Guardiola: Po i vrasim lojtarët, s’janë robotë

redaktor

Trajneri i Bayernit të Mynihut, Pep Guardiola ka minimizuar rëndësinë e tabelës së klasifikimit në këtë fazë të sezonit. Këtë të martë bavarezët do të përballen me Paderbornin skuadrën e ardhur nga Bundesliga e dytë që ka surprizuar jo pak në këtë fillim sezoni teksa pas katër javëve të para kryeson renditjen me 8 pikë.

Aq pikë sa ka aktualisht edhe Bayerni, por kampionët e Gjermanisë në sajë të golavarazhit më të dobët se Paderborni, por edhe se Mainzi dhe Hoffenheimi pozicionohen në vendin e 4-t. Sipas trajnerit spanjoll Bayerni duhet të përqendrohet vetëm te ndeshjet e tij pasi është herët për të hedhur vështrimin nga klasifikimi. “Tabela e klasifikimit nuk është e rëndësishme në këtë moment të sezonit.

Ne duhet të përqendrohemi vetëm te performancat dhe rezultatet tona dhe nuk duhet të shohim aspak se çfarë bëjnë të tjerët. Paderborni i ka bërë një nisje impresionuese sezonit dhe kjo gjë dallohet qartë kur shikon klasifikimin. Ata do të përpiqen ta në bëjnë sa më shumë dëme edhe në sfidën e Alianz Arenas. Besoj se do të tregohen agresivë pasi nuk kanë asgjë për të humbur”, tha tekniku i bavarezëve.

Paraqitjet e Bayernit në këtë fillim sezoni kanë lënë shumë për të dëshiruar, por për vetë faktin se skuadra luan çdo tre ditë Guardiola kërkon që tifozët të tregohen të duruar me futbollistët pasi për ta një gjë e tillë nuk është aspak e lehtë.

“Unë mendoj se ne po i vrasim futbollistët, po kërkojmë shumë prej tyre , por ata nuk janë robotë dhe kanë nevojë edhe për pushim. Kjo gjë është mëse e vërtetë dhe nuk po i ndodh vetëm Bayernit por edhe Leverkusenit e Dortmundit. Është e pamundur të luash cdo tre ditë dhe të hedhësh në fushë të njëjtët futbollistë”.

Në sfidën me Paderbornin Bayerni do të vuajë sërish mungesën e francezit Franck Ribery ndërkohë që Arjen Robben edhe pse është grumbulluar nga Guardiola për këtë përballje aktivizimi i tij vazhdon të mbetet në dyshim.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *