Pas ALUIZN-it Elbasan dhe Pyjores në Tiranë, radha i ka ardhur sektorit energjetik. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar dje në Prokurorinë e kryeqytetit Halit Velajn, ish-administrator i Përgjithshëm i KESH-it dhe N. S., ish-titullarin e autoritetit kontraktor të HEC-it të Komanit, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shpërdorimit të kompetencave”. Dëmi i shkaktuar ndaj shtetit arrin në 59,5 milionë lekë, ose mbi 585 mijë dollarë. Gjithashtu KLSH ka konstatuar se KESH nuk ka arkëtuar ende një borxh prej 500 milionë dollarësh që CEZ-i i ka prej vitesh për sasitë e mëdha të energjisë së blerë dhe ka rekomanduar vjeljen e menjëhershme të këtij borxhi për llogari të arkës së shtetit.
Dëmet e shkaktuara
Në një deklaratë për mediat, KLSH sqaroi se, në përfundim të auditimit, kanë rezultuar disa mangësi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, për të cilat ka rekomanduar 31 masa me karakter organizativ për përmirësimin e veprimtarisë së Këshillit Mbikëqyrës dhe Administratorit të KESH. Kontrolli është kryer për periudhën e dy viteve të fundit në KESH dhe në HEC-in e Komanit. Objekt inspektimi ishin hartimi, miratimi dhe zbatimi i programeve të zhvillimit ekonomik të shoqërisë, disiplinimi, monitorimi dhe miradministrimi i shpenzimeve operative, sigurimi i burimeve të financimit për shlyerjen e overdrafteve në vlerën 30,132,731 mijë lekë.
Borxhet e pambledhura
arkëtimin e detyrimit të CEZ Shpërndarje Sha prej 53,7 miliardë lekë, ose mbi 500 milionë dollarë, për energjinë e blerë nga CEZ tek KESH për mbulimin e humbjeve në rrjet dhe furnizimin e konsumatorëve. Gjithashtu arkëtimin e detyrimit prej 40,6 miliardë lekë (ose rreth 400 milionë dollarë) të klientëve, shumë e pa arkëtuar nga shitja e energjisë para vitit 2006. Është kërkuar gjithashtu edhe analizë e hollësishme për penalizimet financiare të KESH që arrijnë në shifrën e 4,112,482 mijë lekëve, ose mbi 40 milionë dollarë.
Shkeljet me shpenzimet
KLSH i ka kërkuar KESH-it që të ndjekë të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe të gjitha shkallët e gjykimit për arkëtimin e dëmit në shumën 53,9 milionë lekë të shkaktuar nga paga dhe shpërblime të paligjshme gjatë vitit, mungesë arkëtimi të detyrimeve debitore, si dhe gjatë zbatimit të kontratave për punime të paguara por të parealizuara, mungesën e penalizimeve për vonesa dhe të tjera. Janë kërkuar masa disiplinore për 16 punonjës në KESH, në nivel drejtorësh dhe specialistësh. Ndërsa për ish-drejtorin e KESH, Halit Velaj, dhe titullarin kontraktor të HEC-it Koman, u depozitua denoncim në prokurori për dëmin e shkaktuar rreth 600 mijë dollarësh, kryesisht në çështje shpërblimesh, pagash, taksash, prokurime publike dhe abuzime të tjera.
