Gruaja i vrau nënën, burri i vret vëllanë

redaktor

Në gjendje të dehur pas krimit në mbrëmjen e së martës në Luzni dhe me armën në dorë, Uran Skuka i është drejtuar qendrës së qytetit të Peshkopisë, me destinacion vetëdorëzimin në komisariat si autori i dyshuar i vrasjes së Basir Nikollit, vëllait të gruas së tij Hike Skuka (Nikolli), në shenjë hakmarrjeje për djegien me vaj në vesh të nënës Naime Skuka, fiks një vit më parë. Policia e Dibrës konfirmoi se ndaloi në orët e para të mëngjesit të djeshëm të kërkuarin për krimin e “vrasjes me paramendim” për motive gjakmarrjeje, banues në fshatin Hotesh të këtij rrethi dhe që pranoi autorësinë e krimit i vetëm. Gjithashtu u bë me dije se babai i dy vajzave dhe një djali të mitur, është njëkohësisht burri i 31-vjeçares së arrestuar 12 shkurtin e kaluar nga policia për masakrimin dhe groposjen e të moshuarës për motive të dobëta.

Por megjithë dorëzimin në komisariat, policia dyshon se bashkëpunëtorë mund të jenë edhe dy vëllezërit e tij, Bashkim dhe Edmond Skuka, që u shoqëruan dhe të ketë pasur një plan që Urani ta merrte përsipër vrasjen e kunatit të tij. Gjatë marrjes në pyetje, 41-vjeçari ka dëshmuar se ka qenë i vetëm kur qëlloi në errësirë kunatin me një armë zjarri pushkë, të cilën e dorëzoi si provë materiale. Ai mohoi të kishte bashkëpunëtorë dhe se gjatë gjithë natës ka qëndruar i arratisur dhe ka konsumuar sasi të mëdha alkooli për shkak të depresionit pas krimit. Kurse si motiv ka dhënë hakmarrjen për masakrimin e nënës nga bashkëshortja dhe kunata e tij vitin e kaluar, teksa ai bashkë me vëllezërit ndodheshin në Greqi si emigrantë. Policia sqaroi se arma është dërguar së bashku me gëzhojat e gjetur në kasollen e bagëtive ku u vra 38-vjeçari Basri Nikolli, drejt Laboratorit Kriminalistik për ekspertizë balistike dhe gjurmë të tjera.

Basri Nikolli u qëllua për vdekje rreth orës 20:00 të së martës, teksa së bashku me gruan po hidhnin ushqim në kasollen e bagëtive. Autori ka qëlluar nga afër në errësirë me 7 plumba, duke e lënë të vdekur 38-vjeçarin dhe më pas u arratis. Nisur nga identiteti dhe lidhjet, policia ngriti pistën e hakmarrjes, pasi Hike Skuka (Nikolli), motra e viktimës, ishte e arrestuar dhe në proces gjyqësor për vrasjen e vjehrrës së saj, së bashku me kunatën. U shoqëruan dy vëllezërit Skuka dhe i treti, bashkëshorti i Hikes, u shpall në kërkim. Naime Skuka, 67 vjeçe, u gjet e groposur në kasollen e bagëtive më 12 shkurt 2013. Nga hetimet rezultoi se ishte djegur me vaj të nxehtë në vesh dhe mbytur disa ditë para se të groposej. Banorët denoncuan për shkak të erës së keqe dhe mungesës së Naimes, kurse policia arrestoi dy nuset Hike dhe Xhemile Skuka, 31 dhe 23 vjeçe.

Share This Article
1 Comment
  • kete tipin ta varrin ,pa gjyq ……………..ska perse te gjykohet ..dihet qe e ka bere per hakmarje ….po cfaj ka vellai or kokderr …..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *