Gruaja myzeqare në këngët e saj popullore

J L

“Ç’e  do malln’ e  ç’e do gjënë,

                                                               kur s’ke burrin për të qenë..!”

…………………………………..

 

Naun Kule

 

Në historinë e popullit tonë, jeta e gruas myzeqare, si e gjithë grave të Shqipërisë, ka qenë nga më tragjiket. Megjithatë, shumë prej tyre janë shquar edhe krah burrave, të denja dhe të zonjat për të përballuar vështirësitë  e jetës dhe të kohës, po edhe si luftëtare dhe trimëresha të virtytshme për të mbrojtur lirinë, nderin  e atdheun. Shqetësimet e shumta të jetës intime, familjare dhe shoqërore, të gruas së dikurshme në Myzeqe dhe jo vetëm, megjithëse përbënin brenga dhe drama familjare dhe individuale, zakonisht i mbulonte heshtja e kohës, amullia që i varroste ashtu siç lindnin, produkt i inferioritetit social e klasor të shoqërisë dhe i shtetit  në fuqi.

I vetmi mjet shprehës i kësaj indinjate dhe revolte të femrës myzeqare që shekujt ia rritnin në mënyrë të ndjeshme, ishte veç kënga e saj. Ndaj ajo e ka pasuruar atë vazhdimisht duke përfshirë  aty gjithë sferën e interesave të jetës  private dhe shoqërore, duke e ruajtur të pastër këngën, gjithnjë shqiptare, pjellë e këtij trualli dhe e jetës së  femrës, në etapa të ndryshme të historisë së saj. Dhe, në truallin e Myzeqesë siç edhe në komunitetin e myzeqarëve, prodhimi dhe mbrojtja e pasurive shpirtërore të brumit arbëror, është tepër e dukshme dhe lehtësisht e kuptueshme, mjafton të dëgjosh disa nga krijimet folklorike të burrave apo grave myzeqare. Fakt  ky, aq i hershem dhe   i njohur në fushën e kulturës tejshqiptare, sa vëzhguesit e ndryshëm të të gjithë kohërave  e vlerësojnë si pasuri karakteriale të individit dhe komunitetit myzeqar.

“…Myzeqari, sado nën  pushtimin e plotë të Turqisë-shkruante gazeta “Bota e re”- diti ta ruaj dlirësinë e moralit arbëror dhe nuk e njollosi poezinë e tij me këngë ashikësh e dylberësh sipas frymës anadollake e cila për fat të keq, ndoti një pjesë të madhe të muzës shqiptare. Këtu kuptojmë më qartë se kudo se ç’shpirt dhe ç’zemër vlon brenda myzeqarit…”

Prandaj, në analizën që i bëjmë sot folklorit myzeqar, shohim historinë e dhimbshme dhe dialektikën e zhvillimit të saj progresiv, sidomos në rritjen e vetëdijes dhe të ndërgjegjësimit të vet si femër, si nënë, bashkëshorte dhe forcë shoqërore.

Në raport me burrin, femra në përgjithësi  mbetej më larg problemeve politike të kohës jo pse s’i kuptonte ato, por sepse  mjedisi dhe shoqëria ia kufizonte pjesëmarrjen në to. Ndaj edhe sfera  më e gjerë e problematikës, me të cilat gërshetohen ndjenjat, mendimet dhe qëndrimet e femrës,  janë ato familjare, bashkëshortore dhe  shoqërore të përmbledhura në marrëdhëniet dashurore dhe familjare.

Lufta e saj për të vendosur raporte të drejta në marrëdhëniet burrë-grua, nuse-vjehrrë e djalë-vajzë, për ta krijuar familjen mbi  bazën e njohjes reciproke dhe të dashurisë së pastër, të hapur e të çiltër, përbënë në një masë të konsiderueshme objektin kryesor të shqetësimeve dhe për pasojë, problematikën më të gjerë të këngëve të saj popullore. Inferioriteti i shoqërisë së dikurshme ndaj gruas, mbivlerësimi i burrit si forcë prodhuese dhe “shtylla e familjes”, dëshira për një jetë të rregullt  bashkëshortore, dhe, sidomos, nevoja për t’i përballuar së bashku kërkesat e familjes, nxirrnin në plan të parë shqetësimin e saj për shokun e jetës si njeri të denjë, të gatshëm për tu përballur me vështirësitë e njohura të jetës familjare.

 

Si dhe çfarë ka kërkuar femra myzeqare nga dashuria?

Një gjë del e qartë; se asnjëherë ndjenjat e pastra dashurie të saj nuk janë përzierë dhe zbehur nga lakmia për pasuri, Se  femra myzeqare  ka ditur mirë të dallojë mes  kamjes dhe burrit- njeriun. Kjo i është përcjellë brezave me vargjet aq domethënëse  të këngës:“..Ç’e do malln e ç’e do gjënë/ kur s’ke burrn për të qënë..!”

Dëshira për ta njohur shokun e jetës për  myzeqaren ka qenë problem gjithnjë i ngritur, i rrahur në të gjitha këngët e saj me këtë temë. Mirëpo kjo kërkesë  kaq e drejtë dhe njerëzore për këdo, binte ndesh ose dilte jashtë kuadrit politik  e botëkuptimor të shoqërisë së kohës. Vajza mbyllej brenda katër mureve të shtëpisë që në moshë fare të re dhe e dënuar nga opinioni shoqëror, nga ligjet e hekurta a të pashkruara të shoqërisë nuk kishte asnjë mundësi të  shihte  dhe të njihte që më parë bashkëshortin e vet, me të cilin do të kalonte jetën. Mbyllja e vajzës bëhej e plotë me fejesën e saj e cila kishte dy qëllime; ta fshihte nga sytë e botës çupën e “Mbluar” dhe ta vinte në tezgjah për të  thurur e qëndisur pajën Dhe djali që kishte ëndërruar ta lidhte jetën me këtë vajzë çuditej nga zhdukja e menjëhershme, pa nam e nishan e vajzës së tij, këndon  i malluar: “..Humbi Tushja nëne, humbi me bina/ Se në  lumë u mbyt o nëne, se në pus na ra..!?”

Kënga e myzeqares shpreh vende-vende revoltën  kundër rendit dhe shoqërisë  që  ia  kufizon edhe të drejtat më elementare mbi të cilat ajo do të ngrejë familjen dhe të rregullojë jetën. Fillimisht objekt i zemërimit të saj janë  shkaktarët më të afërt, prindërit e saj.

“..Më rrite baba më rrite/ erdhi dita dhe më shite…!” thuhet në njërën nga këngët e saj të lashta. Ose “Ç’ke që mbyllesh në konak/ me cilin ke marrë inat/ me babain që më dha larg..!”

Vargjet e sipërme mbi shitjen e vajzës akuzojnë ligjet dhe shoqërinë e kohës që mbështeteshin mbi fitimin duke e zhveshur njeriun edhe nga ndjenjat prindërore. Por, gjithashtu kënga, sjell në vëmendjen tonë edhe mendimin pozitiv të të rinjve në raportin dashuri-para, kur ajo ngrihet mbi opinionin e kohës dhe refuzon ta shesë dashurinë dhe i thërret djalit të varfër që e do:“Hajde djalë, hajde më merr/ Se po luten ca të tjerë, me të lutur, me të blerë /Hajde dhe më merr tani, Se po luten me flor”

Kënga është akuzë e fortë për shoqërinë e kohës, për tregtinë e saj të paskrupullt me ndjenjat e pastra  dashurore.

Por shitja e vajzës ishte e lidhur edhe me një  hall tjetër, me një domosdoshmëri që duhej kryer. Metamorfoza që ka pësuar kërkesa për ta pajosur vajzën është e lashtë por gjurmët e saj por gjurmët e saj në  shfaqje dhe forma më të moderuara, vijnë deri në ditët tona. Paja ishte një barrë e rëndë për familjen, një haraç që ndonëse vajzën e shoqëronte deri në martesë, familja e saj i vuante pasojat edhe me vite më pas. Përveç sa I duheshin vajzës për tu veshur e stolisur,, vet paja përfshinte një inventor të tërë rrobash e pajisjesh edhe për të afërmit e dhëndrrit, Brenda e jashtë familjes së tij. “…O kjo arka kaja-kaja, dil moj vjerrë se po vjen paja/ Le të vijë se nuk e dua, nuk ka sjellë këmishë për mua..”

Paja e madhe dikur kishte të bënte edhe me kushtet në të cilat jetonte femra, por sidomos, me vartësinë e saj të përjetshme e ekonomike ndaj burrit.

Duke analizuar figuracionin poetik të këngës së gruas në Myzeqe, në të kaluarën dhe sot, sheh se në vargjet e saj ka vend çdo gjini, lloj e zhanër i  krijimtarisë gojore. Gjithashtu sheh aty edhe fantazinë e pasur te gruas, alegorinë e saj të hollë ndër vargje epikë e lirikë, për t’i thënë e paraqitur  problemet dhe shqetësimet e saj, me analogjinë e tyre.

Këngët e gruas myzeqare në të kaluarën thumbojnë shumë, shprehje dhe vargje ironike përshkruajnë situate dhe karaktere duke u tallur e përdorur jo rrallë edhe sarkazmën therëse. Përse ndodh kjo? Sepse tallja, humori dhe ironia ishin   e vetmja armë  që I mbetej gruas kundër padrejtësive shoqërore të kohës. Nëpërmjet kësaj “arme” gruaja shpreh indinjatën për pabarazinë  dhe pozitën e saj në familje dhe shoqëri. Kësisoj mbron ose kërkon lirinë e të zgjedhurit të bashkëshortit, lirinë e ndjenjave  dhe gjithë sferës së marrëdhënieve shoqërore. Shpreh ironikisht   zemërimin e mospajtimin    me  realitetin e gjymtuar të kohës.

“Dhëndrri ynë i bukur-o/  kulaç i paskuqur-o! tall kënga martesën e djalit të mitur  si kulaç i papjekur… Tjetër moment qesharak i këtij aspekti është dhëndrri-fëmijë i cili ka turp e frikë t’u dalë dasmorëve dhe nuses.

Prandaj: ”E ka marrë i ati o e përkëdhel/

                 Po i jep llokume kripur me sheqer..!

Por martesa e të miturve ishte plagë e përbashkët, madje, më e rëndë për vajzën, për të cilën kënga thotë;

“..Vjen i ati nuses na bënë rixha shumë/

                                     kam gocën të vogël, mos m’i jepni punë..”

 Ironia më e fortë, si shprehje e indinjatës, vihet re në shpërpjesëtimin e marrëdhënieve familjare, burrë-grua dhe nuse-vjehrrë. Martesa me detyrime, dhënia e një burri që s’e ka dashur kurrë, e bëjnë  nusen myzeqare krahasimet më të shëmtuara dhe ta shprehë hapur  jo mospajtimin, por edhe ta shprehë urrejtjen e hapur ndaj tij:“Burri im si kec i shtyrë, kur e shoh më vjen pështirë/

                           Kur më vjen më rri në brinjë, si kaceku me ullinj…!”

Po kjo ndjenjë e zëmërim zotëron gruan myzeqare edhe për raportet e marrëdhënive të nuses me vjerrët ku rëndon  përjetësisht inferioriteti i  nuses së ardhur aty, edhe ndaj   mashkullit më të vogël të  familjes.

“..O ky vjerri me mëngore, gjithnjë nusen bënë fajtore…”

Dhe më tutje.”…Del vjerra me nëmëstas, kallzon burrin të më vrasë/ Po ç’i bëra unë e mjera,  shtëpinë fshiva si përhera..!” Në qendër të këngës së saj popullore gruaja myzeqare vendos  zakonet që i rëndojnë mbi shpinë sa ia ulin edhe dinjitetin si njeri. Është i  njohur zakoni i lashtë dhe poshtërues kur nuses së porsaardhur tek dhëndrri, më i moshuari i familjes i ve frerin e kalit dhe e tërheq në shenjë bindjeje dhe urtie, ndaj edhe kënga e tall:  “…O ky vjerri me mëngore, tërheq nusen si langore..!”

Ka rëndësi të theksohet fakti se myzeqarja, pavarësisht nga niveli kulturor e arsimor, ka ditur të bëjë  diferencimet socialklasore edhe në marrëdhëniet dashurore dhe martesore. Edhe shokun e jetës e ka kërkuar dhe gjetur brenda standardit të vet, me shprehjen e njohur në Myzeqe  siç  gjen “tenxherja-kapakun”. “..Hiqe djalë sevdan prej meje/ se ti qenke djalë kafeje”

Edhe rastet sporadike të shkëputjes së ndonjerës ngs shtresa  e saj shoqërore, i dënon opinioni dhe i ndjek  kënga e grave:

“..Të gënjeu dhëndërr dovleti, të gënjeu/ Me fustan të sjellë nga deti, të gënjeu..” Ky tendeciozitet klasor i femrës myzeqare edhe ndër këto probleme kaq delikate, dëshmon për përvojën e saj jetësore nga e cila është përftuar mësimi dialektik se pajtimi klasor  përgjithësisht  ka rezultuar pa sukses. E gjithë kjo problematikë e pasur këngësh popullore, gruas myzeqare ka pësuar evolucionin e viteve  dhe është  pasuruar me problemet e kohës, duke reaguar vazhdimisht   ndaj shfaqjeve negative dhe ka evidentuar të renë, progresiven  e cila, ka bërë vend të konsiderueshëm në bashkohorësinë e jetës dhe të jetesës, në rritjen e vlerave morale, shpirtërore dhe materiale të gruas myzeqare.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *