Numri i pacientëve që i janë drejtuar urgjencave mjekësore në spitale e poliklinika prej komplikacioneve të shfaqura nga gjendjet gripale dhe virozat ka pësuar rritje të ndjeshme në dy javët e fundit.
Këtë vit, përveç rrufës që njihet dhe haset në masa nga popullata, janë paraqitur raste të shumta qarkullimi të një viroze tjetër që kap më shumë sistemin gastrointensinal duke manifestuar simptoma të tilla, si të përziera, diarre, temperaturë.
Kanë qenë të shumta rastet e pacientëve me simptoma të rënda pasi u kanë besuar farmacive duke marrë qetësues dhe antibiotikë të parekomanduar. Pas përdorimit disaditor shëndeti i tyre në vend që të përmirësohet është rënduar edhe më shumë dhe janë detyruar të vijnë në dyert e poliklinikave apo spitaleve.
Të gjithë duhet të dinë që në ditët e para të shfaqjes së virozave apo gjendjeve gripale nuk duhet të marrin antibiotikë për t’i qetësuar.
Janë të shumtë pacientët që janë përballur me komplikacione të rënda pasi kanë marrë antibiotikë, ndonëse nuk kanë qenë të nevojshëm pasi shëndeti i tyre mund të përmirësohej falë disa preparateve antigripale apo dhe këshillave të zakonshme.
Këshilla kryesore është që kontakti i parë, sapo shihen simptomat, të bëhet me mjekun e familjes, dhe jo me farmacistin.
Gabime të tilla ndikojnë në krijimin e rezistencës bakteriale nga përdorimi i panevojshëm i antibiotikut.