Gustavo te Volfsburgu, Arsenali mbetet duarbosh

redaktor

Luis Gustavo është larguar nga Bajerni, por ka preferuar të qëndrojë në Gjermani, duke firmosur për pesë vjet me Volfsburgun. Kampioni i Evropës, një “xhol” në formacionin e drejtuar nga Jup Hajnkes sezonin e kaluar është transferuar për shifrën e 15 milionë eurove. Pas ardhjes së Pep Guardiolës në drejtimin e bavarezëve dhe me blerjen e Tiago Alkantarës, Gustavo e kuptoi që nuk kishte më hapësirë në formacion. Qëllimi i Gustavos është të luajë me vazhdimësi, në mënyrë që të jetë gati verën e ardhshme për botërorin. Ai thotë se është konsultuar edhe me trajnerin e kombëtares, Felipe Skolari, i cili ia ka rekomanduar qëndrimin në Gjermani. “Mora në konsideratë shumë gjëra”, tha Gustavo. “Më pëlqen Gjermania, siguria që më jep ky vend. Më pëlqen edhe projekti i Volfsburgut”. Aty ai do t’i bashkohet një kolonie të vogël braziliane, me katër patriotë të tjerë. Ndërkaq, edhe pse u fol shumë për një kalim tek Arsenali, vlen të thuhet se nga londinezët nuk pati kurrë ofertë dhe gjithçka ekzistonte vetëm në media. Volfsburgu është skuadra e tij e tretë gjermane, pasi ka luajtur edhe me Hofenhaimin.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *