Rreth orës 16:35 të së mërkurës, në policinë e Durrësit ka mbërritur një telefonatë ku një grua ka rrëfyer se ka qëlluar me armë bashkëshortin e saj. Blutë kanë mbërritur menjëherë në lagjen nr.17, në shtëpinë e familjes Zaçellari, ndërsa kanë gjetur burrin e shtëpisë të plagosur, ndërsa gruan me shenja në trup dhe me sy të nxirë.
Ngjarja e rëndë ku Eleonora Zaçellari ka qëlluar me armë zjarri kundër bashkëshortit të saj ndodhi në një ndërtesë të ngritur në një bllok banesash informale në afërsi të ndërtesës së burgut të Durrësit, banesa 2-katëshe dhe e rrethuar me mure me tulla çimentoje.
Konflikti i përgjakshëm ka ndodhur në katin e dytë. Pasi gruaja ka qëlluar burrin që e ka kërcënuar se do ta vriste, është vetëdorëzuar në polici, ndërsa i shoqi është dërguar në urgjencë pasi ka pasë marrë dy plumba në trup. Ekspertët gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë deklaruar fillimisht se janë gjetur 4 gëzhoja pistolete, ndërsa Leonora ka deklaruar se nuk e dinte se sa herë ka qëlluar pasi ishte tepër e tronditur. Gruaja ka deklaruar për policinë se dhunohej fizikisht prej vitesh nga i shoqi. Edhe të mërkurën ka ndodhur e njëjta histori. Pasi e ka rrahur për vdekje dhe e ka lënë të shtrirë përtokë, burri ka nxjerrë pistoletën që e mbante në shtëpi pa leje dhe i ka thënë se do ta vrasë. Pastaj e ka lënë pistoletën në tavolinë dhe është shprehur se do ta therte, pasi ajo s’e meritonte që thjesht ta vriste. Në momentin që ai ka hyrë në shtëpi me thikë në dorë, ajo ka qëlluar me armë ndaj tij.
Burime të policisë bënë të ditur se në trupin e gruas ka pasur shumë hematoma të freskëta dhe dukej se ishte rrahur para pak orësh. Njërin sy e kishte të nxirë, ndërsa dyshohet se është qëlluar me grushta.
Konflikti që përfundoi me plagosje
Policëve gruaja mësohet t’u ketë thënë se e kishte qëlluar të shoqin për vetëmbrojtje, pasi ai e ksihte rrahur dhe e kishte kërcënuar që do ta vriste. Ajo ka rrëfyer se është kthyer nga puna në rrobaqepësi bashkë me kunatën e saj, motrën e burrit. Sapo ka hyrë në shtëpi është rrahur nga i shoqi. Ajo ka treguar se i shoqi e tradhtonte rregullisht prej 8 vitesh dhe e rrihte për të mbuluar tradhtitë e tij. “Ai e dinte që unë e dija se me kë më tradhtonte dhe për të më mbyllur gojën më rrihte”, rrëfeu gruaja.
Para disa kohësh Leonora Zaçellari nuk ka duruar më dhe ka shkuar në shtëpinë e prindërve të saj. 30-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, është kthyer për hir të fëmijëve, por pas kthimit, dhuna ka rifilluar.
Banorët
Banorët e lagjes thonë se kanë konsideratë të madhe për 30-vjeçaren Eleonora, e cila kishte vite që ndodhej nën një tension psikologjik dhe fizik nga të rrahurat e burrit të saj.
Fqinjët kanë folur me fjalë tepër prekëse për fatin e keq të gruas që “i kishte rënë për pjesë” një bashkëshort që ishte tepër posesiv dhe që e keqtrajtonte përgjatë gjithë kohës. Edhe në kolektivin e saj në rrobaqepësinë ku punonte, respektohej nga koleget e punës, që e cilësonin si mjaft të sjellshme dhe punëtore. Fqinjët kanë treguar se bashkëshortët ishin ndarë pak kohë më parë, por ka qenë këmbëngulja e të shoqit që e ka kthyer në shtëpinë e tij. Këtë sakrificë, treguan për gazetën “Dita”, banorët që ndodhen në shtëpitë pranë, ajo e ka bërë për hir të fëmijëve, të cilët ishin 8 dhe 13 vjeç.
Policia
Policia e Durrësit njoftoi zyrtarisht se rreth orës 16:35, në lagjen Nr. 17 Durrës, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Leonora Zaçellari, 30 vjece, e martuar, ka plagosur me armë zjarri, pistoletë bashkëshortin e saj, Përparim Zaçellari, 35 vjeç. Menjëherë pas ngjarjes shtetasja në fjalë ka kontaktuar shërbimet policore të Sallës Operative duke deklaruar të dhënat për ngjarjen dhe iu është vetëdorëzuar së bashku me armën e krimit efektivëve të mbërritur në mënyrë të menjëhershme në vendin e ngjarjes. Policia ka bërë me dije se i dëmtuari është dërguar drejt spitalit me qëllim dhënien e ndihmës mjekësore.