Tre italianë, anëtarë të klanit mafioz kalabrez “Ndragheta”, kanë pastruar në Shqipëri rreth 750 mijë euro.
Gjykata e Tiranës ka urdhëruar bllokimin e pasurive të Andrea Tufariellos dhe Pietro Cosentinos.
Sipas hetimeve, paratë në Shqipëri pastroheshin përmes një kompanie Stargold Albania” me ortak Andrea Tufariello dhe Pietro Cosentino me 50% të aksioneve secili dhe administratore shtetasen Brunilda G.
Kjo kompani merrej me tregtimin dhe përpunimin e arit dhe nënprodukteve të tij. Kjo shoqëri e ka qendrën në Tiranë, rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit” në zonën e Bllokut.
Nga provat e siguruara rezulton se në llogari të subjektit tregtar “Stargold Albania” sh.p.k janë depozituar në vazhdimësi shuma të konsiderueshme monetare, të cilat sipas faturave rezultojnë se kanë lidhje me shitje të floririt nga kjo shoqëri, kryesisht te subjekti “Esposito Preziosi srl Itali”.
Shumat e depozituara për llogari të shoqërisë “Stargold Albania sh.p.k” pranë një banke të nivelit të dytë nga subjekti “Esposito Preziosi srl Itali” shkojnë në miliona euro.
“Gjatë hetimeve paraprake është administruar informacioni nga misioni Interforcë Itali sipas të cilit ortakët e subjektit “Stargold Albania” sh.p.k janë persona të sinjalizuar për përfshirje në aktivitete kriminale, kryesisht vepra penale të marrjes së pronës në mënyrë të paligjshme”, thuhet në vendimin e gjykatës që botohet nga portali “Shqip”.
Mësohet se sipas kontratës për shitjen e kapitalit të datës 20.10.2015 rezulton se ortak i ri i shoqërisë “Stargold Albania” sh.p.k është bërë shtetasi italian, Domenico Papalia, i cili ka blerë rreth 30% të kapitalit.
Sipas informacionit policor rezulton se ky shtetas italian është pjesë e grupit kriminal Ndrageta Itali.
Sipas organit të akuzës, krijohen dyshime se pasuritë e shoqërisë Stargold Albania sh.p.k janë produkt i aktiviteteve kriminale dhe disponimi i lirë i tyre mund të rëndojë pasojat e veprës penale të ‘pastrimit të produkteve të veprës penale ose aktiviteteve kriminale’.
Për këtë arsye kërkohet vendosja e sekuestros preventive mbi llogaritë bankare të shoqërisë “Stargold Albania” në Tiranë – ”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Paguajne taksa keta? Po lerini te shkreten. Pse cfare bene Zvicra, e Luksemburgu? Kapni keta qe sjellin lek e s’kapni kriminelet ordiner qe na felliqen.