Fushata e vaksinimit kundër gripit nis në javën e parë të muajit nëntor. Autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme se edhe për këtë sezon, grupet e riskut (të sëmurët kronikë, ata me diabet, gratë shtatzëna dhe fëmijët nën moshën 5 vjeç, punonjësit e shëndetit, etj) do të mund të kryejnë vaksinën e gripit falas. Ndërkohë që për herë të parë këtë vit fushata e vaksinimit falas do të shtrihet edhe tek mësuesit edhe nxënësit e shkollave. “Vaksinimi i popullatës do të nisë në fillim të nëntorit, pasi pikërisht në këtë moment vjen edhe vaksina përkatëse, e cila do jepet falas për të gjitha grupet e riskut dhe për punonjësit shëndetësorë.
Natyrisht që këtë vit ne po promovojmë edhe vaksinimin e fëmijëve dhe të mësuesve të shkollave”, ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme, Silva Bino, Instituti i Shëndetit Publik. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, sëmundja e gripit shkaktohet nga viruse të gripit, të cilat mund të përhapen shumë shpejt në ambientet e mbyllura. Gripi është një sëmundje virale që mund të shkaktojë komplikacione të rënda dhe vdekje sidomos tek personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të moshuarit, kategori këto të cilat klasifikohen si më të rrezikuarat, ndaj dhe janë prioritet në vaksinim. “Mënyra më e mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi ndaj tij.
Vaksinimi i përvitshëm është shumë i rëndësishëm dhe ndihmon në mbrojtjen e shëndetit individual dhe atë të komunitetit që na rrethon”, bëjnë me dije ekspertët e shëndetit publik. Vaksinimi kryhet në çdo kohë, gjatë periudhës që viruset e gripit qarkullojnë. Vaksina ndaj gripit duhet të kryhet çdo vit, kryesisht me fillimin e stinës së vjeshtës e deri në muajin Mars. Sipas specialistwve, vaksina e gripit sezonal mbron ndaj viruseve të gripit të cilët mendohet se do të qarkullojnë këtë sezon. Kundërtrupat krijohen në organizëm dy javë pas kryerjes së vaksinës. Kundërtrupat mbrojnë ndaj infeksioneve të shkaktuara nga viruset të ngjashme ose të njëjtë me ato me të cilat është prodhuar vaksina.
Vaksinimi i përvitshëm ndaj gripit është i rëndësishëm pasi viruset e gripit janë të paparashikueshëm. Viruset e gripit janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe imuniteti i përftuar nga vaksina e kryer më parë, bie me kalimin e kohës. Disa individë si, të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël si dhe individë të sëmurë për një kohë të gjatë me sëmundje kronike dhe/ose imunodeficencë kanë një risk të lartë, për të zhvilluar komplikacione nga gripi, prandaj vaksinimi ndaj gripit rekomandohet më shumë tek ta.
Transmetimi
Sipas tyre, për shumicën e njerëzve gripi është një sëmundje kalimtare, por në disa raste, shkakton ndërlikime të rënda dhe vdekje. Gripi transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjatë teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedimit. Në raste më të rralla, një individ mund të infektohet duke prekur objekte të ndotura me virusin e gripit dhe më pas ai i kalon në gojën apo në hundën e tij me duart e infektuara. Një individ i infektuar mund të infektojë të tjerët, 1 ditë përpara se simptomat të shfaqen. Ai vazhdon të jetë infektues për 5-7 ditë pasi është sëmurur. Simptomat shfaqen 1-4 ditë, pasi virusi është futur në organizëm. Kjo do të thotë që mund ta transmetoni virusin dikujt tjetër, përpara se ta kuptoni që jeni sëmurë, si dhe e transmetoni atë edhe kur jeni të sëmurë.
Shenjat klinike
Gripi gjithmonë karakterizohet nga këto shenja: temperaturë e lartë, kollë, dhimbje fyti. Gjithashtu, gripi mund të shoqërohet edhe me shenja të tjera si; lodhje fizike, dhimbje koke, të përziera, diarre, të vjella, dhimbje barku, rrjedhje të hundëve ose dhimbje muskujsh.
Kujdes me antibiotikët
Ekspertët e shëndetit publik kanë vënë theksin tek praktika e gabuar e keqpërdorimit të antibiotikëve në rastet e gripit. Konkretisht, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetesise në Tiranë, Raul Gonzales ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme se përdorimi i antibiotikëve për kurimin e gripit është metoda më e gabuar. Përdorimi i antibiotikëve nuk duhet të bëhet në asnjë rast pa rekomandimin e dhënë nga mjeku specialist. “Antibiotikët nuk rekomandohet të përdoren për gripin. Edhe pse ndodh shpesh që qytetarët me dëshirën e tyre t’i marrin vetë në farmaci pa rekomandimin e mjekut. Ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por ndodh në të gjithë botën. Ka disa vende që kanë marrë masa parandaluese dhe shembulli më i mirë që ka bërë progres është Europa veriore. Madje ka shumë raste që përdorimi i antibiotikëve ka komplikuar më tej situatën shëndetësore të pacientëve”, ka theksuar gjatë ditës së djeshme përfaqësuesi i OBSH-së në Tiranë, Raul Gonzales.
Disa fakte që duhet t’i dini rreth gripit:
- Gripi është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu.
- Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë.
- Gripi sezonal është një problem serioz i shëndetit publik i cili shkakton gjendje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe deri në vdekje tek grupet me risk të lartë.
- Çdo njeri mund të sëmuret shumë rëndë me grip, duke përfshirë edhe njerëzit të cilët janë të shëndetshëm.
- Nëse jeni punonjës i kujdesit shëndetësor, mund ta merrni dhe transmetoni gripin nga pacientët apo kolegët, tuaj të cilët janë të sëmurë nga gripi.
- Nëse ju sëmureni me grip ju mund t’ia transmetoni edhe të tjerëve edhe pse ju mund të mos ndiheni të sëmurë.
- Duke u vaksinuar ju ndihmoni të mbroni vetveten, familjen tuaj dhe njerëzit rreth jush
Rekomandim i veçantë për kryerjen e kësaj vaksine përfshin këto grupe risku:
- Punonjësit shëndetësorë.
- Gratë shtatzëna.
- Të gjithë të moshuarit mbi 60 vjeç.
- Personat me sëmundje kronike dhe imunodeficience (si: sëmundje kardiovaskulare, obstruktive të mushkërive, kronike të veshkave, kronike të heparit, diabet, astma bronkiale, tumore/kancer)
- Personat obezë.
- Gjithashtu vaksina ofrohet për kategori të caktuara sicc janë forcat ushtarake.
- Vaksina ndaj gripit mund të kryhet nga çdo individ mbi 6 muaj.
ISHP: Ja pse duhet të bëhet vaksina e gripit?
- Vaksinimi ndaj gripit ju mbron nga gripi. Duke mbrojtur veten ndaj gripit ju mbroni dhe njerëzit që ju rrethojnë, të cilët mund të jenë më të ndjeshëm ndaj komplikacioneve të shkaktuara nga gripi.
- Vaksinimi ndaj gripit mund të ndihmojë në mbrojtjen e individëve të cilët janë në një risk më të lartë për t’u sëmurur rëndë nga gripi si; të moshuarit, gratë shtatzëna, individët me sëmundje kronike, fëmijët dhe sidomos foshnjat deri në 6 muaj, të cilët janë shumë të vegjël për t’u vaksinuar.
- Vaksina ndaj gripit nuk mund të shkaktojë gripin pasi ajo nuk përmban asnjë virus të gjallë.
- Vaksinat ndaj gripit janë të sigurta. Ajo është e mirë testuar dhe ka rezultate të shkëlqyera mbrojtëse. Probleme serioze nga vaksina e gripit janë shumë të rralla. Efektet anësore më të zakonshme nga vaksina e gripit janë pak dhimbje dhe skuqje në vendin e injeksionit e cila kalon pas 1 ose 2 ditësh, temperaturë të lehtë dhe kruarje.
- Vaksinimi ndaj gripit mund të reduktojë rrezikun për gjendjet e rënda shëndetësore që lidhen me gripin si: shtrimet në spital dhe deri vdekjet. Vaksina funksionon. Në 10 vitet e fundit, vaksina ka dhënë mbrojtje ndaj gripit dhe ajo është akoma mënyra më e mirë për të luftuar gripin këtë dimër.
- Vaksinimi ndaj gripit ju ndihmon që t’a kaloni më lehtë atë, nëse sëmureni prej tij.
- Pavarësisht se mund të mos jeni sëmurur më parë nga gripi, viruset e gripit pësojnë mutacione, prandaj duhet të vaksinohemi çdo vit për të pasur mbrojtje.
