Gropat e Vatanit dhe Rubairat e Omar Khajamit

J L

Më thonë se kam shkruar,

dhjetëra mrekullira,

por sot mund t’i shkruaj,

edhe më të mira.

 

Poeti nuk ndalet,

tek një mrekulli,

kur gjuhën e zemrës,

dhe shpirtit e di.

 

Kur është një poet,

mjeshtër në lirikë,

që të gjitha vargjet,

i kthen në muzikë.

 

Nëse një lirike,

do t’i qepësh nota,

një diamant të krisur,

do të shihte bota!

 

Por sot që po shkruaj,

këtë ligjërim,

kam në mendjen time,

një tjetër qëllim.

 

Kur sot me miliona,

nuk kanë as bukë,

një vjershë dashurie,

s’i ndihmon – o Dukë!

 

Them është e pamundur,

ti të dashurosh,

kur shpirtin ke sterrë,

edhe barkun bosh!

 

Njerëzit s’i ndihmon,

Ylli i Afërditës,

po puna dhe buka,

si refren i ditës.

 

S’kanë nevojë t’ju them:

“Ç’është dashuria?”

Po padrejtësitë,

që bën qeveria!

 

Kur shikon çdo çast,

gropat e vatanit,

s’të ngjit as magjia,

e Omar Khajamit!

 

Nëse njerëzit mbeten,

në një errësirë,

është një këngë për dritën,

kënga më e mirë!

 

Gozhdë përmbi të ligën,

kur pafund kam ngulur,

më thonë ca “kritikë”,

se pjacën kam ulur!

 

Shkruaj dashurisë,

ku je i magjishëm!

S’më hyn në punë pjaca,

kur s’jam i dobishëm!

 

Kur gjithë kjo e keqe,

na ka vënë përfund,

tani nga satira,

s’ka Zot që më tund!

 

Një në njëqind vjet,

vdes nga dashuria,

por miliona vret,

skamja dhe uria!

 

Po të them-ky popull,

rron shumë i gëzuar,

do isha i lig,

ose i shkalluar!

 

Po të them-sistemi,

ngjall besim e shpresë,

do isha i lig,

edhe i pabesë!

 

Nëse je poet,

s’mund të rrish mënjanë,

as mund ta gënjesh,

popull fukaranë!

 

Të bëhet si bishë,

përmbi çdo të keqe,

dhe pse asnjë bankë,

s’do t’i japi çeqe!

 

Po s’u dogj poeti,

tok me vegjëlinë,

askush s’do të digjet,

këtu për lirinë!

 

Kur ndjek vegjëlia,

një të tillë poet,

që nga themelia,

e rrëzon një shtet!

 

Një shtet të pashpirt,

të egër-të lik,

ku jo veç liria,

është në rrezik!

 

Mbase unë misionin,

s’e sos dot vërtetë,

se misioni do,

më shumë se një jetë!

 

Po revolta ecën,

nuk e sfidon vdekja,

dhe më kryesorja,

në fakt është përpjekja!

 

A. DUKA

22 Maj, 2016

Share This Article
5 Comments
  • I papërsëritshëm, i pakrahasueshëm, tejet i vërtetë!
    Krenaria e Kombit shqiptar, Arben Duka, gjeniu, që frymëzon brezat!

  • @ A. Nocka
    Falënderimet më të sinqerta për ju, i nderuar z. A. Nocka!
    Kënaqësi të ndash mendime të përbashkëta me ju.
    Gjthë të mirat!

  • Kjo u tregua nga qeverija ,qe nuk mori pjese ne varimin e poetit briland Arben Duka se e kish parasysh shigjetat me thumb pambuku qe i tmeroi disa politikane te pa skrupull me ne krye qeverite kuklla qe ka trasheguar ky popull prej 30 e kusur vite ,por dije o poeti rebel vigan i popullit jot se per jete te jeteve do te kujtohesh si mbrojtes i vegjelise nepermjet vargjeve te tua poetike,,,Faleminderit o poeti im qe dhe une nje qytetar i thjeshte te kuptoj te mirat dhe te keqijat nga keto qeveri qe na kane pire gjakun dhe nuk jane prape te ngopur qe te na thithin dhe ata pak gjak qe na ka mbetur ne dejet tona , por jo une nuk perulem asnjehere sepse kam busull poezite e tua te pavdekeshme qe fjasin dhe bisedojne me cdo njeri qe kerkon liri ashtu sic ke enderuar o poeti i vegjelise dhe gjithe popullit martir qe eshte nen thundern e maskarenjeve qeveritare te shitur koke e kembe tek SHBA xhandari nderkombetar si dhe tek Europa,,KURVA PLAKE,,,,Te qofte dheri i lehte Arben Duka poeti i vegjelise,i perjetshem qofte kujtimi juaj …
    Po shkepus disa vargje nga ky poet u prehte ne paqe te perjeteshme… Po te them ky popull—-Rron shume i gezuar—Do isha i lig—Ose i shkalluar—Po te them sistemi—Ngjall besim e shprese—Do isha i lig—Edhe i pa bese——Nese je poet—S’mund te rish menjane—Si mund te genjesh—Popull fukarane

  • Germo Benjko ne gropat e Vatanit,
    dhe kujto Rubairat e Omar Kajamit,
    por ama ngrehu shpejt sot nga varri,
    qe ti besh temenarat Taip Erdoganit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *