GRIMCA FUSHATE: Zbulohet tenderi i parë që do bëjë Basha sapo të marrë detyrën e Kryeministrit (dhe disa detaje të tjera nga puthja e Dashit me Ramën, te logoja e re e LSI-së)

redaktor

 

-1-

Gojët e Liga kanë mësuar se me të marrë detyrën e kryeministrit, tenderi i parë që do të bëjë Lulzim Basha do të jetë ai për riparimin e çatisë së makinës mbi të cilën po kërcen gjatë fushatës. Sipas të dhënave të sigurta, Luli i ka kërkuar kompanisë që ja bëri dhuratë Benzin, t’i riparojë pak soletën e shtrembëruar. Por kompania ja ktheu: Mos ki gajle, hidhu e tundu pa merak; kur të fitosh zgjedhjet do ta bëjmë si të re me një tender 130 mijë euro.

2

Lajmi se Edi Rama do puthet me Dash Shehin ka tejkaluar rubrikat e politikës dhe ka hyrë në faqet rozë. Siç ndodh në kësi rastesh, kanë nisur dhe xhelozitë përkatëse.
Nga njëra anë, gratë e PS-së përpiqen t’i mbushin mendjen kryetarit se kjo puthje nuk do sjellë asnjë benefit elektoral.

Nga ana tjetër, aleatët e tjerë të vegjël ja kanë bërë të qartë Lulzim Bashës se nëse e lejon Dashin të puthet me Ramën, edhe ata rezervojnë të drejtën e një romance, qoftë dhe kalimtare, me kryesocialistin. Mësohet se Basha i ka qetësuar: “Mos u ekzaltoni, Dashi do mbetet i yni. Ja, u putha unë me Edin në 2017-ën, po opozitar mbeta!”

Duke dëgjuar për episodin, historiani dhe akademiku i njohur Paskal Milo kishte këtë koment: “Edi e nisi këtë mesele nga marazi që nuk puthet dot me Milon!”

-3-

Megjithëse bën fushatë me aleancë me PD-në, Lëvizja Socialiste për Integrim kujdeset të deklarojë prerë se nuk lëviz nga identiteti i saj i majtë politik, dhe bashkëpunimi me demokratët është i nevojshëm për të rrëzuar uzurpatorin e PS-së dhe mashtruesin e socialistëve të vërtetë. Për ta theksuar këtë pozicionim të palëkundur majtas, Gojët e Liga mësojnë se në një mbledhje sekrete, kryesia e LSI ka vendosur që logoja e re e partisë të jetë Drapër e Çepan.

4

Mes aleatëve të koalicionit të madh opozitar, spikasin vaji me uthullën, Shpëtim Idrizi i çamëve me Vangjel Dulen e grekëve.
Kur e pyetën Idrizin si ka mundësi që u bashkua me Dulen, ai deklaroi: “Unë bëra marrëveshje me Lul Bashën, jo me Vangjel Dulen”.

Edhe Vangjeli nga ana e tij, dha të njëjtën përgjigje. Ndërsa kur e pyetën Bashën si ja doli t’i bëjë bashkë dy kundërshtarët, ai u përgjigj: “Ata u bindën vetë. Unë thjesht ua bëra të qartë se Rama është harbut, nuk di të puthë!”

 

—–

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike mbi të majtën dhe anash të djathtës

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *