librat e tjerë.

Fjalët, idetë dhe liria kanë sjellë mbijetesën, më së shumti ka ndjerë disfatat e paturpëta se sa gëzimin e fitores, i ringritur nga lënda e shqetësimeve të prushta dhe prometike, nuk qetësohet dot dhe, si duket, qetësimi i tij do të jetë një tjetër ngjarje e largët, pasi ende nuk e ka shtjelluar gjithë atë që e ka formësuar, në fund të fundit, ai është poeti që është rebeluar gjithnjë, por që nuk e ka ndër mend, nga lodhjet dhe stërmundimi të bëjë harakiri në poezinë e tij.

Diku, në librat e tij, Moikomi, duke shkruar për traditën e Buzmit bujar, domethënë të Kërcurit të posaçëm të zgjedhur dhe prerë me anë të një rituali në pyll për ta vënë në zjarr të vatrës në kullë për Natën e Solsticit të dimrit se:, “Është e habitshme që kulti i një druri të thjeshtë si ai i Buzmit triumfonte ndaj pishës së krishtlindjeve që u bë një traditë universale në pragun e festës së Vitit të Ri”.

Më ka tërhequr gjithnjë ky mendim i mëvetshëm, nuk e di përse e kam perceptuar atë gjithnjë si një gjë e pangjashme me poetët, por e kam ditur që në Fillimin e Gjërave se poezia e Moikomit është si ai Buzmi pagan, i shfaqur sot në tjetërsime poetike, të pa-mundura në pamjen e parë, por të jetësuara mrekullisht.

Nuk mund të kuptohet arti kinez pa trinitetin, poezi, kulturë, filozofi, ka shkruar Moikomi.

Arti i Moikomit, po ashtu, nuk mund të perceptohet pa poezinë, kulturën dhe filozofinë.

Trinia e shenjtë e Moikomit shpesh herë ka thirrur në ndihmë  domosdoshmërinë e raportit mes Ngjashmërisë dhe Pangjashmërisë, praninë e Zërit apo të Heshtjes, Brendësinë dhe të Jashtmen, qytetërimin e Lashtë pellazgjik dhe enigmën e lashtësisë së misterit të largët të qytetërimit marramendës  kinez.

Poezia është rrënja e tij. Degët e tjera u kacavarën nëpër degët e saj dhe, nëse disa herë ia kaluan asaj, kjo nuk e përul pemën e ngritur me mund, përkundrazi shton ngjyrat, e bën me ekzistenciale botën moikomiane dhe përmbys përdallimet e rënies.

Njëri ndër librat e tij të fundit, mrekullisht befasues dhe ornament i mendimit është “ Grifonë në shishe”.

Në fakt, Grifonët kanë dalë nga shishja.

Ndryshe nga Frederik Reshpja, i larguari i madh i poezisë shqipe, unë hyj tek ata që ende mendojnë se Moikom Zeqo është një poet i çuditshëm. Sikur asnjë shenjë tjetër të mos kisha, do ishte krejt i mjaftueshëm ky libër poetik, “Grifonë në shishe”, si një ardhje tjetër e beftë, trazuese dhe joshëse e poezisë sonë, dëshmi e vetvetes, krejtësisht i veçantë, ndërthurje e fjalës dhe e muzikës, me një mister proçesor të tingujve, që në linguistikë janë zanore dhe bashkëtingëllore, në fund të fundit shpallja e një zhanri të ri të poezisë dhe të partiturave transcendentale të Scriabinit.

Te këndi i Mosgjësë ka veç pluhur.

Ç’fuqi okulte i shndron pamjet, që shoh.

E ardhmja ime është në qiell,si shiu,që s’guxon të bjerë?

Më tej….

Shtatë era më thërrasin.

Por unë s’ju përgjigjem.

 

Dhe dhimbjet e botës.

S’kanë kujtesë..

..

Altarët janë,

Por mesha s’ka!

Më tej…

Vjen çasti i hidhur,kur unë në tërë pakohësinë e Vdekjes kërkoj brigjet dhe shtigjet, që shfaqen dhe zhduken, për t’u shfaqur dhe zhdukur përsëri, kërkoj portokajtë dhe statujat digjitale, që më rrëshqasin mes gishtave, s’i kap dot, – kërkoj Qytetet e Lulekuqeve dhe shijen e opiumit, për prehjen e paskej dhe dashuritë e Ëndrrës!

Trazimi i tij fillestar në këtë libër të madh është si të gjejë në këtë vorbull ekuilibrin e ankthshëm, ku shegët e vetmuara në mal, që nuk i pa askush, janë si Kishat ku mungon Zoti përgjithmonë!, mes thyerjes dhe harmonisë, ku synon ngritjen e një kontinenti që nuk ekziston; mes muzikës dhe klithmës,  ku fara e Utopisë krijon argjendin për Hënën e re; mes hirit dhe yllit të ndezur, ku jargavanët lëshojnë tërë aromën e tepërt të Ëndrrave të Dikurshme!

Jam krejt i një mendje me Frederikun e Madh të letrave shqipe, Reshpjen, se: “ Moikom Zeqo njihet si një ndër shqiptarët më të kulturuar të të gjitha kohërave” dhe se: “nga një poezi e Zeqos mund të nxjerrësh 100 vjersha”.

Në perceptimin tim për poezinë moikomiane unë shkoj edhe më tej. Jam i bindur se ai është poeti më i çuditshëm i letrave shqipe. Por jam i një mendje me Reshpjen se: ndryshe nga mendimi i Skender Drinit, një tjetër i larguar i madh verior, ai është thellësisht i kuptueshëm; i kuptueshëm tani e ndoshta edhe më i kuptueshëm për brezat që vijnë. E di fare mirë përse më është ngulitur që kjo poezi do të jetë Grali i shenjtë ku brezat do të punë fluturimin e ringjalljeve tona.

Do të ndodhë kjo sepse, më shumë se i ditës së tashme, ai është poet i së ardhmes. Kur mendja të jetë primare dhe shijet konceptuale. Kur thirrja poetike, Jepmë urdhër-të fluturoj –me të gjitha tufat e dallëndysheve të botës – është e sigurtë – se rrugën e kthimit do ta di – me siguri! do të jetë e kuptueshme jo më si një metaforë, dhe ai është mjeshtri i madh i tyre – por si një grumbull vetëtimash që shndritin në mesditën e Vjeshtës.

Moikomi është në fakt një poet i veçantë, ndër të veçantët e letrave shqipe – ai është më i veçanti, ndër ata që bëjnë udhën e kësaj poezie është i papërsëritshëm, zë unitar, i gjithë-çastshëm, depërtues dhe i pandalshëm, që, ndërsa ka thyer disa mure hapësinorë, është i gatshëm, që, duke bredhur jo nëpër majat e gishtërinjve, por me shakullimë, të sjellë dimensionet e zhuritura të mallit, të hapësirës, Zotat e rastësisë që janë të panumërt, Vizionin e Pamasë, ku ndërthuren dhe mpleksen Jeta dhe Vdekja, Fati dhe Zotrat, Universi që lëviz dhe rrjedh përmes syve dhe Asgjësë, shkëlqimet e fjalëve plot dyshime brenda, shpejtësia e Ëndrrës përtej Ekzistencës, klithma në trojet e Heshtjes , dhe, përtej tyre dhe sëbashku me to, krijon një Religjion të ri poetik në nënfatin e poezisë shqipe, që të kapërthen, të rrëmben e të shqetëson përmes njëmijë vjeshtash njëkohësisht.

Të futesh në këtë Religjion të hapur poetik, ku portat janë shkallmuer prej kohësh dhe dekadat kanë ngritur sipëroret e ngjitjes, mund të të duket lehtësisht e arritshme, por dalja nuk është po ashtu. Në ujërat e detrave jugorë ku plakat e Dhërmiut kanë profile shekujsh dhe vetë Dhërmiu të ngjan si Whitmani, me kapele resh në duart e rreshkura, atë e zë gjumi tek një univers, që vdes, kur zgjohet.

Dhe njëqind jetët e mia të dikurshme

I fal veç për një ditë mrekullish!

Për një ditë , – jashtë kohës, –

Të Vetmisë, që urtëson stuhitë!

Të futesh në këtë religjion të madh poetik që është krijuar jo nga Mosgjëja por nga Gjithëdija, fillimisht duhet ta perceptosh qartas se në këtë botë të plakur, e njëkohësisht në Fillimin e Ngjizjes, nuk ka libra të rinj, por vetëm libra pa moshë dhe ky, “Grifonë në shishe”, si duket do të jetë i pamotshëm dhe i gjithëkohshëm.

Si befasisht, pa e ndjerë, kohë mitike apo reflektim i së nesërmes, vjen çasti i mahnitshëm i ujërave poetikë, të cilat shndërrohen në kopshtet e ngazëllimit; vjen çasti i pabesueshëm, por, përmes poezisë njeh dhe prek Apostujt e vegimeve, si tek Ekzikieli ( 6:16), kur një fjalë e vetme të duket si zjarret e vegjël ndezur në kujtesën njerëzore dhe pakohësia e vdekjes kërkon brigjet dhe shtigjet, që shfaqen dhe zhduken, për t’u shfaqur dhe zhdukur përsëri, dhe, krejt në çastin e mbramë, sëbashku me të shenjtët e poezisë shqipe, vjen zëri i poetit, si një nimfë vetëtimore, me petka lulesh veshur, ndërsa kuajt jeshilë hingëllijnë nën pjergullat e stërkalave të dallgëve.

“Grifonë në shishe” të afrojnë gjithçka mund të të sjellë një libër poetik, një zhanër të ri të poezisë moderne dhe, për më tepër, postmoderniste; një libër të Reales – e cila kërkon të shfaqë përherë pamjen tjetër të saj në një Univers të ri, qoftë i mrekullueshëm a i tmerrshëm; të të afrojë paradokset e metaforave sublime, me të cilat ndërton një kozmologji të intimiteteve efemere, dhe, si ndodh gjithnjë në librat e tij, të Përjetësisë, e cila reflekton po aq Fundin sa edhe Fillimin.

Është një erë e çuditshme që sjell një stuhi madhështore.

Kur ai ka hyrë në rrugën e poezisë, student, është menduar se mund të ishte një dallgë e oqeanit poetik.

Nëse aso kohe ishte e vërtetë, tani është e mangët. Ai vë në lëvizje dallgët, forca e shtytjes vjen nga mendimi dhe lirshmëria e vargut vjen nga shpirti.

Është demon që qetësohet pasi ka hedhur zjarrin e tij dhe është ide që nuk zaptohet lehtësisht.

Fuqia e Njeriut rritet – dhe mbërrin tek yllësitë!

Dhe hapat – e një Pasardhësi, -që tani –ndihen-në sallonin-e shtëpisë time-të vjetër- në Durrës.

Si quhet ai?

Nëse ka ardhur – nga e Ardhmja- me sytë e mjegullt,-s’ia shoh-dot fytyrën.

Dhe ai – vazhdon të ecë, – mes librave,- dhe pikturave,-sheh foton në mur,-ku  unë kam dalë,- me nënën dhe babanë,-dhe mendon,- për t’u rikthyer – tek yjet!

Besoj se kjo ide, rrënjë budiste e vazhdimit të jetës dhe e përsëritjes së saj, e ka ditur gjithherë e nga do të shkonte, herë pas here të shtyn drejt humnerës poetike, herë të tjera drejt së Panjohurës.

Atij i shndrit në duar, si një grumbull vetëtimash, mesdita e Vjeshtës, duke sjellë ndër mend Buzukun, njërin nga të përkëdhelurit e tij të mëdhenj, që ka lëshuar hijen e tij si anije zbulimtare e kontinenteve. Është i njëjtë me stërgjyshërit e tij piratë, njëkohësisht flakërim i madh i tribunës.

Të duket sikur Moikomi, përmes këtij libri, ka kaluar njëherësh, nëntë radhët sketerrorë të Dantes dhe botën e dhunshme, të përgjakur e plot muzikë të Shekspirit; labirinthet plot enigma të kafkës dhe rikthehet në Gralin e tij të Shenjtë; ka shkuar në të djeshmen e lemeritur dhe në të Ardhmen qiellore; ai, ashtu si shiu që nuk guxon të bjerë, është kapluar në fantazitë e Edgar Allen Po-së, por nuk i ngjan atij, sepse ndryshe nga shumë të tjerë, mundimshëm ai ka ngritur në këtë libër Babiloninë e Ëndrrave.

Përse është kaq i veçantë libri poetik “Grifonë në shishe”, çfarë sjell ai në botën e madhe të poezisë që i mungon asaj dhe që ishte e vështirë, peshë e rëndë të sillej?

Mendoj se mbi të gjitha është Ëndrra poetike.

I gjithë libri është përshfaqje ëndrre në një tru të nxehur nga flaka e mendimit, metaforës, dijes, shkëlqimit, enigmës, imagjinatës substanciale, fatit, humnerave yjësore, krijimit të një bote subreale përmes mendjes, endjes së rrokupujshme të historisë, Virtytit dhe Lemerisë, e gjitha përmes fjalës dhe muzikës së heshtur, si paradhoma e heshtur e një salle të stërmadhe të koncerteve simfonikë.

Ai ka krijuar botën e tij, gjysmë parajsore, gjysmë thellësisht njerëzore, ngre tempujt nga asgjëja dhe Asgjënë vetë e kthen në qiejt mbi Klepsidrën për rërë të Ëndrrës; kërkon ekuilibrin e ankthshëm, mes thyerjes dhe harmonisë, mes muzikës, hirit dhe yllit të ndezur; rikthen Profetët dhe asgjëson Apostujt, dhe, të gjithë këtë, duke vërshëllyer mbi kaçubën e Kohës një testament shumë të vjetër.

Shumë kohë më parë, persiani i ditur Omar Khayyam pat shkruar se historia e botës është një shfaqje që Zoti, Zoti i shumëfishtë i panteistëve, projekton, vë në skenë dhe sheh, për me kënaqë përjetësinë e tij.

Kësaj here Moikomi bën shfaqjen e tij për me kënaqë hyjnitë e tij demoniakë dhe të urtë, shenjtorët e fjalës shqipe dhe të dërguarit fuqiplotë të fjalës së mençur.

Nuk e di se cila është ëndrra e tij në këtë libër, nga më të çuditshmit e poezisë së tij të çuditshme, por kam krijuar bindjen se misteri është njëra prej tyre; universi ka vendin e tij domosdo, pastaj, si nga një zgafellë humnerike, vijnë shumë të tjera, që, duke u përplasur me njëra tjetrën, krijojnë vorbullën e pashmangshme, përmes të cilave, ëndrra, si autor shfaqjesh, krijon atë që, duke shekuj më parë, Addison-i e ka thënë me shumë saktësi, se “Shpirti kur ëndërron, është teatër, aktor dhe auditor”.

I gjithë ky libër është një ëndërr poetike, e mahnitshme dhe e krijuar përmes një poezie erudite deri në kufojtë e së pamundurës, por thellësisht një ëndërr, dhe, si i tillë, ai të shfaq vegimin para dritës e më pas, dritën para territ, duke ecur në mbrëmjen e gjatë përmes një shumësie metaforash poetike, të cilat të ndalojnë, të bëjnë të mendohesh dhe , në fund, të përkulesh.

Unë i përkulem këtij libri!

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Une me mire po lexoj rrapsodin popullor ARBEN DUKA,se sa te lexoj gazeten e murit te klubit te rinise Herojte e Vigut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *