Habia e radhës, kritikë për kritikun e një libri që nuk e ka lexuar atë!

Bora Basholli

Fatos Tarifa

Sa poshtë ka rënë gazetaria shqiptare! Në ç’nivel të mjeruar është ajo! Të paaftë për të bërë vetë analiza mbi ngjarje e dukuri të jetës politike, ekonomike e kulturore në vend, gazetarët tanë, jo rrallëherë na shesin si “produkte të gatshme” idetë që shprehin, ose gjepurat që postojnë në Facebook disa prej “intelektualëve” tanë. Këtë herë, habia e radhës ishte botimi dje, në Panorama, i opinionit që ka postuar në Facebook një letrar apo studiues, si Sadik Bejko. Edhe titulli i njoftimit në atë gazetë ishte “domethënës” dhe shproporcional me përmbajtjen dhe rëndësinë e asaj çfarë i komunikohej publikut: “Bejko për Bllokun e Kalos: Shërbim devotshmërie”.

Ky zotëri, që nuk është shquar kurrë për asgjë, pa pasur durim ta lexojë një libër shumë të mirë, Bllokun, që Prof. Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës, ka botuar ditët e fundit me UET Press, nxiton ta stigmatizojë autorin e tij, një njeri të shquar të mjekësisë shqiptare, si “një nëpunës besnik ndaj shefit të vet edhe kur atë e kanë liruar nga shërbimi”. Pohim më qesharak e më sharlatanesk se ky nuk ka si bëhet. Për më tepër, nga dikush që pohon se ka lexuar vetëm disa fragmente të librit “në rrjetet sociale”, por jo vetë librin.

E bukura është se, z. Bejko, nuk e di se për ç’arsye, ishte i pranishëm (ka shumë të ngjarë i paftuar) në promovimin e këtij libri tri ditë më parë dhe i dëgjoi vlerësimet pozitive që u thanë për të. Unë vetë, pasi e kisha lexuar Bllokun e Prof. Kalos në dorëshkrim, jam shprehur publikisht për këtë libër me këto fjalë: “Një mister antiutopik orwellian i zbuluar krejt papritur para syve tanë nga një dëshmitar i besueshëm, përmes një optike realiste dhe humaniste. Prof. Kalo e merr lexuesin në labirintet e panjohura të Bllokut për të shpjegur se si funksionoi diktatura komuniste në Shqipëri dhe cila ishte hierarkia e atij sistemi. Një libër që duhet lexuar nga kushdo”.

Sadik Bejko, që supozohet të jetë një “njeri i letrave”, pra që lexon, mendon dhe shkruan, u thotë miqve të tij në Facebook—dhe Panorama nxiton t’i bëjë publike fjalët e tij për lexuesit e saj, sikur ato fjalë t’i kish thënë Noam Chomsky, Adam Michnik apo Harold Bloom—se botimi nga Prof. Kalo i kujtimeve të tij në një libër si Blloku, shpreh gjoja “devotshmërinë” me të cilën autori, ky personalitet i shquar i mjekësisë sonë, i ka shërbyer diktatorit komunist, si mjek personal i tij. Për më tepër, Bejko, i cili, e përsëris, pohon se nuk e ka lexuar librin e Prof. Kalos, i akuzon autorin dhe botuesin e tij sikur këta, me botimin e këtij libri, synojnë të “rehabilitojnë” diktatorin komunist dhe bashkëshorten e tij.

Unë kam njohur në jetë shumë njerëz mendjengushtë, por mendje-ngushtësia, subjektiviteti dhe malinjiteti me të cilin z. Bejko e vlerëson një libër shumë të mirë (pa e lexuar atë), një libër shoqërisht të dobishëm dhe një burim informacioni shumë të rëndësishëm, krejt të veçantë në llojin e vet e të besueshëm për historianët dhe studiuesit tanë të periudhës së socializmit shtetëror, më habisin në atë masë, sa pyes veten (dhe ju, të dashur lexues) se si është e mundur që ka, ndër “profesorët” tanë, të tillë njerëz, si z. Bejko, që dinë kaq shumë, që ua kuptojnë qëllimin autorëve edhe pa ua lexuar veprat (paçka se vetë këta profesorë nuk kanë botuar ndonjë vepër në jetën e tyren), që çdo përpjekje të ndershme, të vështirë, kurajoze, dinjitoze e të dobishme për shoqërinë, siç është, me shumë meritë, edhe Blloku i Prof. Kalos, e shohin si një nostalgji për të shkuarën komuniste, apo si një përpjekje për të indoktrinuar publikun e sotëm?

Dhe gazetarët tanë, të lumturuar që Sadik Bejko, ky mendimtar dhe kritik i shquar, postoi në Facebook dy-tre mendime in-koherente, joracionale, nxitojnë t’ia bëjnë ato të njohura një publiku, që nuk do t’ia dijë për Facebook-un e Bejkos dhe as për gjykimet e painformuara dhe pa asnjë vlerë të tij.

Këdo që dëshiron të dijë më shumë e të kuptojë më mirë se si u instalua, si funksionoi dhe si u rrëzua diktatura e proletariatit në Shqipëri dhe cili ishte, në të vërtetë, “Blloku i udhëheqjes”, apo qendra ontologjike e atij regjimi, unë e këshilloj të mos vërë re se ç’thotë një letrar a kritik i dështuar, si Sadik Bejko, por të lexojë këtë libër të jashtëzakonshëm që ka shkruar Prof. Isuf Kalo. Vetëm atëherë lexuesi do të jetë në gjendje të kuptojë e të vlerësojë vetë, duke përdorur, siç thoshte Kanti, inteligjencën e tij dhe të askujt tjetër.

 

Share This Article
1 Comment
  • Po per kete qe shkruan ky miku te gazeta Tema ke te na thuash ndonje gje zoti Tarifa?

    “Blloku” i Isuf Kalos dhe “Blloku” i Ilir Metës…
    Mos u hutoni nga titulli intrigues “Blloku”! Sot nuk është fjala për “Blloku”-n e dikurshëm të janarit të 2011-s të Ilir Metës, por për “Blloku”-n e ri të doktor Isuf Kalos. “Blloku” i Isuf Kalos është dhe nuk është si “Blloku” i Ilir Metës. “Blloku” i Isuf Kalos është një libër i shkruar me stil dhe kulturë që dëshmon për sjelljet e bllokmenëve të para viteve ’90. Doktor Kalo duhet besuar e madje duhet falënderuar sinqerisht për këtë… Por, kur mësojmë se, nga shtypshkronja e Henri Çilit, ka shkuar me “Blloku”-n e tij në dorë drejt e tek Ilir Meta në Presidencë për t’ia dhuruar, nuk ka se si të mos të vijë në mendje “Blloku” i Ilir Metës i publikuar me video nga “Fiks – Fare” vite më parë e që “u përurua” me gjakun e katër viktimave më 21 janar të 2011-s në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”… Mbase doktor Isuf Kalo nuk e kishte parashikuar nxitimin e Ilir Metës për ta shfrytëzuar këtë moment përuljeje e servilizmi ndaj tij… Duke e publikuar menjëherë këtë fakt, “Mic Sokoli” ynë hajdut, u përpoq t’i jepte pak oksigjen prej “intelektuali” vetes… Gjithsesi, autori i “Blloku”-t, ish mjeku i Bllokut Isuf Kalo, nuk është se bën ndonjë mëkat që shkruan vetëm për Bllokun e bllokmenët e vdekur sot… Punë e tij – që flet vetëm për gjysmën e vdekur të së vërtetës dhe shmang e mbyll sytë për bllokmenët e gjallë, por ai nuk duhet të harrojë se, të gjallët gjakatarë, Liri e Sali Berisha, dëshmohen në foto dhe, bashkë me të, përbënin më shumë se gjysmën e varkës së Bllokut në Drilon dhe gjysmën e njerëzve në dhomën me oxhak të diktatorit tashmë të vdekur… Prandaj dhe çifti i gjallë Liri e Sali Berisha nuk mund të mungonin e të mos i përgjigjeshin ftesës për të marrë pjesë në përurimin e “Blloku”-t tashmë të vdekur të doktor Kalos… Sigurisht, i shkruar me kulturë e stil intrigues, “Blloku” i Isuf Kalos është larg stilit ordiner që pamë e dëgjuam të gjithë tek “Blloku” i Ilir Metës. Megjithëkëtë, “Blloku” i doktor Kalos nuk besoj ta arrijë kurrë audiencën e tij, jo vetëm për arsyen se i dhuroi bujarisht integritet moral nga vetja autorit tjetër të “Blloku”-t, por se “Blloku” i Ilir Metës në janar të 2011-s ishte plotësisht i vërtetë dhe i besueshëm se fliste me zë e me figurë për të gjallë e të vdekur (tashmë)…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *