Ekonomitë e rajonit që janë në ngërç, si ajo greke, por edhe italiane, përcjellin sinjale negative në tregjet ndërkombëtare të borxheve, duke vështirësuar huamarrjen në tregun ndërkombëtar dhe rritje të normës së interesit dhe për borxhin shqiptar, duke na shtuar koston e borxhit. Borxhi i buxhetit me interesa më të larta ka si pasojë edhe rritjen e interesit të kredisë që marrin individët dhe biznesi shqiptar. Pra dhe individët dhe bizneset do i kenë kreditë me interesa më të larta. Emigrantë të shumtë janë tashmë sipërmarrës të vegjël e të mesëm në Greqi dhe janë të punësuar në aktivitetin e ndërtimit, bujqësi, etj.
Praktikë e përhapur atje është pagesa e vonuar (mundet dhe për disa eksportues shqiptarë të jetë po kështu). Mund të ndodhë që pagesa pas disa muajsh të mos realizohet nga falimentimi potencial, por edhe nëse merret pagesa, vlera e marrë do të jetë shumë më e vogël nga zhvlerësimi përmes inflacionit. Ekonomia shqiptare tashmë gulçon në disa drejtime. Kriza greke dhe ajo evropiane janë kosto dhe goditje shtesë, ose siç njihet ne gjuhën teknike, goditet nga kosto e pasigurisë e mosbesimit. Një seri treguesish kanë luhatje relativisht të mëdha dhe do të pësojnë edhe të tjera, si p.sh. kursi i këmbimit të euros, normat e interesit, çmimet e disa mallrave bazë si nafta e drithërat. Avantazhet e ekonomisë sonë të tre-katër viteve më parë tani janë zhdukur. Masat anti-krizë nga ana e qeverisë janë inekzistente. Problemi qëndron jo aq në skemën që ndiqet – rritje e ethshme e shpenzimeve publike për vota, por në pasojat e pritshme më vonë të këtyre shpenzimeve dhe në “efekti domino” që ato krijojnë. Rënia e fortë e të ardhurave tatimore lidhet jo vetëm me efektet e krizës aktuale, por edhe me një politikë fare të papërgjegjshme qeveritare për të zbutur pasojat e krizës. Situata e sotme e ekonomisë shqiptare, duke përfshirë edhe parashikimet kontradiktore të rritjes ekonomike: tejet optimiste nga ana e qeverisë dhe përherë e më realiste, por fatkeqësisht në nivele nën 2 përqind nga institucionet e specializuara ndërkombëtare, mund të konsiderohet pa frikë si një stanjacion ekonomik, d.m.th. një hap larg recensionit dhe pasojave të frikshme të tij. Kur flasim për stanjacion nuk nisemi thjesht nga përkufizimi i kësaj dukurie që shfaqet në jetën ekonomike të një apo disa vendeve, si një periudhë kur ekonomia rritet me një ritëm ekstremisht të ulët dhe shkon drejt recensionit. Në teorinë ekonomike, por edhe në përvojën e vendeve të ndryshme, gjatë stanjacionit, pamundësohet hapja e vendeve të reja të punës, ulet besimi konsumator dhe i bizneseve, kredidhënia shënon ulje dhe madje edhe mund të asfiksohet, siç po ngjet tek ne. Natyrisht që situata e stanjacionit lidhet me ciklin e biznesit, me situata paqëndrueshmërie ekonomike që krijon p.sh. kriza aktuale globale, si dhe karakterizohet nga një nivel i ulët i inflacionit, gjë që nuk nxit rritjen e kërkesës për para, etj.
Por ama, kur ajo është e shoqëruar me një tension të ngritur politik si ky i pragzgjedhjeve të qershorit, me mundësinë që tensioni politik të përshkallëzohet, nëse kontestohet rezultati i zgjedhjeve, parashikimet për ekonominë tonë ngjajnë gati ogurzeza. Ekonomisë sonë tashmë i kanë shteruar burimet ekstensive të rritjes së saj. Ajo s’mund të marrë asnjë ndihmë nga ekonomitë fqinje, në të kundërt. Zhvillimet e fundit në ekonomitë e Greqisë dhe Italisë nuk mund të mos influencojnë në përkeqësimin e situatës në ekonominë tonë kombëtare, ndonëse kanalet e transmetimit të krizës mbeten po ato: rënia e mëtejshme e prurjeve monetare të emigracionit (remitancat), pamundësim i punësimit sezonal (kryesisht në Greqi), vështirësim i statusit të shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në vendet perëndimore, dhe nëse situata rëndohet më tej duke përfshirë edhe implikimet politike të rrymave nacionaliste e raciste (p.sh. në Greqi) mund të nxitet edhe rikthimi në shkallë relativisht të gjerë i emigrantëve drejt Shqipërisë. Dhe gulçimi i fundit i jashtëm: dalja eventuale e Greqisë nga Eurozona.
