Me ardhjen e Pep Guardiolës te Bajerni, kartonat e verdhë janë sheshuar, sidomos në Bundesligë. Loja e prirur drejt pasimeve dhe lëvizjeve që sjellin ndryshueshmëri pozicionesh ka bërë që bavarezët t’i largohen lojës fizike, por temperamenti i disa lojtarëve nuk ka ndryshuar.
Kështu, pas dy kartonëve të kuq në Champions League (nga Ksabi Alonso dhe Medhi Benatia), lojtari tjetër që do të mund të skuqej te Bajerni do të ishte Frenk Riberi. Francezi historikisht bie lehtësisht pre e provokimeve, ashtu siç ndodhi në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë me Braunshvajgun.
Francezi iu përgjigj një faulli të mbrojtësit Benxhamin Kesel duke tentuar t’i japë një shkelm, ndonëse nuk ia doli. Gjithsesi, ka një rregull të vjetër futbolli, sipas të cilit mjafton përpjekja për të ndërhyrë keq për t’u ndëshkuar nga gjyqtari. Për fatin e mirë të Riberisë, gjyqtari nuk e pa shkelmin e 31-vjeçarit, por trajneri Guardiola nuk e harroi episodin.
Duke folur për gazetën gjermane “Sport Bild”, tekniku katalanas paralajmëroi Riberinë që të paktën në Champions League të ketë kujdes. Pep gjithashtu garantoi se kjo nuk do të ndodhë më te Bajerni.
“Duhet ta kontrollojmë këtë gjë. Sigurisht, Frenku gjithnjë dëshiron të ndihmojë në maksimum skuadrën, por kur ngelim me dhjetë lojtarë në Champions League, punët bëhen të rrezikshme. Ne e kemi kaluar dy herë këtë sivjet, me Alonson dhe Benatian. Në të ardhmen nuk do të ndodhë më”, u shpreh 44-vjeçari.
