Analizat e ISHP-së: Evidentohen raste të gripit AH3N2, por ende nuk bëhet fjalë për epidemi. Mjekët apelojnë që të mos neglizhohen simptomat dhe të tregohet kujdes në përdorimin e antiviralëve, përdorimi i të cilave duhet bërë vetëm pasi të jepet rekomandimi i mjekut
Pranvera Kola
Ulja e theksuar e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka shtuar komplikacionet shëndetësore duke shfaqur edhe raste të shumta të gripit. Mostrat e analizuara në laboratorin e virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik flasin për mbërritjen në vendin tonë edhe të gripit, i cili në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar një numër të lartë viktimash.
Fundi i janarit dhe ditët që pasojnë muajin shkurt apo mars klasifikohen nga ekspertët e shëndetit publik si më problematikët për shpërthimet masive të gripit dhe virozëve të stinës. Komplikacione të cilat nëse nuk trajtohen në kohë mund të mbartin pasoja të rënda deri në humbje të jetës. Lidhur me analizat e kryera specialistët e ISHP-së, tregojnë se janë izoluar raste të gripit A dhe B, madje edhe nëntipin A H3N2 që aktualisht po shkakton panik të madh në Shtet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne konfirmojmë që gripi qarkullon në Shqipëri. Në laboratorin e virologjisë në ISHP janë izoluar rastet e para me grip, raste të shkaktuar nga viruse të tipit A dhe B. Viruset A që qarkullojnë në vend janë H3N2, H1N1. Shenjat janë të zakonshmet e gripit, dhembje koke, kollë, temperaturë e lartë, por nëse kolla sjell vështirësi në frymëmarrje, është e domosdoshme që të vizitohet menjëherë mjeku”, bën të ditur shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit publik, Silva Bino.
Pavarësisht evidentimit të këtyre rasteve Bino qetëson popullatën duke konfirmuar se nuk ka vend për panik pasi në vendin tonë dhe në të gjithë Evropën intensiteti i qarkullimit të virusit është ende i ulët, krahasuar më ndikimin që ka në SHBA. Më tej, Bino apelon për kujdes maksimal gjatë ditëve të ardhshme, pasi nëse nuk tregohet kujdesi i duhur mund të gjendemi përballë vështirësie të shumta shëndetësore, të cilat mund të çojnë deri në humbje të jetës. Të moshuarit, fëmijët, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna janë kategoritë të cilat duhet të bëjnë kujdes maksimal.
Kujdes maksimal duhet treguar edhe me përdorimin e barnave antiviralë përdorimi i të cilave duhet kushtëzuar me rekomandimin e lëshuar nga mjeku.
“Ne nuk mund të bëjmë asnjë dallim mes formave të gripit. Gripi është i rrezikshëm, është një sëmundje virale që mund të shkaktojë pasoja të rënda. Rastet në Amerikë janë raste të evidentuara edhe në vendin tonë, edhe ne kemi pasur vdekje e raste të rënda nga gripi. SHBA është një vend më i madh dhe epidemia prek më shumë banorë, por në Evropë nuk ka shpërthime masive epidemike”, bën të ditur Bino.
Ja si transmetohet gripi
Gripi është një infeksion akut viral shumë ngjitës. Gripi transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri nëpërmjet kollitjes, tështimave ose indirekt nga dhënia e dorës një personi të infektuar apo prekja e objekteve të ndotura me virusin e gripit dhe më pas ata prekin sytë,gojën apo hundën. Viruset përhapen në ajër dhe nëpërmjet grimcave të ajrit kalojnë në grykë e hundë, shtohen dhe mbas 1-4 ditë japin shenjat e dukshme të gripit.
Shenjat paralajmëruese për emergjencë
Tek fëmijët shfaqen këto simptoma: :
•Frymëmarrje e shpejtë ose probleme me frymëmarrjen
•Ndryshim të ngjyrës së lëkurës
•Nuk konsumon lëngje të mjaftueshme
•Nuk ka gjallëri ose nuk bashkëvepron
•Bëhet nervoz sa që fëmija nuk dëshiron të mbahet
•Rikthim të shenjave të gripit, por me ethe dhe kollë të keqe
•Ethe me një skuqje të lëkurës
•Fortësim i qafës
Të rriturit shfaqin:
•Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim
•Dhimbje apo presion në gjoks apo bark
•Marramendje papritur
•Konfuzion mendor
•Të vjella të menjëhershme ose të vazhdueshme