Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka shtyrë vendimin për ndryshimet në ligjin për statusin e nëpunësit civil. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist të drejtuar nga Kryeministri Rama. Sipas kalendarit 3 javor të punimeve të Parlamentit, këto ndryshime duhej të miratoheshin në seancës e ditës së enjte të 27 marsit.
Por burime nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste shpjegojnë se mazhoranca do të presë edhe pak kohë opozitën, në kërkim të një konsensusi në ndryshimin e këtij ligji, i cili u miratua me dakortësinë e palëve në një seancë të jashtëzakonshme në maj të vitit të kaluar.
Sipas të njëjtave burime, socialistët janë tërhequr nga amendimi i ligjit për Mediat Audiovizive që kishte si qëllim shkarkimin e anëtarëve dhe kryetares së AMA-s, Endira Bushati. Kjo, për t’i hapur rrugë memos së pergatitur nga Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura të Kuvendit, ku mandati i anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe ai i kryetares Endira Bushati cilësohet i përfunduar.
Në të njëjtën mbledhje të grupit parlamentar socialist, mësohet se Kryeministri Rama ka kërkuar ritme më të larta pune nga deputetët, duke u tërhequr vëmendjen për vonesat në diskutimet e projektligjeve.
