Triumfi i Kukësit në finalen e Kukës së Shqipërisë, u prit me entuziazëm edhe në shtëpinë e Teutës, ku i gëzohen pjesëmarrjen në Europa League.
Tashmë drejtuesit e “Djemve të Detit” duhet të bëjnë planet për aventurën europiane, ku përveç programimit të një faze përgatitore të detajuar, duhet të mendojnë edhe për ndonjë përforcim të mundshëm.
Mirëpo më parë duhet zgjidhur çështja e trajnerit, pasi ende nuk dihet nëse skuadrën do të vijojë ta drejtojë Gugash Magani, njeriu që ka meritën kryesore për pjesëmarrjen në Europa League.
51-vjeçari kërkohet me ngulm nga presidenti i Flamurtarit Sinan Idrizi, për të nisur një projekt të ri nga klubi vlonjat, ndërkohë që më parë duhet të shkëputet nga Teuta, të cilën e projektoi që në fillim të sezonit që sapo u mbyll.
Kjo situatë duket se e ka vënë në vështirësi trajnerin peqinas, i cili para se të pranojë ofertën vlonjate, duhet të sqarojë pozicionin e tij në krye të durrsakëve.
Orët në vazhdim parashikohet një takim me Maganit dhe presidentit të Teutës, Edmond Hasanbelliu, për të vendosur pikat mbi “i”.
Në Vlorë presin që Magani të nisë punën për ndërtimin e një skuadre pretendente, ndërsa në Durrës nuk dëshirojnë të humbasin një trajner që falë aftësive të tij mori më të mirën nga një grup futbollistësh që fillimisht të kampionatit nuk u morën në konsideratë nga rivalët.
Takimi kokë më kokë mes Maganit dhe Hasanbelliut do ta zgjidhë shumë shpejt këtë çështje.
