Gruaja e gardianit që u vetëvar pak ditë më parë në komisariatin nr 3 akuzon policinë se e ka dhunuar barbarisht duke i shkaktuar vdekjen. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Violeta Kolthi, gruaja e Ndue Kolthit, ish-gardianit që u gjet i vetëvarur në 11 prill në ambientet e komisariatit të policisë, thotë se uniformat blu kanë inskenuar vetëvarjen.
“Policia ka ushtruar dhunë mbi tim shoq , i cili ka qenë në gjendje të dehur. Rrahjet e tepërta dhe gjendja në të cilën gjendej im shoq, i kanë shkaktuar vdekjen. Ai nuk u ka rezistuar goditjeve në trup, pasi ka qenë i dobët fizikisht. Policisë u ka mbetur në dorë dhe për pasojë inskenuan versionin e vetëvrasjes. Ka shumë gjëra që më bëjnë të dyshoj”, thotë ajo.
Violeta sjell disa fakte, mbi të cilat e mbështet dyshimin e saj.
“Po ta varësh një të vdekur shenja do t’i mbetet në fyt. Nushi sytë i kishte mbyllur, sikur flinte gjumë. Një njeri që varet sytë dhe goja i mbeten të hapura , ndërsa gjuha i del jashtë. Këto simptoma nuk ishin te Nushi. Jam 100% e sigurt që ngjarja është manipuluar nga policia.“Hekurat ku pretendohet se ai ka varur veten,po ashtu siç tregohet edhe në foto nuk janë aq lart ,që të realizohet një veprim i tillë,pasi burri im ishte i gjatë dhe këmbët i mbërrinin në tokë. Kjo të sjell dyshimet se “vetëvarja” e tij mund të jetë sajuar nga policia. Një tjetër dyshim ka të bëjë me kamerat që ndodhen në atë dhomë. Në atë moment kur mendohet se burri im ka vrarë veten. Ato kanë qenë të fikura. Pse pikërisht në ato momente kanë qenë të fikura? Pse të gjithë heshtin për vdekjen e e burrit tim. Nuk do ta besoj kurrë se ai ka vrarë veten”, thotë Violeta, e cila pohon se do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së mënyrës se si vdiq i shoqi.