Ekonomia shqiptare po kalon ditët e saj më të vështira. Një nga pikat më problematike të kësaj ekonomie është rritja e borxhit publik. Në këtë kontekst, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani në daljen publike të tij në prag të zgjedhjeve të përgjithshme ka gjykuar të kërkojë nga forcat politike të jenë më të kujdesshme me premtimet e tyre në fushën ekonomike, duke qenë realiste në atë cka kërkojnë. Por ajo që Fullani ka kërkuar dje më forcë është mbajtja nën kontroll e borxhit publik. Për këtë ai sugjeroi se Shqipëria duhet të përcaktojë një tavan të ri borxhit publik, në përputhje me kushtet e reja në të cilët ndodhet ekonomia dhe buxheti. “Banka e Shqipërisë nuk sugjeron një shifër konkrete, por kërkon një objektiv të ri, që të garantojë qëndrueshmëri afatgjatë, por pa masa shtrënguese ekstreme që do t’i merrnin frymën ekonomisë”. Në analizën e Bankës së Shqipërisë, ekonomia ka vijuar me ritme të ulëta të rritjes edhe në pjesën e parë të vitit 2013, hap ky i përcaktuar kryesisht nga kërkesa e dobët konsumatore. Informacioni më i fundit sugjeron se dobësia e aktivitetit ekonomik është mbartur edhe në muajt e parë të vitit 2013. Në balancë, të dhënat e disponuara tregojnë për ecuri të ngadaltë të konsumit dhe të investimeve private. Familjet shqiptare vazhdojnë të shfaqin një tendencë të ulët për shpenzim, të ndikuara nga pasiguria për qëndrueshmërinë e burimeve të financimit dhe nga ngadalësimi i ritmeve të rritjes së të ardhurave të disponueshme. Në një efekt zinxhir, dobësia e kërkesës agregate, pasiguria e vetë bizneseve për të ardhmen, por dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit, nuk kanë inkurajuar ndërmarrjen e investimeve të reja private. Nga ana tjetër, rritja ekonomike në muajt e parë të këtij viti vlerësohet të ketë gjetur mbështetje kryesisht në kërkesën e huaj dhe në kërkesën e sektorit publik. Këto janë të dhënat që jepen nga Banka e Shqipërisë, duke përforcuar dhe një herë idenë se në cilat kushte po kalon ekonomia jonë. “Borxhi i ulët dhe i kontrolluar publik krijon një ambient më të mirë për iniciativën private, nëpërmjet ruajtjes së normave të ulëta të interesit dhe rritjes së fondeve të disponueshme, duke ndihmuar kështu rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit”, u shpreh Fullani, duke kërkuar në këtë mënyrë që borxhi publik të jetë i kontrolluar. Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%, pasi vlerëson se kushtet aktuale monetare janë të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në afat të mesëm.
