Bastian Shvajnshtajger nuk do të jetë titullar sot kundër Fraiburgut, pasi trajneri Pep Guardiola mendon se është ende herët që ai të luajë nga minuta e parë. Mesfushori u rikthye në lojë në mesjavë, kur luajti 25 minuta kundër Hamburgut në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë. Kthimi i tij është lajm i mirë për Bajernin, që tani është në prag të ndeshjeve të rëndësishme në Champions League, kundër Arsenalit. Por Guardiola thotë që lojtarit i duhet të presë ende për të qenë titullar.
“Është ende herët. Shvajni është një lojtar i padiskutueshëm dhe shpresoj që ai të përmirësohet ditë pas dite për të arritur në formën më të mirë”. Edhe pse vëmendja shkon natyrshëm te ndeshja e javës së ardhshme me Arsenalin, trajneri kërkon që përqendrimi për Fraiburgun të jetë maksimal: “Ndeshja e radhës është më e rëndësishmja për ne. Fraiburgu është shumë agresiv. Nuk bëhet fjalë për argëtim, por për shumë punë nga ana jonë. Duhet të vrapojmë dhe vetëm të vrapojmë”.
