Haga heton Zyrën e Qeverisë së Kosovës për pengim drejtësie

Leda Hysa

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, është duke bërë hetime lidhur me rolin e Zyrës së Qeverisë së Kosovës (në Ministrinë e Drejtësisë) për mbrojtjen juridike të të akuzuarve potencialë pranë Dhomave të specializuara, si dhe drejtuesin e kësaj zyre, Driton Lajçi, për pengimin e mundshëm të drejtësisë, përfshirë edhe pretendimet për shkelje të neneve të Kodit Penal të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e provave ose procedurave zyrtare dhe frikësim gjatë kryerjes së procedurës.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar një pjesë të dokumentit që ka të bëjë me kërkesën e avokatit të Lajçit, për të vlerësuar kushtetueshmërinë e procesit të intervistimit. Lajçi është marrë në pyetje në Hagë, në 17 tetor, duke u mbrojtur në heshtje, ndërsa avokati i tij, Toby Cadman, ka konfirmuar për këtë media se pranë Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me seli në Hagë, ka paraqitur kërkesën lidhur me kushtetueshmërinë e procedurës gjatë intervistimit, që është edhe pjesë e dokumentacionit publik. Kërkesa publike ka qëndruar për disa orë ka qenë e publikuar në faqen e internetit të Dhomës së Specializuar, por që më pas është hequr prej aty.

Pyetjes së Lajçit për prokurorin, se për çfarë pretendimesh specifike bëhet fjalë, si dhe ndaj kërkesës së tij që para intervistimit në Hagë të jetë i informuar për veprat penale të pretenduara, në mënyrë që të jetë i vetëdijshëm për përgjigjet që do të kërkohen nga ai lidhur me bazën e pretendimeve, Prokuroria e Specializuar, përmes postës elektronike, i është përgjigjur që “me ligj nuk është e parashikuar që në këtë moment të japin detaje lidhur me provat, të cilat i disponon Prokuroria”. Megjithatë, në këtë përgjigje thuhet që Prokuroria “po e heton rolin e zyrës(së Lajçit) dhe vetë Lajçin për pengimin e mundshëm të drejtësisë“.

Duke marrë parasysh që prokurori nuk e ka zbuluar materialin e dëshmive, gjë që, siç thuhet në kërkesë, do ta ndihmonte avokatit që ta këshillojë klientin e tij në mënyrën e duhur, Lajçi ka vendosur që të refuzojë të përgjigjet ndaj pyetjeve në ditën e intervistimit.

 

l.h/ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *