(Nga Gazeta Shqiptare)
“Nuk e di se si kam fjetur me një njeri të tillë… Shyqyr që kam shpëtuar… Ai të dënohet me vdekje!” Këto janë fjalët që ka thënë një nga njerëzit më të afërt të “monstrës” Ardian Prrenjasi. “Gazeta Shqiptare” ka komunikuar me Valbona Pacin, 24-vjeçaren që prej dy vitesh bashkëjetonte me Ardian Prrenjasin. Në një intervistë, ajo rrëfen detajet e jetës që bënte me Ardianin, pa harruar të pohojë se është tronditur shumë nga kjo ngjarje, se asnjëherë nuk ia kishte marrë mendja se Ardiani do të ishte njeri i tillë. Valbona rrëfen se e njihte Julian Çelën, sepse ai vinte shpesh në shtëpinë e tyre. “Unë nuk di gjë se çfarë ka ndodhur, sepse nuk kam qenë në shtëpi. Nuk kam parë asgjë të çuditshme. Kam qenë tek prindërit në Peshkopi”, – pohon Valbona për “GSH”, duke shtuar pas çdo fjalie, edhe shprehjen “për Zotin”, për të vërtetuar edhe një herë se ajo është e pafajshme.
Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me Ardianin?
Kam pasur marrëdhënie shumë të mira. Vinte nga puna, më pyeste “a u lodhe”, “si kalove”. Me mua është sjellë shumë mirë.
Ishte tip i dhunshëm Ardiani?
Jo, ai ishte njeri i qetë. Nuk ka ushtruar dhunë mbi mua. Ziheshim ndonjëherë siç zihet burri me gruan, por jo grindje të mëdha. Ne jetonim tek shtëpia atje në Laprakë. Unë zgjohesha në mëngjes dhe shumë herë ikja tek gjyshja. Ardiani vinte atje, më merrte dhe iknim në shtëpi.
Ti ke jetuar në një shtëpi me të, nuk ke parë tek ai ndonjë shenjë të çuditshme?
Nuk kam parë asgjë, për Zotin. Unë nuk di gjë, ai ishte njeri i mirë. Nuk ma merrte mendja se ai do ishte njeri i tillë. Asnjë dyshim nuk kisha, për Zotin.
Gjatë kohës që jetoje me atë, vinin në shtëpinë tuaj fëmijë?
Jo, nuk kanë ardhur. Vetëm Adelina na vizitonte me djalin e saj.
Kishte shfaqur Ardiani dëshirën për të jetuar vetëm me djalin e Adelinës?
Djali i saj vinte shpesh në shtëpinë tonë, rrinte me mua. Nuk ka ndenjur vetëm me Ardianin.
Po Julian Çela, vinte në shtëpinë tuaj?
Po, edhe ai ka ardhur në shtëpinë tonë, e njihja Julianin. E ka sjellë Ardiani për të kryer disa porosi. Juliani ishte djalë i shkathët.
Kur e keni parë për herë të fundit Julianin?
Unë e kam parë para se ai të zhdukej. Pastaj s’e di çfarë u bë me atë, për Zotin.
Juliani dyshohet se është vrarë në shtëpinë tuaj; si ka mundësi që ju nuk dini gjë dhe nuk e keni parë?
Nuk kam qenë në shtëpi atë javë kur u zhduk Juliani. Isha në Peshkopi tek familja. Nuk di gjë, edhe policia më nxori të pafajshme.
Po për fëmijën tjetër, i cili u shpëtua para pak ditësh, as atë nuk e ke parë?
Nuk di gjë. Unë që në 11 mars kisha ikur tek prindërit e mi. Më tha Ardiani, “ik të festosh Ditën e Verës”. Dhe ne nuk dinim gjë se çfarë kishte ndodhur, se nuk kishim ku ta shikonim. Erdhi policia më mori në Peshkopi dhe pastaj më thanë që isha e pafajshme.
Po si ka mundësi që ti ke jetuar me një njeri të tillë dhe nuk ke kuptuar asgjë?
Asgjë, për Zotin. Unë dilja në mëngjes dhe kur vija në drekë, ai ishte shumë i qetë, shtëpinë e gjeja në rregull. Jetonim në varfëri, sepse vetëm ai punonte, unë jo. Shtëpia ishte e vogël, me dy dhoma të vogla.
Si je njohur me Adrianin dhe sa kohë ke me të?
Jam njohur përmes Adelinës. Kishim dy vite bashkë.
Ju, keni qenë edhe një herë e martuar?
Po, kam qenë e martuar në Maqedoni, por u ndava se nuk shkoja me kunatat.
Nuk e kishe problem se Ardiani ishte disa vjet më i madh se ti?
Jo, s’e kisha problem, se ai sillej mirë me mua.
A dilnit ndonjëherë bashkë?
Ai vinte në orën 3 nga puna dhe dilte sërish në orën 8 për të pirë kafe. Kemi dalë edhe disa herë bashkë për të pirë kafe, për të blerë ndonjë gjë.
A i keni takuar familjarët e Ardianit?
Po, i kam takuar. Kur u njohëm në fillim, erdhi në shtëpinë e motrës sime, Ardiani, nipi dhe motra e tij. Kam shkuar edhe unë tek familja e tij, kam qëndruar disa ditë.
Po Ardiani, ka ardhur?
Po, kemi shkuar bashkë.
Si ndiheni pas kësaj që keni marrë vesh?
Jam tronditur shumë. Ai më shkatërroi jetën. Tani një plumb pas koke më duhet. Do rri në shtëpi tani. Nuk e kuptoj se si kam ndenjur me një njeri të tillë, se si kam fjetur. Shyqyr që kam shpëtuar edhe unë!
Do shkoni ta takoni Ardianin në burg?
Jo, nuk do shkoj. Vetëm po më tha policia.
Çfarë dënimi kërkoni për Ardianin?
Nuk di çfarë të them. Le të dënohet me vdekje.