Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, por tha se ajo duhet të kontribuojë në qendrueshmërinë dhe zhvillimin e rajonit.
“Jam në favor të zgjidhjes së çdo konflikti dypalësh dhe çdo zgjidhje duhet të kontribuojë në një stabilitet më të gjerë në rajon, dhe jo të jetë në koston e të tjerëve”, u shpreh Hahn në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
I pyetur nëse ndryshimi i mundshëm i kufijve mund të ndikojë Bosnjën, Maqedoninë apo vendet e Partneritetit Lindor, Hahn tha se është herët të flitet për këtë çështje.
“ Po negociojnë ende. Le të themi, disa ide janë shfaqur. Mendoj se një marrëveshje ligjërisht e obligueshme midis Serbisë dhe Kosovës duhet të përfshijë shumë elemente. Mendoj se të dyja palët janë tani të vetëdijshme, nuk do të thosha për shqetësimet ndërkombëtare, por për kufizimet dhe, brenda tyre, shumë zgjidhje janë të mundshme”, tha Hahn.
Ideja për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë është shtruar në tavolinë nga presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, si një mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis tyre.
s.a/dita

Mos Hahn, se ua preve zorren e parave agjenteve shqiptare te Serbise ne Kosove dhe Shqiperi!