Grupimi “Dhjetor ‘90” u kërkon kandidatëve për kreun e ri të PD-së ta shpallin publikisht në platformat e tyre parazgjedhore përfshirjen si organizatë partnere. Në një njoftim, “Grupimi ‘90” kërkon të njëjtin status si Forumi Rinor dhe Lidhja Demokratike e Gruas.
“Grupimi “Dhjetor 90” ka ndjekur me vëmendje dhe interes të veçantë garën elektorale brenda partiake pas humbjes çoroditëse që pësoi koalicioni i udhëhequr nga PD-ja në zgjedhjet e 23 Qershorit. Partia Demokratike e themeluar në shumicë prej studentëve , pedagogëve intelektualëve dhe elitës së qytetarisë të kryeqytetit është udhëhequr me kompetencë dhe përkushtim nga lideri i Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, nga Sali Berisha, Eduard Selami, Tritan Shehu. Në drejtimin e kësaj force politike kanë kontribuar edhe drejtues të lartë politikë e shtetërorë si Pjetër Arbnori dhe Gramoz Pashko , Aleksandër Meksi dhe Uran Butka e dhjetëra figura të tjera që me kontributet e tyre i kanë bërë nder jo vetëm Partisë Demokratike por edhe Shqipërisë. Grupimi ynë si bashkësi idealistësh beson se gara aktuale për lider të ardhshëm të PD-së është një aksion politik i një rëndësie vitale për forcën politike që udhëhoqi vendin pas përmbysjes së diktaturës. Dy kandidatët në garë po dinamizojnë jetën e partisë, pas një periudhe harrese dhe letargjie. Kjo garë e para e këtij lloji në këto 23 vite të pluralizmit politik në vend, për ne që e kemi themeluar dhe ngritur Partinë Demokratike, për ne që e kemi përjetuar rrëzimin me armë të saj nga pushteti në vitin e mbrapshtë 97, për ne që e kemi ringritur nga hiri me të njëjtin guxim dhe kurajo si në vitin ‘90 është gara dhe sfida më e rëndësishme e Partisë Demokratike në historinë e saj.
Rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit ka sjellë në realitetin politik shqiptarë shifra të frikshme, “pronarët” e këtyre rezultateve e rrisin rrezikshmërinë e përdorimit të votës për revansh dhe hakmarrje ndaj pakicës që per ne janë idealistët, të përndjekurit politik, ish-pronarët, sipërmarrësit e rinj privatë, punonjësit e përkushtuar dhe profesionistët e administratës shtetërore. Prandaj zgjedhja e kryetarit të ri të forcës më të madhe të opozitës është një përgjegjësi e madhe qytetare jo vetëm e anëtarësisë së Partisë Demokratike.
Ai që do rezultojë fitues i zgjedhjeve të nesërmen e shpalljes së rezultatit duhet të heqë kollaren, të flakë parfumet dhe t’i përvishet punës për të riorganizuar PD-në e harruar. Kryetari i ri i PD-së duhet të gdhihet në Progonat, në Shalë, në Lënie, në Cernalevë, në Urakë, në Lekbibaj, në Golem, në Liqenas, në Potom, në Stravaj, në Fishtë e Zall Bastar pa marrë në konsideratë qendrat e qyteteve të mëdha dhe të vogla ku situata organizative e partisë është edhe më e mjerë.
Ne si fibër e ndjeshme, e qenësishme jo vetëm për resurset njerëzore që bartim por edhe për përvojën e gjatë, qëndrimet e përhershme dhe pa asnjë kompromis kundër simptomave të korrupsionit, harresës së anëtarësisë, mosrespektimit të kontributeve dhe dëmtimit të institucionit të karrierës ju afrojmë të dy konkurrentëve në garë, zotit Olldashi dhe zotit Basha, kontributet tona n.q.s. ata do të marrin përsipër të shpallin publikisht në platformat e tyre parazgjedhore përfshirjen e grupimin “Dhjetor ‘90” si organizatë partnere me statusin që gëzojnë sot Forumi Rinor dhe Lidhja Demokratike e Gruas. Ne besojmë që kjo garë do të shërbejë për forcimin dhe ringjalljen e Partisë Demokratike për krijimin e një opozite reale dhe konstruktive për të mirën e PD-së dhe të vendit”, thuhet në njoftim.
Pd duhet te jete partner me ju.Basha demokrat? Ai rri 4 ore duke bo depilim.