Ndeshja me Serbinë ka zgjuar imagjinatën e tifozëve kuqezinj, veç të tjerave, për gjetje interesante, nga më të ndryshmet, me të cilat duan të dëshmojnë dashurinë për kombëtaren. Njëkohësisht, ata duan ta saklitin në mendje, po e po, por edhe në trup antipatinë, më e pakta, për serbët, pas asaj që ndodhi në Beograd, 14 tetorin e kaluar.
Dje botuam një “çmenduri” të një tifozi, i cili jepte makinën (që kushton jo më pak se 1 mijë euro) në këmbim të një bilete për ndeshjen ndaj Serbisë, e cila do të luhet në “Elbasan Arena”, më 8 tetor, ora 20:45, ndërsa të tjerë kishin hedhur në rrjetet sociale një recete mjeku, ku “pacient” kishin “Serbinë”, ndërsa si diagnozë jepnin “Shqipëria në Euro 2016”.
Adresa e “pacientit” ishte “Ferri”. Sot, dy ditë para “ndeshjes së shekullit”, sikurse është konsideruar nga shqiptarët, një tifoz (Lekë Dobruna nga Gjakova) ka hedhur në Facebook tatuazhin e bërë një njërën pulpë të këmbës. E çfarë është aty, do të thoni ju? Hiç më pak se grushti i Lorik Canës te koka e tifozit serb, i cili hyri në fushë 14 tetorin e kaluar, goditi me karrige kokës Bekim Balajn, ndërsa kapiteni kuqezi u vërsul në mbrojtje të bashkëlojtarëve si “shqiponja” që vien nga qielli. Ai moment ka mbetur i pashlyer në memorien e tifozëve shqiptarë, të cilët nuk harrojnë as koret raciste, shprehjet “vritini, vritini shqiptarët”, apo dhunimin e goditjet fizike të kuqezinjve tanë, brenda e jashtë tapetit të blertë.
Edhe “njeriu i dronit”, Ballist Morina, pozoi duke puthur grushtin e Lorik Canës para ndeshjes në Kopenhagen, më 4 shtator, çka irritoi pa masë trajnerin Morten Olsen, i cili nuk la pa e denoncuar këtë lloj sjelljeje në konferencën për shtyp. Cana ka disa tatuazhe me kuptime kombëtariste në trupin e tij, por tashmë ai vetë, duke grushtuar tifozin serb, gjendet në trupin e një tifozi kuqezi, çka me gjasë do të kthehet në një “markë” për shumë veta, para e pas ndeshjes me Serbinë./ Telesport



