Shtohen zërat kundër heqjes së tavanit për borxhin publik të miratuar pak ditë më parë në komisionin e ekonomisë vetëm me votat e mazhorancës. Në një dalje publike Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kërloi një rregull të ri fiskal, pas heqjes së tavanit ligjor të borxhit. Guvernatori Fullani la të kuptohet se Banka Qendrore nuk e miraton një situatë ku mungojnë përcaktime dhe kufizime ligjore për borxhin.
Ai kërkoi që palët politke të ulen dhe të miratojnë një rregull të qartë, që mund të parashikojë, në parim, konsolidim fiskal në periudhat e rritjes ekonomike të kënaqshme dhe, përkundrazi, ekspansion fiskal në kohërat kur ekonomia ndodhet në vështirësi.
Po kështu shefi i Bankës Qëndrore hedh poshtë zërin e kryeministrit për rritjen ekonomike. Përkundrejt optimizmit të Kryeministrit për rritje ekonomike të lartë në gjysmën e dytë të vitit, zoti Fullani tha se, edhe për tremujorin e tretë, sinjalet janë për një rritje të dobët. Një fakt i tillë që u pohua para pak ditësh dhe nga Ministri i Financave, Ridvan Bode në komisionin e Ekonomisë gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2013. “Aktiviteti ekonomik në vend pritet të rritet me norma pozitive, por këto norma pritet të mbeten të ulëta dhe nën potencial. Ecuria e dobët e konsumit dhe investimeve private kufizon hapësirat e rritjes ekonomike” u shpreh Fullani duke shtuar gjithashtu se “stimuli fiskal mund të jetë në rritje gjatë vitit të ardhshëm, duke plotësuar kërkesën e huaj si një mbështetës afatshkurtër i rritjes ekonomike gjatë vitit të ardhshëm. Megjithatë, efekti tërësor i stimulit fiskal do të varet nga reagimi i sektorit privat dhe ai i tregjeve financiare. Ndërkohë, efekti afatgjatë i tij do të varet nga kostot shtesë që do të sjellë ai në buxhet”.
Duke u ndalur në një pikë tjetër të rëndësishme, atë të funksionimit të bankave të nivelit të dytë, Guvernatori përsëriti apelin që bankat të tregojnë më shumë fleksibilitet dhe t’i vendosin bilancet e tyre të shëndetshme në shërbim të kreditimit të ekonomisë, ndërkohë që ju bëri për të disajtën herë thirrje individëve dhe bizneseve të rrisin konsumin dhe investimet.
Në të vërtetë niveli i kredidhënies është ulur këto muaj, duke u shtuar gjithashtu kreditë me probleme si dhe kushtet për kredimarrje. Përsëritja e Fullanit për lehtësim kushtet në kredidhënie nga bankat e nivelit të dytë ka qenë permanente, por që nga bankat nuk është reflaktuar si duhet.
Norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar, në 4 për qind, vendim i marrë dje nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe i deklaruar nga Guvernatori Fullani pas kësaj mbledhje.