Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, beson se Premier League ka ende hapa që duhet të marrë për t’u bërë liga më e vështirë.
Guardiola është në sezonin e tij të dytë në krye të Manchester City, pasi ka fituar tre tituj të La Liga-s dhe dy kurora të Ligës së Kampionëve në krye të Barcelonës, si dhe tre tituj të Bundesliga me Bayern Munich.
Por, spanjolli tha se Premier League nuk ishte ende më e vështira, duke treguar rezultatet e klubeve angleze në Europë.
Chelsea ishte skuadra e fundit angleze që ka fituar Ligën e Kampionëve, duke pretenduar trofeun në vitin 2012, me Spanjën (gjashtë herë), Gjermaninë (dy herë) dhe Italinë (dy herë), si kombet finaliste që atëherë.
“Unë e di që ju pëlqen të dëgjoni se Premier League është më e vështira, se jeni më të shikuarit, – tha Guardiola përmes “Mirror”. – Sigurisht, Premier League është e vështirë, aq e vështirë, por nuk do të thoja se “Santiago Bernabeu”, “Camp Nou”, Bilbao, Athletic, Sevilla janë të lehtë. Sepse, në dhjetëvjeçarin e fundit, të gjitha skuadrat spanjolle arrijnë në Ligën e Kampionëve dhe “Europa League”. Mos harroni fitimin e “Europa League”, siç ka bërë Sevilla tri herë radhazi.
Premier League do të jetë e vështirë kur kjo do të ndodhë, me pesë ekipe në Ligën e Kampionëve dhe të arrish raundet e fundit. Ne mund të themi se Premier League është liga më e vështirë, por duhet ta bëjmë këtë hap”.
Skuadra e Pep Guardiolës mori një fitore dramatike 2-1 ndaj Bournemouth, të shtunën, për të bërë shtatë pikë në tri ndeshjet e para të kampionatit anglez, të mjaftueshme për të zënë vendin e katërt në klasifikim.
