Moikom Zeqo
Çdo fjalë për mua është një hartë e Shpirtit.
Vetvetiu Poezia është Aventura e Udhëtimeve të Infinitëshme.Përherë më kujtohen vargjet e Beranger-it:
Je suis, je suis Juif Errant,
Qu’on tourbillon toujour emporte !
Sans vieillir, accablé de jours,
La gin du monde est mon seul réve.
që në shqip do të tingëllonin kështu :
Unë jam, unë jam Hebreu Endacak,
I ndjekur nga vorbullat e erës
Asnjëherë i mplakur, as i kërrusur nga kohërat,
Fundi i botës është ëndrra ime e vetme!
Poezia përherë dëshmon për vetveten.
Vetveten simbolizmi e ka strukturuar si një program semiotik, sipas kategorive triadike të simboleve, sipas Charles Peirce-it.
Formësimi i këtij libri është bërë si një situatë dhe komunikim muzikor.
Imazhi fabulor i grifonëve në shishe më ka shqetësuar pambarimisht, me një intimitet shpërthyes tingujsh.
Për Levi-Strauss-in muzika e bën njeriun të vetëdijshëm për rrënjët e tij fiziologjike dhe mitike u jep themelet shoqërore thelbi të tij.
Përdorimi kultik i zërit njerëzor është habitërisht i ngjashëm në tërë planetin.
Të kënduarit japonez shomyo, që bën pjesë në ritualin budist, mbështetet mbi shkrimet kineze dhe sanskrite dhe përbëhet nga fragmente të shkurtra melodike që bashkohen për të formuar një këngë të plotë.
Ajo ngjan, madje, sipas Eero Tarastit, është bashkëkohore me këngën polifonike gregoriane, ku gërshetohen dy stile, ai deklamativ dhe melizmatik.
Përveç kësaj, të kënduarit shomyo dhe kënga gregoriane përdorin shkrimin neumatik.
Libri im është i ngjashëm me një mister procesor të tingujve, që në linguistikë janë zanore dhe bashkëtingëllore.
Libri është përpiluar nga dorëshkrimet e mia të viteve 1995, 1999, 2005, 2006 dhe 2012.
Tekstet poetike janë bërë në grafikën shkrimore, duke dëgjuar shpesh muzikën e Aleksandër Scriabinit.
Studiuesit kanë shkruar për të ashtuquajturin “akord mistik” të kërkuar tërë jetën nga Scriabini.
Ndër përpjekjet inteligjente të muzikës së shekullit XX, që tingujt të prodhonin ngjyra qe edhe poema simfonike “Prometeu” e Scriabinit, i cili e bëri pianon me drita, “tastiera di luce”, e cila i tregonte ngjyrat, përpara se të përfytyrohen.
Në të vërtetë parimi i “tastiera di luce” mbështetet mbi një analizë të strukturës tonale të veprës.
Në planin muzikor “Prometeu” mbështetet tek një akord, që përbëhet prej kuarteve të zvogëluara, të pastra dhe të zmadhuara, të cilat mund të transportohen në gradë të ndryshme.
Përshtypja dëgjimore, që jep një muzikë e tillë, i përgjigjet funksionit të dominantes së pazgjidhur, ngjyra e së cilës përforcohet me anën e orkestracionit, pianos dhe korit, që përdoret si element ngjyre (njëlloj si kori i “Sirenes” të Dedussy-së).
Në fund të veprës, akordi i “Prometeut” zgjidhet mbi Fa Mazhor në kohën që ngjyrat mbyllen në ngjyrën blu.
Në Muzeun Scriabin në Moskë është ekspozuar një mekanizëm i thjeshtë, një rreth druri, i pajisur me llamba me ngjyra të ndryshme.
Gruaja e Scriabinit duhej t’i ndizte, apo t’i shuante ato, kur burri i saj luante në piano.
Scriabini e quante veten si një muzikant sinestetikan.
Përpara Scriabinit dhe një tjetër muzikant rus Musorgskij, njësoj si dhe Rimskij – Korsakov u jepte harmonive melodike funksione ngjyre, duke i paraprirë impresionizmit.
Por përveç sinestizisë intuitive në muzikë ekziston dhe sinestizia poetike e fjalëve dhe metaforave.
Në një kuptim abstragues, pra më universal “Grifonët në shishe” janë Arkivë muzikore dhe njëkohësisht pikturike (pamore).
Dhe përsëri më del përpara syve Hebreu Endacak.
Dhe unë përsëris vargun proverbial:
Je suis, je suis Juif Errant.
Çdo qenie mund të paraqitet si grifon, pra si maskë sublime e shumë maskave të rëndomta biomorfe.
Dhe grifonët dinë të shndërrohen në muzikë dhe në libra, mes njëmijë horizonteve me ngjyrë të pavdekshme dhe efemere !
Moikom Z.
Tiranë XXI.XI.MMXVIII
KING KONGU ULËRITËS
Pse tek floknaja e kësaj vajze
Fle acari i një ndarjeje?
Dhe portokajtë ëndërrimtarë
Lëkunden në ekstazat e majit!
Po unë jam i lidhur i tëri
Në duart dhe në këmbët
Nga fijet gati të padukshme
Të Parkave!
Bari jeshil mbush kllapinë
e pangushëllueshme të humbjes!
O, King Kong ulëritës
Tërhiqe karrocën e arkivolit tim!
Tiranë 2012
BRIGJET PA DET
Ah, Eldoradoja e Vjeshtës ka flori të rremë.
Vikingët vdiqën dhe anija prej mermeri e Hënës ka ngecur në brigjet pa det.
Udhëtari i verbër është shëmbëlltyra e hapësirave pa busull
Dhe një ide kryeneçe kafshon zambakët si lotofagët, që s’janë më!
Durrës 2012
KATEDRALJA SURREALISTE
Këtu era e ndalur në vend befas bëhet pemë e lulëzuar.
Dhe ëndërrat i kam Revolucione të Imagjinatës!
Dhe Dikush i urdhëron meteorët si çeljen dhe mbylljen e shatrivaneve në park!
Me flokët e tu, e dashur, e ngre një katedrale surrealiste, po pa asnjë krishterim!
Durrës 2012
EPITAFI I POETIT YEATS
Lexoj epitafin e poetit Yeats:
“Kalorës,
Hidhi një sy Jetës dhe Vdekjes,
Pastaj ec dhe vrapo!”
Për një Magnus Opus s’më paguan askush
Me monedhat eskarbukle të Babilonisë.
Dhe Isisi pa vello më flet mua
Me gjuhën gjithë ndjesi dhe cilësi të imazheve.
Ah, krifat e kuajve Hoym,
Që janë kuajt e Guliverit të Swiftit!
Trokasin thundrat dhe ëndërrojnë
“Kthinat Qiellore!”
Tiranë 2012
SQIMA E VETMISË
E ndjej dhe e kuptoj
Sqimën e vetmisë
Se zambakëve të bregdetit,
Nën flautin e muzgut!
Dhe jam me gëzimin bohem,
Që ëmbëlsojnë hidhësinë
E mijëvjeçarëve
Prej bronzi!
Dhe lulëzon
Kopshti im i trëndafilave,
Rrethuar nga kangjellat
Prej argjendi të shiut!
Durrës 2012
MURGJIT ASKETË TË TEBEADËS
Fikun egjiptian
Të quajtur sikomor
E gjeta të mbirë në Himarë
Dhe heshta i nemitur!
Ah, sikur
Ta ndëshkoja veten,
Ose më saktë
Të shkulesha nga trupi im!
Dhe murgjit asketë të Tebeadës,
Veshur me lëkura cjepsh,
Klithin me sytë e verbër:
“Ku je, ku je o Zot?”
Himarë 2012
UNIVERSI I MËRGUAR NË INFINIT
Në kufirin midis blusë dhe të portokalltës
Rriten jaseminë!
Gjethëron e Nesërmja nëpër kapriatat
E ndryshkura, të uzinave të braktisura.
Dhe shtrëngatat
Janë flokë floripërhapëse,
Të tingujve,
Në katedralen e prillit!
Dhe unë s’i lexoj dot më,
Emrat e Zotave paganë,
Si emrat e planetëve,
Të një universi të mërguar në Infinit!
Tiranë 2002-2012
KRISHTLINDJA E DETEVE
Para syve të mi bjen këmisha e grishur nga rrufetë e Vjeshtës.
Ç’zë më vjen, që nga shkretëtirat tartare?
Kam mbetur dhe s’dal dot nga nata e brendshme e stomakut të uritur të miteve.
Ah, metafora është Kaini, i cili më vret vëllazërisht!
Shtrëngata u ngrit lart si Krishtlindja e deteve!
Durrës 2012
ERËRAT E KRESHPËRUARA
Deti vjen të lulëzojë në oborrin e shtëpisë, i shndërruar në miliarda lulekuqe!
Dhe unë i zgjas ca pandehma si bishta kometash dhe kënga e një mëllenje lëviz nëpër ëndërra.
Dhe realiteti është si një legjendë e aksidentuar.
Dhe Kujtesa është i vetmi ushqim në gavetën e të burgosurit!
Dhe erërat e kreshpëruara më nuhasin mua me hungërima!
Durrës 2012
ZËRAT E MI SI BISHA TË VOGLA
Këto hingëllime mëzash kush i përkthen
Me gjuhën sekrete të Lisit të Dodonës?
Unë jam trenisti, që nget lokomotivën
Me vagonët e muzgjeve elektrikë.
Ashtu si fëmijët i urrejnë orët
Që na largojnë me shpejtësi nga Fëminia!
Dhe mbajmë në torbat prej shtrëngate
Njëqind hamendje për të gjetur Eldoradon!
Dhe zërat e mi shpërndahen me cijatje
Si bisha të vogla nëpër vreshta!
Gaudeamus igitur
Juvenes dum sumus!*)
Durrës 2002-2012
* Le të gëzojmë
Deri sa jemi të rinj” (në latinisht)
NOMATISJA E SHENJTË
Kjo drizë me gjemba është Kimera!
Kush e zhvesh gjer në asht Nikën e Samothrakës?
Dhe ëndërra e gurit është Ajri Fantazmë.
Dhe Kimera ulërin mbi dallgë!
Të trillosh Marrëzinë është si të bësh
Prej trëndafilit një kriminel galere.
Por Artur Rembo më ka sëmurur mua
Me bacilet e metaforave rebele!
Rishfaqet Majakovski i vetëvrarë
Si albatros synxjerrë i shtrëngatave.
Dhe popujt e vdekur për t’u ringjallur befas
Presin nomatisjen time të shenjtë!
Durrës 2002-2012
NË INFERMJERINË E SHEKUJVE
Kreshtat e kuqe të këndezëve
I bëj erashka për Mona Lizën,
Në vapën e padurueshme
Të Harresës dhe të Hiçit!
I fal këpucët e mia
Krishtit Këmbëzbathur!
Vrapoj në Infermierinë e Shekujve,
Për t’i bërë gjilpërën kundër tetanosit.
Janë shtrigëruar Sibilat e Bogdanit,
U kanë dalë gjemba nga poret e lëkurës
Dhe nga goja i nxjerrin jashtëqitjet
E shtazëve fabulore të Ferrit!
Durrës 2002-2012
SI TA PUNËSOJ LUÇIFERRIN?
Diskutoj me Bertold Brehtin
Për teorinë e teatrit, për dramaturgjinë,
E sendeve, yjeve dhe gjetheve në erë,
e salamandrave dhe vetëtimave!
Me flokët e mi fshij këmbët e baltosura,
Të engjëjve qiellorë, që më kot zbritën poshtë.
Si ta punësoj vetë Luçiferrin
Si mëditës tek mulliri i së Vërtetës?
Dikush shekullin XVI e ka hedhur tej
Si një orë muri të thyer befas
Dhe ashensori ngrihet si zhiva e termometrit
Nga ethja e papritur e trupit tim!
Durrës 2002-2012
FATI TEATROR I SILUETAVE
Mistika hulumton Absoluten dhe kudo dëgjohet e qeshura sardonike e formulave.
Fati teatror i siluetave na sundon shikimin.
Dhe Hidhërimi na shtrëngon me kthetra salamandre!
Njeriu është si mobilja e braktisur, brenda një shtëpie të mbyllur të Qenies!
Dhe fjalët kudo i refuzon Pafundësia kryeneçe!
Tiranë 2012
FRYMËMARRJET E MBRETËRVE ILIRË
Koha, akumulimet e Metafizikës, më çojnë tek fjalori plastik i një gjuhe alienësh.
Si t’i çliroj nga mermeri dhe bronzi frymëmarrje e brendshme të mbretërve ilirë?
Lirizmi kontrolluar i Vdekjes më mbështjell me ngjyrat pa vetëdije.
Sende të ndriçuara me ndjeshmëri përvëluese!
Skandale të surrealistëve që më gërvishtin Kujtesën!
Ferri me krijesat e tij, ka hyrë dhe banon në telajo!
Tiranë 2012
ME GJUHËN PREJ KOMETE
Në trupin tim i mbyll
Peizazhet apokaliptike!
Dhe me gjuhën prej komete i shijoj
Si mollën e kafshuar vetë planetin.
Dielli është shtaza e hyjnive,
Mbrehur tek parmenda e ditënetëve,
Dhe unë jam padyshim një kale
Ngjizur nga babai mal dhe nëna Hënë!
Dhe oqeani është një dinozaur,
Me luspa lëvizëse dallgësh!
Trafiku i makinave luan bilardo
Me tri bilat e semaforëve në sheshe!
Durrës 2002-2012
PAZMORJA E AKILIT TË RI
Shoh në terr sisët e Afërditës së Asgjësë
Dhe Vjeshta e sëmurë e Apolinerit ka plagë të arta
Zeniti bjen si çekan mbi kudhrën e Hënës,
Për të farkëtuar parzmoren e një Akili të Ri.
Ç’Meshë e Zezë e trandafilëve të masakrës,
Rriten pyjet e një Religjioni Blu.
Mes meje dhe teje, e dashur,
Koha është fëmi i përbashkët !
Qytetërimi i agimeve i praron guaskat,
Unë e kapërcej botën e murosur të Vdekjes,
Në duart e mia unë mbaj
Yjet bimore të Shpresës!
Durrës 2002-2012
JO TË VDES PËRGJITHMONË
Mbase shpirti i Budës
E ka veshur trupin e këtij lypësi
Si një rrobe të vjetër,
Të grisur!
Mijra të panjohur shkojnë diku
Dhe kanë si kartëvizitë
Në gishtat e ngrirë
Emrin tim fatal!
Yje të kryqëzuar
Si në epitafet kishtare
E di, që duhet të vdes patjetër
Por jo… përgjithmonë!
Durrës 2012
AVENTURA POST MORTUM
Lëviz gjaku i verbër (s’ka as qepalla, as sy), por që ndjen dhe kupton gjithçka!
O, ftillëzim i imazheve, që s’qenë kurrë!
O, fytyra, që ju thith epitafi magnetik i fundit të pashmangshëm!
O, aventura, post mortum, që na lejon të zbulojmë një tjetër qytetërim!
Shtrëngata është një e gajasur hyjnore e ajrit!
Tiranë 2012
NË OLIMP NUK KA VARREZA
Si një nomad bore tretet
Në tropikun e vuajtjes silueta e Bllejkut,
Po natyra s’e zhduk dot specien e poetëve,
Se do të zhdukte vetveten!
Dhe unë shoh në tmerr tiparet e tua, e dashur,
Te fytyra në mozaik e Teodorës së Bizantit.
Po në Olimp nuk ka varreza, –
Populli i hyjnive s’i di sekretet e Vdekjes.
Zëri im lëviz në oqeanin e tejdukshëm,
Si balena e bardhë Mobi Dik!
“-Unë di vetëm të pyes, thotë Urtësia,
Dhe mbas njëmijë pyetjeve përgjigjem po vetë!”
Durrës 2002-2012
VJESHTA, KALORËSE ME LEUÇEMI
U flas me dhembshuri njerëzve të plagosur
Dhe dua t’i shpëtoj
Ashtu siç dua ta shuaj
Tempullin në flakë !
Çudi ! Pse vallë e Vërteta
Është kaq shpesh funksion i Ireales?
Nëse nga Shën Maria lindi Krishti, –
Çdo të lindë nga shkrimi im i ndërlikuar?
Dhe Vjeshta, kalorëse me leuçemi,
Kalëron mbi një kalë të artë.
Urtësia i ka braktisur fjalët
Dhe idetë janë dete të avulluar !
Durrës 2002-2012
GRUAJA NUDO E GJUAJTUR NGA KAMAT
Lisat si kasnecë të shiut
Bëjnë gjeste përshëndetëse, me vrull,
Ndërtesat lëkunden për të fluturuar,
Si klonime të reve.
Në goditjen e sëpatës së druvarit,
Gjëmojnë të gjithë orët e botës!
Ja, dhe gruaja nudo e mbështetur në mur,
e gjuajtur nga kamat, – ende e papërgjakur!
Në një shtëpi imagjinare
Dashuroj një femër të një tjetër realiteti,
Se ti e dashur,
Mungon në çdo kohë!
Durrës 2002-2012
PERANDORIA E ËNDËRRT
Ç’tërmet bën çarjen e tokës
Për të zbuluar njëqind statuja antike?
Më futen brenda rrëmujazi jargavanët,
Për të më lidhur si Guliverin nga fijet e flokëve.
Heshtja tënde,e dashur,
Është Perandoria e ëndërrt,
Që më largohet,
Për të m’u avitur sërish!
Nën qiell s’ka ndryshuar asgjë,
Por në shpirt gjithçka!
Shoh turmat e njerëzve të bindur
Me qafore, që mbartin inicialet e tyre!
Durrës, 2002-2012
PRINCI I VETMISË
Nëse ndez një zjarr me rrënjët antike të proverbave të Budës s’do të ngrohem dot në ankthin e kohërave, që mërdhijnë duke kërcitur dhëmbët.
Mbi pllajëegrat e Veriut rrëzohen si dëborë acidi mushkëritë e Migjenit.
dhe Princi i Vetmisë përhap erërat, mendimet e tij të fshehta.
Dhe deti është pështyma e shenjtë e Zotit, Zotit!
Trupat tanë janë endacakë, pa shpirtrat, që i kanë shitur në programe digjitale.
Durrës 2002-2012

Kam patur shume veshtiresi per te le xuar e kuptuar visaret e Gjergj Fishtes.E kam kaperxyer kete veshtiresiPor pash zotin mos botoni krijimet e Moikomit.Numuroini ne dy faae gazete 278 fjale te gjuhes se dreqit.Po shkruaj shqip o Komi.