Gruaja në politikë, mes Zonjës dhe kukullës

redaktor

“Çdo vend meriton të ketë udhëheqësit më të mirë të mundshëm dhe kjo do të thotë që grave duhet t’i jepet një shans për të konkurruar. Nqs ata nuk do të lejohen të konkurrojnë në proçesin zgjedhor, atëherë vendet më të vërtetë i zhdukin vetes së tyre një pjesë të madhe talenti.”/-Madeleine Albright

“Ndoshta cilësia ime më e keqe është se e marr me shumë pasion atë që mendoj se është e drejtë.”/-Hillary Clinton

 

Ndoshta e kam të vështirë të trajtoj këtë dilemë: është një dhuratë që u bëhet grave apo është një e drejtë e tyre, e ndoshta shumë më tepër se sa një e drejtë e zakonshme. E kam të vështirë, jo sepse nuk e njoh faktin që ekziston në të vërtetë, por sepse, pas gjithë fasadës që shpesh here rritet artificialisht qëndron një enigma që mund të jetë lehtësisht e kuptueshme: Pushteti politik i burrave është edhe më tej hallka kryesore që mban të mbërthyer dilemën, që nuk do të duhej të ishte e tillë.

Socialistët, si forca drejtuese e vendit, kanë prej kohe traditën e tyre politike që të bëjnë vend në afishimin e vlerës së gruas, si njeri i politikës, i vendimarrjes dhe i vizionit që ka bartur mbi vete. Megjithatë, në të tërë gamën e asaj që është pritur të ndodhë, jo rradhë herë gjithçka përmblidhet në lojën e shifrave dhe të përqindjeve, pa u ndaluar në thelbin e asaj që shtrohet para të gjithëve dhe që mund të përmblidhen në përgjigjet e disa pyetjeve: Përse ndjenja e përgjegjësisë është më e lartë tek gratë dhe korrupsioni shumë herët më i ulët; si ndodh që në jetën politike të progresistëve janë të spikatura disa personalitete të shquara, që kanë mbetur edhe sot si shenja të personalitetit dhe të emancipimit; a është e mundur që “rastësitë” të mos jenë të tilla dhe të kthehen në një dukuri krejt normale të jetës së përditshme?

Në fakt, megjithëse është e vështirë të pranohet, mendimi politik më shpesh është maskilist, herë herë vetë gratë e politikës aktive bëjnë rrugë në përhapjen e një premise të tillë, por kjo nuk do të thotë se është harresa apo droja ajo që sjell ngjarje të tilla.

Nëse në vitet e para të qeverisjes aq të suksesshme të bashkisë së Tiranës, kryeministri i sotëm, Edi Rama shpërndau edhe shembullin e respektit jo monoton dhe të sipërfaqshëm ndaj gruas, në dhjetra bashki të tjera, ku prej viteve kanë qeverisur socialistët, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh edhe sot e kësaj dite.

Shumë është folur dhe flitet për përfaqësimin e grave në politikë. Personalisht si grua, nuk ndjehem e shqetësuar nëse do plotësohen apo nuk do të plotësohen kuotat, sepse në politikën tonë maskiliste, janë detyrime të tjera që e çojnë në plotësimin e kuotave. Ndoshta shumë burra vendet e të cilëve u zunë nga gratë në zgjedhjet e fundit vendore, do më kundërshtonin, sepse ne morëm si gjini 50% të të zgjedhurve këshilltare. Por jam e sigurtë se shumica e grave nuk e mendojnë kështu. Ndërsa ndodh jo rrallë që të zgjedhur majtas votojnë djathtas, për hir të një premtimi për një vend pune a një tender, kjo nuk ka ndodhur me të zgjedhurat gra, dhe e gjitha, pasi në qënien e tyre, ndjenja e familjes dhe predispozita për të mbajtur të lidhur atë, është shumë më e lartë dhe më ndjeshme se tek këshilltarët burra.

E drejta e barazisë është një vlerë themelore e BE, dhe shoqëria jonë është e ndërtuar mbi bazën e barazisë së çdo individi. Nëse nuk do të ishin detyrimet europiane të kuotave, të cilat politikanët tanë janë të detyruar (të paktën aty ku u djeg më pak) t’i përmbushin, jam e sigurtë se gratë do ishin më të pakta në numër. Sepse realisht në 25 vite pluralizëm, ne kemi qenë dëshmitare të një degradimi të parlamentit në nivel intelektual e kulturor, dhe të flasësh për ngritjen e përfaqësimit të nivelit të gruas në një panoramë të tillë, tingëllon paksa absurde.

Mjafton të kujtojmë shifrat e përfaqësimit në 1991 ku gratë përbënin rreth 29% të deputetëve, për të kaluar në shifrat minimaliste të vitit 2005 në 6%, me vendosjen e kuotave situata fillon të përmirësohet, në 2009 me 16% , dhe në 2013 me rreth 18% (që shkon në 22% pas dorëheqjeve dhe zëvendësimeve të disa deputetëve).

Kaq përzemër e kanë partitë politike të drejtuar nga burra, çështjen e përfaqësimit të grave, saqë janë të gatshëm të paguajnë gjobat, pra të blejnë përjashtimin e grave nga përfaqësimi! Ose edhe më keq akoma: përmes njerëzve të tyre të bëjnë presion mbi gratë kandidate për deputete që “të falin” mandatin e tyre për një deputet burrë që vjen në rradhë.

Dëgjojmë jo rrallë të thuhet se mentaliteti dhe kultura jonë maskiliste, nuk krijojnë kushtet e favorshme për përfaqësimin e grave, personalisht mendoj se një politikë e tillë nuk dëshëron t’i hapë rrugë grave. Të promovosh gratë do të thotë të shtysh burrat mënjanë për të lënë vend të lirë, dhe politikanët burra në garën e tyre për pushtet, harrojnë të shohin realitetin dhe nuk duan ta konceptojnë faktin se gjysma më e rëndësishme e shoqërisë, kërkon të përfaqësohet nga individë të cilët e çojnë zërin për ta dhe jo nga numra. Nëse sot shumë gra shkodrane që kanë votuar Partinë Socialiste, do i pyesnin nëse ndjehen të përfaqësuara nga 50% e këshilltareve të majta socialiste, do shprehnin rezerva. Sot nuk mjafton të shpallësh vetëm të drejtat.

Jam e ndërgjegjshme si çdo grua, se barazia në numra vendos një raport forcash që ul maskilizmin dhe zbut shoqërinë; Por këta numra mund të na kthehen në bumerang për të na mbyllur gojën, sepse qenkemi të përfaqësuara. Në këto kohë dyshimesh politike, gratë nuk janë të imunizuara, dhe trajtimi i çështjeve të grave si numra është një fyerje që i bëhet këtij segmenti të rëndësishëm të shoqërisë. Nëse duam të shohim më larg, është detyrim jo vetëm rritja, por kryesisht përfaqësimi cilësor i grave, së pari sepse është një e drejtë demokratike, së dyti sepse gratë kanë një këndvështrim tjetër të të parit të problemeve, dhe së treti sepse gratë dhe burrat paraqesin grupe me interesa të ndryshme shoqërore.

Shumë politikanë në fjalimet e tyre po na shpalosin rigjenerimin e politikës përmes shtimit të numrit të grave, dhe vërtet do e besoja se e kanë seriozisht nëse në vend të kukullave do promovonin Zonja që mendjen dhe vlerat e tyre i vënë në shërbim të zhvillimit, sepse nëse gratë janë aty vetëm për dekor dhe statistikë atëherë politika jonë vetëm po pëson regres dhe vendi po humbet pjesën më aktive. Nëse gratë bashkëpunojnë, apo organizohen në mënyra të reja që nuk marrin parasysh ndarjet tradicionale, ata përballen me rezistencë të ashpër. A përbën kjo një frenim, apo një kontroll, që gratë janë të pranueshme por sipas kritereve të vendosura nga ‘ata’ që bëjnë politikën, pra burrat. Përfaqësimi i grave është një çështje që shpalos sa është e gatshme shoqëria jonë të evoluojë, sa janë të gatshme partitë politike ta trajtojnë këtë çështje me përgjegjshmëri, sa janë të gatshëm politikanët të krijojnë kushtet për emancipimin dhe zhvillimin e vendit.

Është e vërtetë që edhe në vendet e BE, gratë akoma kanë problem nën-perfaqësimi, por në krizën që po kalon shoqëria dhe politika jonë (të mos harrojmë që sapo u miratua ligji i dekriminalizimit), përfaqësimi i grave që çojnë zërin, i zonjave dhe jo i kukullave, mund të shihet si “ilaç” në përmirësimin e klimës politike dhe si një garanci për të ndërtuar të ardhmen. A janë të gatshëm politikanët tanë të na japin një garanci të tillë?

Barazia në politikë vlen, vetëm nëse nuk është thjesht për zhurmë.

Share This Article
3 Comments
  • Modelet e grave te llastuara ne politiken shqiptare me bejne skeptik.Josefina topal;lja,majlinda breku,berrzoola shehaj jane deshtime flagrante,

  • Aman o zot! Nuk kisha nder mend at lexoja dhe ju sugjeroj mos ta lexoni per vete faktin qe eshte e shkruar nga nji “femer” si Rozafa Zmijani. Shkurtimisht mund ta permbledhi me nji person totalisht te paafte, po morale parime, pa ndergjegje, nji person i letrave anonime dhe publike, i levizjeve te deshperuara per pak pushtet te pamerituar ju kujtoj levizjen ne momentin e fundit nga LSI per tek PS se e donte me cdo kusht te ishte deputete (vajmedet). Jam e revoltuar se si i jepet ze nje femre si Rozafa e cila eshte nje fyerje per femren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *