Njerëzit, mbas sherreve, ndeshjeve e luftrave, më së fundi ranë dakort të ndanin “Të tërën” në kafshata të barabarta. Dhe, për këtë iu luten Zotit t’i ndihmonte. Zoti, për t’i kënaqur të gjithë, dhuroi kandarin e tij dhe si “matës” caktoi të saktin e të saktëve, si “ndarës” të mirin e të mirëve dhe si “dhënës” të drejtin e të drejtëve. Peshuan, ndanë, dhanë, dhe…
Midis njerëzve plasi përsëri sherri, grindja e lufta… Zoti u tërbua dhe si i tërbuar u lëshua me sharje dhe fajësime të zgjedhurve që matën, ndanë dhe dhanë…
-Nuk është faji i ynë O Zot i madh – kundërshtuan tre të zgjedhurit….
-Nuk është faji i juaj?! E gjithë Njerëzia për ju po ankohet. Keni matur gabim, keni ndarë gabim dhe keni dhenë gabim…
-Jo o Zot i madh… Matëm saktë, ndamë saktë dhe dhamë saktë…Por me ç’na panë e ç’na shohin sytë, pikërisht tek kjo “e sakta” qëndron gabimi.
-Aaaa… Këtu qenka gabimi ëëë?! – u hakërrua Zoti.-Pra gabimi është i kandarit tim?
-Jo. Nuk është as gabimi i kandarit tënd por as gabimi i ynë. Është gabimi i… Yt.
-I imi?!
-Po o Zot i madh. Kandari i peshoi tamam kafshatat, ne i matëm tamam, i ndamë dhe i dhamë tamam, por Ti… për kafshata të barabarta, njerëzve u ke dhënë gurmaze të ndryshëm… Çdo gurmaz o Zot i madh kërkon kafshatën e tij që s’ka kandar perendie ta masi, s’ka mirësi perëndije ta ndajë e s’ka drejtësi perendie ta japi…
Letër e nënshkruar,
Astrit Çerma
